Të kompleksuar nga propaganda dhe akuzat e Edi Ramës!

Opinione

Të kompleksuar nga propaganda dhe akuzat e Edi Ramës!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 16 nëntor 2023 Në ora: 16:21
Edi Rama

Të hënën e shkuar në Tirana Hotel Internationl të kryeqytetit u mblodhën shumë aktivistë me devizën “Jo shpopullimit, jo ripopullimit”! Ishte kjo shprehje e reagimit me vend kundër marrëveshjes Rama-Meloni për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri. Pra, kampe në Shqipëri për refugjatët që nisen e duan të shkojnë në Itali?!

Diskutuan shumica e të pranishmëve. Dhe shumica prej tyre patën në sintezë vetëmbrojtjen: - Nuk jemi racistë! Nuk jemi kundër të huajve! Nuk jemi ... çfarë nuk jemi! Madje thuajse të gjithë, me përjashtime të pakta, u drejtoheshin avokatëve me lutjen “Na ndihmoni ju! Dërgojeni marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese! Dërgojeni në SPAK”! etj.

Kjo m’u duk si një thirrje për t’i thënë kryeministrit të Shqipërisë “Aman mos na sill afrikanë e aziatikë këtu, se kjo quhet ripopullim”! Sepse t’u drejtohesh gjykatave, iu ke drejtuar Ramës. Të vetëmbrohesh, kur je mbledhur për të diskutuar se si do të sulmojmë kundërshtarët e armiqtë e kombit, është ta ndjekësh lëvizjen e radhës të këtij kundërshtari dhe armiku të interesave kombëtare! Kjo po ndodh me opozitën. Por opozita është politike. Shoqëria civile në Shqipëri duhet të shkëputet nga kornizat politike, nëse është e përkushtuar për t’i shërbyer interesave të vendit e të atdheut dhe nëse nuk ka si projeksion për t’u shndërruar nga shoqatë në mbrojtje të qytetarëve e të vendit, në një subjekt politik.

Por jo. Askush nuk u mor me atë se cila është diagnoza e vërtetë. Nuk u fol për të pranuar realitetin në të cilin jetojmë. Dhe nëse do ta pranonim këtë realitet në të cilin jetojnë shqiptarët, atëherë duhet pranuar se ka një agjendë të qeverisjes me mbështetje ndërkombëtare për shkombëtarizimin e shqiptarëve. Dikush e tha këtë. Por pa ia vwne emrin kësaj veprimtarie armiqësore. Këtë agjendë e menaxhon dhe zbaton vetë qeveria dhe kryeministri shqiptar. Dhe nëse pranonim këtë realitet, atëherë kjo qeveri e ky kryeministër duheshin trajtuar si pushtues të Shqipërisë. Sepse ka pasur Shqipëria pushtues si austro-hungarezët (1916-1918), deri diku italianët (1939-1943) dhe gjermanët (1943-1944), të cilët nuk e kanë dëmtuar Shqipërinë as sa një e dhjeta e dëmeve që ia ka sjellë asaj qeveria e Rilindjes dhe kryeministri Edi Rama.

Të kompleksuar nga autoriteti dhe propaganda e kryeministrit, askush nuk guxon ta trajtojë atë si pushtues. Dikush thotë e ç ‘rëndësi ka nëse trajtohet ose jo si i tillë. Unë them se ka shumë rëndësi. Sepse duke pranuar një realitet si ky që po përmend më lart, atëherë ndërton edhe objektivat, qëllimet dhe zgjedh mjetet e metodat e luftës kundër kësaj qeverie. Një qeveri që trajtohet si qeveri që “shkel demokracinë”, nuk mund të luftohet me të njëjtat mjete e metoda si një qeveri, të cilën e shpall armike të atdheut, të kombit e të shqiptarëve. Janë dy gjëra të ndryshme.

Pikërisht nga pozicioni i nisjes në konceptimin e kësaj qeverie e qeverisjeje përcaktohet edhe pozicioni i reagimit ndaj saj. Një qeveri jo aq demokratike luftohet e kundërshtohet me mjete demokratike. Me adresime te drejtësia. Ose me ankesa në qarqet ndërkombëtare. Një qeveri anti-kombëtare luftohet me mos bindje civile, me intifadë dhe nëse ajo kapërcen të drejtën e saj duke përdorur dhunën, atëherë dhunës i kundërvihet dhuna. Por duhet definuar përfundimisht çfarë është një qeveri që shpopullon vendin e saj dhe e ripopullon atë me qytetarë të kombësive të tjera! Nëse edhe kjo nuk është armiqësi kundër kombit, atdheut e vendit, atëherë duhet të gjejmë teoricenë dhe filozofë në galaktikë, të cilët mund ta interpretojnë ndryshe këtë fakt.

Sipas teorive politike, dy janë elementët thelbësorë të një shteti, te një kombi e një vendi: - Territori dhe popullsia kompakte e saj. Qeveria e sotme shqiptare territorin ua jep italianëve, pjesën tjetër detare grekëve, më tej akoma, veriun e Kosovës serbëve! D.m.th. kjo qeveri ka cenuar njërën nga shtyllat e ekzistencës së shtetit dhe kombit – territorin. Por ajo po cenon dhe popullsinë kompakte në gjuhë, traditë, bashkëjetesë, në ushtrim të së drejtës së saj për ta poseduar territorin e dhënë e njohur ndërkombëtarisht. Po e shpopullon vendin dhe në vend të shqiptarëve është deklaruar hapur se do të vijnë indianë, afrikanë, afganë, eritreas, bangladedshas e të tjerë. Atëherë qeveria e Rilindjes ka cenuar dhe po shkatërron kolonën tjetër të ekzistencës kombëtare.

Kësisoj për mua kjo qeveri nuk është qeveri pushtuese e tipit austriako-hungarez, gjerman apo italian. Por është qeveri pushtuese që kërcënon ekzistencën e kombit tonë, njësoj siç e ka kërcënuar dhe e kërcenon ende pushtimi ose orekset për pushtim nga ana e Serbisë. Kërcënimi i ekzistencës fizike dhe territoriale nuk zgjidhet e nuk pengohet me mjete demokratike. Por komplekset se na quajnë kështu ose ashtu, na pengojnë t’u vëmë emrin e vërtetë zhvillimeve, ngjarjeve, ndodhive dhe realitetit që sot përjeton Shqipëria dhe shqiptarët. Kjo pengon reagimin e nevojshëm kundër pushtuesve të tillë!

Shënim: Për këtë koment më nxiti edhe një akuzë e Joe Biden, i cili deklaratat e kundërshtarit të tij, Donald Trump i quante si deklarata fashiste. E njëjta bëhet edhe në Shqipëri. Fashistët e vërtetë në pushtet, bëjnë akuza për fashizëm! Qëllimisht të na kompleksojnë dhe të qëndrojmë në mbrojtje. Pra të ndjekim hapin politik të skandaleve të Edi Ramës, pa mundur asnjëherë t‘ia dalim për ta rrëzuar atë nga pushteti! Me këtë mendësi Rama do të jetë edhe 20 vjet të tjera në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat