Ndërtimi i spitalit të Prishtinës, imperativ i kohës!

Opinione

Ndërtimi i spitalit të Prishtinës, imperativ i kohës!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 21:02
Ismail Muçiqi

Vite me radhë Prishtina po përballet me probleme më të ndryshme të urbanizmit, të kaosit në trafikun e komunikacionit, mungesën e hapësirave gjelbëruese, mungesën e parkingjeve për automjetet, mungesën e semaforëve në pikat kyqe të qarkullimit që e lidhin qytetin me pjesë tjera periferike e shumë e shumë probleme që po ua vështirësojnë jetën banorëve për ditë  e më shumë. Problem mbi problemet që kërkon zgjidhje është reformat në infrastrukturën e sistemit të shëndetësisë në kryeqytet. Të gjitha partitë politike që nga paslufta të cilat garuan për ta marrë pushtetin në Prishtinë u premtuan qytetarëve se një nga projektet madhore ishte ndërtimi i Spitalit të Prishtinës (qytetit).

Mjerisht kjo nuk ndodhi asnjëherë. Sot për shkak të dështimit të këtij projekti qytetarët e Prishtinës kërkojnë shërbime në qendrën QKUK-së e cila po ballafaqohet me numrin enormë të pacientëve nga të gjitha Komunat e Kosovës. Kushdo që ja mësyn QKUK-së për të kërkuar shërbime (ndihmë për tu shëruar) do të bindet se klinikat e QKUK-së po ballafaqohen me numër  të paimagjinueshëm te  pacientëve të sëmurë të cilët kërkojnë ndihmë nga ky institucion shëndetësorë. Sistemi shëndetësorë në Republikën e Kosovës qysh më herët ka pasur nevojë për një “shok terapi” për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese.

Zhagitja apo neglizhenca e institucioneve të Komunës së Prishtinës për ta ndërtuar spitalin e qytetit është e pajustifikueshme. Sot Prishtina është e ngulfatur me numrin e madh të qytetarëve të banorëve ku sipas statistikës flitet se në Prishtinë jetojnë afër 400 mijë banorë.  Mjerisht në kohën në të cilën po jetojmë po ndodhin fenomene të natyrës ku qytetarët po përballen me sëmundje më të ndryshme, kronike, akute dhe gjithnjë e më shumë shëndeti po atakohet nga sëmundjet e rënda të cilat kërkojnë trajtim dhe përkujdesje sistematike shëndetësore, me barëra shumë të kushtueshme financiarisht. Pothuajse qdo i treti qytetarë apo i moshuar ka probleme shëndetësore, dhe kërkon ndihmën e mjekut nga ambulancat nëpër fshatra duke vazhduar në qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna e deri tek instancat më të larta të Sistemit Shëndetësorë. Për problemet madhore me të cilat ballafaqohen qytetarët nuk ka pardon!...

Për ndërtimin e spitalit të Prishtinës duhet të bartin përgjegjësi Komuna përkatësisht Kryetari i Prishtinës i cili ju ka premtuar qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. Përgjegjësi për një projekt kapital shëndetësorë që i duhet Prishtinës ka edhe Ministria  e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës si organ ekzekutiv i Shtetit. Shteti dhe sistemi shëndetësorë nuk udhëhiqet me teke dhe inate, me urrejtje e xhelozi por me përkushtim duke e bashkuar mendjen dhe dijen të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësi para qytetarëve për tu krijuar kushte dhe mundësi të sëmurëve që kërkojnë dorën e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat