Z. Kryeministër, ngreh e mos e këput, me nënshkrua asociacionin mos u ngut!

Opinione

Z. Kryeministër, ngreh e mos e këput, me nënshkrua asociacionin mos u ngut!

Nga: Dedë Preqi Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 11:17
Autori Dedë Preqi

Mos nënshkrimi i Vuçiqit, propozimin evropian, bashkë me aneksin e implementimit për të cilin u akordua në Ohër, është një taktikë e tij, që po e përdor si pretekst sikur që nuk është nënshkruar si diçka e tillë nga paraardhësi i tij në Kumanovë të Maqedonisë Veriore, që ju zotëri kryeministër të joshëni dhe ta nënshkruani, sepse edhe Vuçiqi, është i pajtimit, dhe nga ana e tjetër, të gjitha ata që pohojnë nga opozita e Kosovës, se një gjë e tillë është tani më e nënshkruar nga Albin Kurti, kjo është përsëri edhe një shtytje, që kjo marrëveshje të nënshkruhet.

Kryeministër Kurti, para se gjithash për të nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e ke me presion nga gjitha anët, por së pari të bëni një koordinim edhe me opozitën në Kuvend, pastaj me shoqatat nga shoqëria civile, duke mos përjashtuar juristët e vendit tonë, në bashkë- konsultim edhe me juristët ndërkombëtar, dhe për të ndërmarrë hapa konkret dhe një vendim të tillë, të siguroheni nga SHBA-të, dhe BE-ja, që Kosova dhe populli i këtij vendi, të sigurohet dhe mbrohet me tërë integritetin dhe territorin e saj, sepse duhet ditur se përmes këtij Asociacioni, është e kurdisur një “kurth” e rrezikshme nga Serbia dhe aleatët e saj, në të cilën Kosova, nëse gabon në hapa dhe të nxitojë ta nënshkruaj një Asociacion me kompetenca ekzekutive, fati i këtij vendi mund të përsëritet.

Dialogu me Serbinë, deri më tani shumë pak i favorizon palët për një marrëveshje paqësore, edhe pse pala serbe në krye me Vuçiqin, është fajtore e gjithë kësaj loje, duke e lënë peng edhe popullin serb të Kosovës, të cilin edhe po e keq përdor, duke e bërë vegël të politikave të Serbisë, që deri më tani përpjekjet e saj janë të kundërta me stabilitetin e Kosovës dhe rajonin, dhe përkundër të gjitha të bëmave të saj kriminale e gjenocidiale, sot kërkon të çfajësohet pa kurfarë kërkimfalje.

Negociatat do të ishin të domosdoshme në mes palëve, por duket e pa qartë se edhe BE-, si udhëheqëse e negociatave dhe ndërmjetëse e tyre, po e neglizhon këtë rrol me një arsye apo edhe pa një arsye kuptimore, sepse e ka obligim ta udhëheq këtë rrol, dhe detyra e saj të konsultohet dhe sqarohet në mes palëve dhe jo përmes tekeve dhe tendencave të Serbisë, duke e sanksionuar palën shqiptare, kur dihet se qëllimet e palës serbe janë po aq të rrezikshme, sikur edhe më herët në kundërshtim të çdo marrëveshje dhe iniciative paqësore.

Ndërkaq, manovrimet e tilla të Vuçiqit, që shpeshherë i kërcënohet Kosovës, për rreth kufirit të saj me ushtri dhe policinë e saj, mund të jetë jo vetëm një lloj provokimi, por edhe formë synimi, duke mos hequr dorë nga Kosova, apo duke pritur momentin e volitshëm, sikur ishte terrorizmi i 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit, por për fat të mirë Kosova, përveç se i ka shqiponjat e veta, e ka shqiponjën e madhe të NATO-s, e cila është e gatshme në përballje dhe çdo rast nevoje.

Dialogu me Serbinë, nuk do të shteret asnjëherë, për deri sa Vuçiqi, do të qëndrojë në ballë të këtyre projekteve, dhe nëse në tavolinën e Brukselit, nuk i shpalosen Serbisë, të gjitha mëkatet e saj fashizoide, që janë krimet më të rënda që pas Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo Serbi, me udhëheqjen saj duhet ti pranojë këto të bëma antinjerëzore, duke kërkuar falje, përndryshe, duke e përkëdhelur dhe duke humbur kohë me lojërat e saj, në këtë mënyrë dhelpëritë e saj nuk do të përfundojnë kurrë, dhe nuk do të ketë ndonjë rezultat apo marrëveshje paqësore me këtë vend dhe me këtë popull.

Munden të tjerët të na quanin të marrë në politikë, që nuk po mundemi të gjejmë rrugëdalje nga barrikadat që po i kurdis Serbia, ndaj Kosovës, duke dyshuar edhe në demokracinë tonë, mirëpo Kosova, nuk e ka fuqinë e saj, që e vetme të ia del pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të SHBA-ve, duke ditur se kemi të bëjmë me një Serbi kryeneçe nën udhëheqjen autoritare të Vuçiqit, që po i bënë ballë edhe ndikimeve të BE-së, dhe SHBA-ve, duke u përqendruar dhe mbështetur në anën dhe politikat e Rusisë dhe Kinës.

Deri më tani e dimë se çfarë është duke u biseduar dhe duke u zhvilluar me palën serbe, kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me përgjegjësinë e kësaj pale dhe veprimet e saj kriminale ndaj Kosovës dhe popullit të saj, por ka të bëjë me tiparin e asaj në nxitje të ndonjë konflikti apo lufte të re në Ballkan, dhe për atë e ngremë shqetësimin tonë se po njëjtësohen gjërat dhe po përsëritën negociatat pa ndonjë dobi të mundshme, që do të ishte një lloj loje e palës serbe dhe pala shqiptare po përballet me shumë sfida dhe të pa drejta ndaj saj si palë jo e barabartë.

Kush mundet të pajtohet me të kaluarën kriminale të Serbisë, apo të pajtohet pa u ndëshkuar fajtori për krimet shkatërruara, ai nuk e do paqen dhe rehatinë e këtij populli, ai nuk e do qetësinë dhe stabilitetin afatgjatë të këtij vendi, dhe një përpjekje e tillë për t’i amnistuar kriminelët dhe gjenocidin e shpaketuar ndaj një populli të pafajshëm të Kosovës, sikur tani i kërkohet përsëri një rrënim dhe shkatërrim i tillë dhe i gjitha përpjekjeve për zhvillimin dhe ndërtimin e këtij vendi.

Dhe mundësia për pajtueshmëri në mes palës serbe dhe shqiptare, duhet të krijohen kushtet dhe rrethanat si një proces njerëzor dhe natyror, për të ndërtuar ardhmërinë dhe harmoninë në mes dy popujve. Por, nëse prirja e individëve të caktuar për të përfituar nga natyrat e tilla, sikur që është iniciativa e Edi Ramës, kinse të formohet bindja dhe optimizmi i pajtueshmërisë sa vetëm për të thënë, ndërsa në anën tjetër, luhet me fatin e një populli, duke mos arritur qëllime të favorshme për palën e arsyeshme, siç është pala shqiptare, e cila e dëshiron paqen e qëndrueshme me secilin fqinjë të vetin.

Përndryshe, qëllimet e Serbisë, janë të njohura, që kanë prapavija politike dhe jo reale e optimiste për një marrëveshje paqësore, dhe populli shqiptarë i Kosovës, e ka paguar shumë shtrenjtë në çkohë, ku plagët i ka ende të hapura, të cilat plagë nuk do të shërohen dhe të tejkalohen aq lehtë, sikur po pretendohet nga disa emisar dhe ndërmjetësues evropian, sepse qëllimet bazë dhe kriteret e vlerësimit të saj fshihen brenda në shpirtin e një populli të vuajtur e liridashës.

Prandaj, kryeministër Kurti, e ke përgjegjësinë sot më të madhe morale e politike, po sikur Kosova, tani do të ishte në prag të çlirimit të saj nga zgjedha e Serbisë, dhe po të kërkohet nga populli i yt i dashur, që sikur i thonë një fjale; ngre e mos këput, me nënshkruar Asociacionin mos u gut, sepse i ke të ngrehura kurthet në gjitha anët dhe përmes një nënshkrimi të tillë është i varur fati i veriut dhe i tërë Kosovës, sepse ky dokument sipas ekspertëve të kësaj lëmie, do të ishte shumë i ndërlikuar, që ekziston mundësia e kompetencave ekzekutive të fuqizohet ndërkohë në favor të një “autonomie serbe” me mundësinë që i jepet Serbisë, të funksionojë brenda Kosovës, dhe veriu i vendit i banuar me shumicë serbe mund të ndahet dhe shkëputet dal ngadalë nga Kosova, si pjesë e trungut dhe trupit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat