Askush nuk duhet të luajë me besimin fetar dhe simbolet e kombit!

Opinione

Askush nuk duhet të luajë me besimin fetar dhe simbolet e kombit!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 14:32
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Disa qytetarë të Deçanit në Kosovë nisën para dy javësh një iniciativë për lënien e besimit në islam dhe kthimin në besimin kristian. Atë ditë paralajmërova se besimi është çështje e besimit individual dhe nuk duhet lidhur me organizime, të cilat mund të frymëzohen ose edhe sponsorizohen nga politika apo aktorë dhe faktorë të tjerë. Për më tepër kërkova maturi, sepse besimi është edhe çështje sensitive dhe në vend të vënies së vetullave, mund të nxjerrim sytë, të nxisim konflikt. 

Nuk u nisa nga ajo se kush e çfarë ishin inicuesit e lëvizjes së tillë, nëse ata vetë besojnë apo jo në ndonjë fe, nëse....nëse. Por debati u rëndua dhe u thellua pa ekspertizë për rolin e islamit ndër shqiptarët, duke organizuar një sulm të pamotivuar dhe argumentuar kundër besimit islam. Kjo ndodhi pa e menduar se mund të fyhen në ndjenja njerëz të tjerë në Kosovë. Madje u vu shenja e barazimit midis Turqisë dhe Serbisë, duke shfrytëzuar faktin e njohur të marrëveshjes Serbi-Turqi të vitit 1937 për deportimin e myslimanëve (shqiptarëve) nga Kosova e territoret ish-jugosllave në Turqi, kryesisht Anadoll. Se është e drejtë të dënohet ajo marrëveshje e madje ta denoncojë e të kërkohet ndjesë nga autoritetet turke, me këtë pajtohem plotësisht. Por ringritja në doktrinë si armiqësi midis shquptarëve dhe shtetit turk, kjo është e tepruar dhe bën efekt negativ për interesat tona. Ne po i themi edhe Serbisë genocidiste, “Na njih si shtet dhe hajde pajtohemi”! Sepse nuk e kemi luksin të bëjmë armiq, sidomos pa nevojë! 

Më herët kam shkruar statuse kritike për ata shqiptarë të besimit islam, të cilët nisur nga indoktrinimi fetar, kanë goditur figurat më të shquara kombëtare, Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Madje edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova, duke e konsideruar si besimtar konvertues nga besimi islam në atë katolik. Por kombi është mbi të gjitha. Pavarësisht se historia na ka bërë që ne shqiptarët ti takojmë tri besimeve themelore. Në Kosovë dy besimeve – muslimanë dhe të krishterë katolikë. Feja shërben për ne shqiptarët si mjet e formë për tu lidhur me Zotin, i cili është vetëm një. Ndërsa kombi, atdheu, liria, demokracia, vlerat tona, traditat, gjuha, gjithçka që kemi si shqiptarë, janë të përbashkëta. 

Antropologët dhe studiuesit e huaj e shqiptarë, jo sot, por edhe para 100-200 vitesh kanë vënë në dukje se zakonet e traditat e shqiptarit nuk ndryshojnë nga njëri te tjetri besim fetar. Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe kanunet e tjera të krahinave shqiptare, madje dhe ai i Skënderbeut, nuk përcaktojnë rregulla të ndryshme për muslimanët e për të krishterët. Ato rregulla nuk ndryshojnë as midis të krishterëve katolikë dhe atyre ortodoksë. Besimi në shumë fe, i detyroi rilindasit që të rekomandojnë si kriter identifikimi dhe pranimi gjuhën shqipe, traditat dhe zakonet tona të përbashkëta. Shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që edhe në vitin 1913 janë identifikuar dhe vetidentifikohen përmes përdorimit të gjuhës shqipe e jo të besimit ortodoks. Ndërsa kombet e tjera, serbët, grekët etj, kanë si kriter fenë, besimin fetar.  

Trashëgimia më e vyeshme e jona është harmonia fetare, bashkëjetesa pa grindje dhe konflikte të mëdha. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht se të gjitha fetë kanë ruajtur ekulibër dhe harmoninë në marrëdhëniet midis tyre. Asnje komunitet fetar nuk reagon e nuk ka pse të reagojë, nëse besimtarët e tij konvertohen në një besim tjetër. Por ndërhyrja me organizimi gati në modelin politik mund të shërbejë për të rrit tensionet artificialisht dhe mund të shkaktojë konflikt. Këto tensione ne i kemi parë këtë kohë në rrjetet sociale. Madje u dha një lajm se është dëmtuar edhe monumenti i Skënderbeut në Prishtinë.  

Ai që ve dorë mbi simbolet e kombit, Skenderbeun, Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën, flamurin dhe heronjtë e rënë të Kosovës, ai nuk është shqiptar, së paku nuk është shqiptar i mirë. Por ata që marrin përsipër të krijojnë shoqata me objeksion luftën kundër një feje dhe mbështetjen për një tjetër, këta njerëz i fryjnë zjarrit të përçarjes. Këta dhe politika në Kosovë duhet të kuptojë se jo të gjithë njerëzit kanë urtësinë e mençurinë e duhur pët tu sjellë me korrektësi në raport edhe me interesat tona kombëtare. Prandaj dhe mund të tërheq rishtazi vëmendjen për përmbajtje të të gjitha palëve dhe besimeve. Njerëzit janë të lirë si në Kosovë dhe në çdo hapësirë tjetër ku banojnë shqiptarët. Ata janë të lirë të ndryshojnë bindjet dhe ti besojnë Zotit në cilën fe të duan vetë. Askush nuk ka të drejtën të bëjë thirrje publike për këtë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat