“Zajednica” nuk ka brirë!

Opinione

“Zajednica” nuk ka brirë!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 16 nëntor 2023 Në ora: 08:01
Albin Kurti

Më në fund, u legalizua Draft Statuti për Asociacionin, i hartuar nga BE-ja. Shumë reklamë u bë, u konsiderua si risi dhe fort i "avancuar" në krahasim me Draftet paraprake. Për çudë, edhe kryeministri Kurti ishte shumë entuziast! Por, siç thotë urtësia: "Fshati që duket, nuk ka nevojë për kallauz", guidë. 

Emërtesat president, bord, qeveri, ministra, flamur, stemë, kufinj administrativ dhe elemente të tjera, janë terma të frikshme, që derivojnë autonomi territoriale, duke lënë hapur mundësinë për shkallëzime tjera. Fillimisht, e bënë Serbinë hisedare në Kosovë dhe, në perspektivë, për pretendime tjera, të ngjashme me "Republika Srpska" të Dodikut, në Bosnje. 

Takimi i fundit Lajçak-Vuçiq, i bërë në një atmosferë gazmore, ishte domëthënës. "Draft Statuti i Asociacionit aktual, i ka elementet ekzekutive të Marrëveshjes të vitit 2013 dhe 2015", - i tha Lajçak bashkëbiseduesit Vuçiq, pa zënë në gojë asnjë nga Draftet tjera. Dhe, Vuçiq ishte shumë i disponuar, pa manifestuar asnjë kundërshti. Në 14 faqet e Draft-Statutit, të BE-së, tashmë, të botuar nga eksponenti i AAK-së, gjenë elemente të bollshme të vetëqeverisjes, vetëmenaxhimit dhe të autonomisë territoriale, që tejkalon Marrëveshjen e 2013 dhe të korrigjimeve të vitit 2015.

Ndërkombëtarët, dhunshëm" e shpallën Kosovën "shtet multi-etnik", edhe pse 94 % e popullatës janë shqiptarë, që nënkupton se është shtet mono-etnik. Por, kur vendosen të japin të drejta enorme minoriteteve, krejt të veçanta në botë, vendosen të bëjnë -Asociacion një-etnik serb-, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk parashikon diçka të tillë! Për këtë populli ka një shprehje: "Me çfarë kuti matë Dauti!"

Kryeministri Albin Kurti bëri propozimin praktik, një Asociacion të tipit kroat, për komunitetin serb në Kroaci, të pranuar edhe nga Serbia. Por, ky propozim, si një zgjidhje funksionale, u harrua dhe nuk po i referohet askush këtij varianti. Pse ndodhë kjo, pse heshtet dhe nuk ngulmohet edhe mëtej në modelin kroat?!

Dhe, nëse kjo nuk pranohet, atëherë, duhet referuar teorisë juridike:

"Klausula Sic Stantibus Rebus" 

Arsyetimi i ndërkombëtarëve se është nënshkruar një marrëveshje dhe duhet zbatuar, pavarësisht kohës dhe rrethanave, në të cilat është bërë ajo marrëveshje fatale, e devalvon një teori juridike, e njohur me emërtesën: "Klausula Sic Stantibus Rebus", si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni njëetnik për Kosovën! Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, duke krijuar një "Republika Srpska", e cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj. 

Rrethanat e ndryshuara, madje rrënjësisht, nga koha e nënshkrimit të Marrëveshjës të Asociacionit, fatale për Kosovën, janë evidente, të dukshme dhe bindshëm të arsyetushme: 

1) Dialoguesit dhe nënshkruesit e Marrëveshjes për Asociacionin, në vitin 2013, në Bruksel, janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. I pari ishte dhe mbetet i shantazhuar, tashmë, edhe i penalizuar me dosjen e krimeve, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, për vrasjet faktike të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Ndërsa i dyti, ishte i shantazhuar nga SHIK-u i Hashimi Thaçit dhe Kadri Veselit. 

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje, më vonë, edhe ratifikim në Kuvend, u bë në këmbim të lirisë të Hashim Thaçit, me bashkëpunëtorët, për krimet e luftës dhe të pas luftës, kryesisht, vrasjen e oficërëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve me integritet të luftës. Por, edhe ekzekutimet brenda llojit, kuadrot të hershëm të LPK-së, për ta eliminuar, paraprakisht, konkurrencën brenda partiake, në të ardhmen.

2) Ndërkombëtarët, BE dhe SHBA, bënë mëkatin e madh, kur aprovuan kërkesën e Serbisë, për themelimin e -Asociacionit-, duke filluar edhe presionin e vrazhdët dhe kërcënues ndaj Qeverisë së Kosovës. Kësaj ideje iu bashkua kryeministri shqiptar Edvin Rama, i cili, në marrëveshje me Vuçiqin, nismoi kërkesën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, lirimin dhe kthimin e Thaçit në pushtet, për ta realizuar "Zajednicën" dhe ndarjen e Kosovës. Ndërkohë, opozita destruktive u premtoi ndërkombëtarëve se "vetëm hiqna qafe Albin Kurtin, se ne e bëjmë -Asociacionin-, pa Albinin dhe qeverinë e tij!" Intrigimet e opozitës, i denoncoi ndërmjetësuesi amerikan!

3) Sihariqin për bërjen e Asociacionit, e festuan serbët e Kosovës; Beogradi zyrtar; "Dodiku me Republikën e tij dhe Moska! Kjo trimëroi Serbinë dhe në koordinim me Moskën, me qëllimin perspektiv, për krijimin e "botës serbe", nën shembullin e "botës ruse", që dëshmon me agresionin e saj, për ta bashkuar Ukrainën dhe disa nga ish-Republikat Sovjetike. Dhe, njëkohshëm, afishuan slloganin në veriun e Kosovës, në Serbi, në Mal të Zi (nga serbët vendorë), në "Republika Srpska" në Bosnje e deri në Moskën ruse: "Kur ushtria serbe do të kthehet në Kosovë"?!

Nga tri faktet e cituara më lartë, është e mjaftueshme për shqiptarët dhe ndërkombëtarët, për të kuptuar qëllimet errëtake të Beogradit, se nëpërmjet Asociacionit, në perspektivë, ta realizojë ndarjen e veriut të Kosovës dhe bashkangjitjen Serbisë. 

Prandaj, ngulmimi i mëtejmë i ndërkombëtarëve, për krijimin e çfarëdo niveli të Asociacionit, është provokim i rëndë dhe lëndim shpirtëror i shqiptarëve të përbotshëm, pas përgjakjes tej një shekullore, që përjetuan brezat shqiptarë, nga hordhitë pushtuese serbo-sllave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat