Pse “asociacion” dhe pasojat e mundshme nëse themelohet

Opinione

Pse “asociacion” dhe pasojat e mundshme nëse themelohet

Nga: Qani Nuhiu Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 20:40
Qani Nuhiu

-Pse parashihet themelim “Asociacion komunash me shumcë serbe” (“Zajednica”)!?

-Pasojat e mundëshme të disfavorshme për Kosovën që mund të dalin nga themelimi i “Asociacionit” !

-Epilogu i mundëshëm i dialogut?

-Zgjidhja  më optimale! 

1.Pse parashihet themelim “Asociacion komunash me shumcë serbe” (“Zajednica”)!?

Në planin franko-gjerman që tashmë është dokument zyrtar i Unonit Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë në pikën 7 thuhet:

“Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Europës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese europiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”.

Praktikisht do të thotë “asociacion të komunave me shumicë serbe” në Kosovë, ose autonomi vetëqeverisëse territoriale  (vetëmenaxhim) për serbët e Kosovës. Në funksion të kësaj edhe presioni më i madh mbi Kosovën aktualisht është duke u bërë që e para të realizohet pika 7 e planit. Lidhur me këtë çështje vazhdimisht ka presion mbi udhëheqësinë e Kosovës dhe gjykuar sipas të githa gjasave kjo çështje është në fokusin kryesor të dialogut e cila trajtohet me shumë prioritet në krahasim me pikat tjera të planit të propozuar franko-gjerman.Këtë e flasin edhe deklaratat dhe angazhimet e ndërmjetësuesëve të Unionit Evropian dhe të emisarëve amerikan.

Mirëpo, para vendimit eventual për themelimin e “Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, duhet të hapet debati duhet të jepet përgjigja e qartë për këto çështje:

E para; Pse është i nevojshëm Asociacioni (“Zajednica”) në fjalë ?!

E dyta; Qartë të thuhet se cilat të drejta do të mund t’i realizonin serbët e Kosovës nëpërmjet “Asociacionit”, e të cilat me rregullimin kushtetues edhe ligjor aktual të Kosovës nuk munden t’i realizojnë?

E treta;Kushtetuta e Kosovës është më e avancuara për bashkësitë më të vogla etnike, në veçanti për bashkësinë etnike serbe. Në rrethana, kur serbët e Kosovës kanë mbrojtje maksimale kushtetuese dhe institucionale (dhjetë deputetë të garantuar, gjuha zyrtare në tërë territorin e Kosovës, të drejtë vetoje për çështjet që u përkasin atyre dhe pakicave tjera, etj.), pse iu duhet edhe zgjidhje territoriale?

E katërta; Cilat do të ishin efektet për bashkësitë tjera etnike jo-shumicë në Kosovë, gjegjësisht si do të reagonin ato?

E pesta; Cili do të ishte efekti për shtetet tjera multi-etnike të rajonit?A mund të futet Ballkani në një proces e spirale të pafund dhe “epidemi” të themelimit të asociacioneve me bazë etnike në disa shtete të Ballkanit Perëndimor?

E gjashta; Pse nuk pranohet parimi i reciprocitetit me Serbinë, gjegjësisht,  atë që kërkon për serbët e Kosovës ta zbatojë në vetë territorin e vetë për të gjitha bashkësitë etnike joserbe?

E shtata;Sa kjo zgjidhje do të kishte efekt stabilizues e sa destabilizues për Ballkanin Perëndimor?

E teta; Është e qartë se nëpër shtete të Evropës ka shembuj të tillë dhe ato funksionojnë.E vërtetë se ato shtete funksionojnë, pasi ato shtete janë me demokraci shumë më të zhvilluar, me kulturë politike të lartë. Pra, qartë dihet se në udhëheqje me shoqërinë dhe shtetin kultura politike është e një rëndësie të veçantë dhe jo më pak e rëndësishme se normat juridike (kushtetutat, ligjet, etj.). Pa dilemë se kultura politike është përcaktues shumë i rëndësishëm i organizimit dhe veprimit politik e institucional.Ndërkaq, një nivel të ngashëm të kulturës politike në rastin konkret dhe këto rrethana në Ballkan nuk ka, prandaj edhe funksionimi i një autonomie të mundëshme të serbëve në Kosovë vështirë se do të ishte i mundëshëm ashtu siç funksionon në shtetet demokratike të UE-së, në të cilën thirren ndërmjetësuesit.

Më konkretisht, në ato shtete nuk ka doktrina e plane për “shtete të mëdha”.Ndërsa në rastin e Serbisë, ka plane për “Serbi të madhe”, “botë serbe”, etj.

E nënta; “Argumenti” i ndërmjetësuesëve se Kosova ka obligim ligjor ndërkombëtar pasi atë e ka nënshkruar nuk qëndron plotësisht, pasi (sipas njohësve të çështjes) Sërbia nuk i ka të miratuara dy marrëveshjet e Brukselit 2013 dhe 2015. Prandaj parashtrohet pyetja nëse Serbia e paska aq të rëndësishme realizimin e marrëveshjeve të Brukselit pse nuk i ka miratuar deri tani?!

E dhjeta; Qartë konstatohet “Asociacioni” është entitet etniko-territorial i ri në Kosvë (i përbërë nga pjesa veriore dhe disa enklava në pjesët tjera të shtetit të Kosovës);

E njëmbëdhjeta; Nëse nga diplomatët ndërmjetësues thuhet se “Asociacioni” do të jetë multi-etnik, atëherë parashtrohet pyetja pse nevojitet asociacion komunash multi-etnike, kur vetë shteti është multi-etnik?! Ka edhe shumë arsye tjera.

Për të gjitha këto çështje të cekura më sipër, pra duhet të kërkohen argumente të qëndrueshme, të fuqishme dhe të arsyeshme nga ndëmjetësuesit ndërkombëtar.

2. Pasojat e mundëshme të disfavorshme për Kosovën që mund të dalin nga themelimi i “Asociacionit”

Në lidhje me “Asociacionin” duhet theksuar edhe këto pasoja negative, realisht të mundëshme:

1.Nëse “Asociacioni” (“Zajednica”) parashihet të jetë njësi territoriale me vija ndarëse territoriale, atëherë pikërisht aty qëndron rreziku kyresorë. Pra, rreziku kryesor nuk është tek niveli kompetencave (egzekutive apo joegzekutive), sepse ato nuk janë absolute dhe në të ardhmen mund të imponohen ndryshime, por rreziku kryesor qëndron tek shtrirja e mundëshme territoriale e “Asociacionit”;

2.Me themelimin e “Asociacionit”, shteti i Kosovës më nuk do të jetë shtet territorialisht unitar, por në variantin më të butë shtet i federalizuar!

3. “Asociacioni” me vija ndarëse territoriale të definuara qartë, është faza fillestare, vendimtare dhe më e rrezikshme drejt shkëputjes dhe ndarjes finale së Kosovës;

4.Zgjidhja territoriale në emër të të drejtave të njeriut, kolektive e qytetare detyrimisht sjell tek konfliktet ndëretnike;

5.Nisur nga historia e mëherëshme, ajo më e re dhe tendencat e politikës aktuale, mund të konstatohet se Serbisë shumë më pak i interesojnë të drejtat e serbëve në Kosovë  dhe “Asociacionin” (“Zajednicën”) e sheh si çështje territoriale, të përfitimit të resurseve natyrore si dhe të disfunksionalizimit të shtetit të Kosovës;

Për të gjitha këto çështje, kuptohet se për momentin nuk ka përgjigje adekuate, por një ditë me siguri se do të hapen dhe patjetër do të kërkojnë zgjidhje.

Në rastin e “Asociacionit” për serbët në Kosovë qasja jo vetëm që është etnike dhe selektive, por është edhe ekskluzive, gjegjësisht vlen vetëm për serbët e Kosovës dhe kjo nuk sjell diçka pozitive për rajonin.

Prandaj ndërmjetësuesëve nga Unoni Evropian dhe emisarëve nga SHBA duhet t’u bëhet me dije se themelimi i “Asociacionit” të komunave me shumicë serbe, nuk mund të mbetet i izoluar si rast dhe si e drejtë ekskluzive vetëm për serbët e Kosovës, pasi procese politike të tilla nuk mund të mbahen të izoluara dhe nuk mund të kontrollohen, sepse, ato ndikojnë në njëra tjetrën dhe krijohen paqartësi se çfarë kahje mund të marrin proceset.

Nisur nga e gjitha kjo, duhet cekur se, negociatave (dialogut) iu nevojitet një qasje shumë më ndryshe, më objektive dhe jotendencioze. Pasi qasja aktuale, e zgjidhjes territoriale të të drejtave të bashkësisë etnike serbe në Kosovë është në kundërshtim me vetë konceptin integrues të Unionit Evropian të perspektivës evropiane të Kosovës, Serbisë e gjithë Ballkanit. Akoma më tepër, çështja e “Asociacionit” fare nuk është dashur të hapet pas Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të datës 22 korrik 2010 për të drejtën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Qasje, koncepte dhe vendime të tilla për zgjidhje territoriale të të drejtave etnike të duhet të analizohen me shumë kujdes nga një perspektivë shumë-dimensionale e pastaj të veprohet.Prandaj zotërinj Eskobar, Borell e Lajçak nuk është urgjencë (ashtu siç e trajtoni ju në dialog) themelimi i “Asociacionit” të cilin e kërkon Serbia, por për suksesin e negociatave (dialogut) Kosovë-Serbi veprim më i nevojshëm, më urgjent, më esenciale dhe më i rëndësishëm është heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.Ky duhet të jetë parakushti për çfarëdo lloj marrëveshje eventuale. Ndryshe çfarëdo qasje tjetër para se të fshihet Kosova na Kushteuta e Serbisë do të rezultojë si e dështuar, pa rezultate dhe me kundërefekte për vetë stabilitetin dhe paqën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për Evropën.

Epilogu i mundëshëm i dialogut!

3.Epilogu i mundëshëm i dialogut?

Negociatat me këtë qasje aktuale mund edhe të dështojnë, pasi egziston mundësia që presdenti i Serbisë deri në pafundësi të refuzojë nënshkrimin e marrëveshjes eventuale. Mundësia tjetër është që edhe nëse nënshkruhet ndonjë dokument, ndërsa palët të detyrohen ta zbatojnë (sikur duket, presioni më i madh pritet të jetë mbi palën e Kosovës), përsëri nuk do të ketë zgjdhje të problemeve, por vetëm ndryshimi i dimensionit të tyre dhe komplikimi akoma edhe më i madh edhe atë jo vetëm në Kosovë, por mundet edhe më gjërë në rajonin e Ballkanit. Nuk do kemi zgjidhje por komplikim dhe përhapje  afatgjatetë krizës politike dhe të sigurisë.

4.Zgjidhja  më optimale! 

Zgjidhja  më optimale  dhe më e suksesshme  për pozitën e pakicës serbe në Kosovë  do të ishte në formimin e këshillit nacional serb në Kosovë, ashtu siç e ka zgjidhur vetë Serbia për pakicat etnike joserbe, ndërsa çdo zgjdhje tjetër që nënkupton  zgjidhje territoriale do të ishte me shumë kundërefekte,  nuk do të ofronte zgjidhje, por  do të prodhonte  destablitet  dhe rrezikshmëri të lartë permanentë  në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat