Veli Tahiri tribun i paepur i bashkimit kombëtar

Opinione

Veli Tahiri tribun i paepur i bashkimit kombëtar

Nga: Skënder Zogaj Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 16:41
Veli Tahiri

Paslufta e dytë botërore dhe fitorja partizane, që idhte proklamuar si çlirimtare për të gjithë popujt, shqiptarëve jo vetëm që nuk ua solli lirinë e pritur, por ua vazhdoi vuajtjet edhe më keq së më parë.

Më së keqi e pësoi Kosova,që u aneksua nga Jugosllavia komuniste, e cila i ndoqi dhe i masakroi të gjitha mendjet e ndritura, burra e gratë që nuk u pajtuan me regjimin e ri dhe që kërkuan të drejtat e tyre legjitime në trojet etnike, të cilave u takonte bashkimi kombëtar.

Këtë të drejtë Jugosllavia komuniste jo vetëm që nuk e lejoi, por e dënoi me të gjitha format dhe mjetet, në mënyrë të programuar dhe sistematike,duke persekutuar e likuiduar patriotët më të shquar. Janë të paharrueshme masakrat antishqiptare që filluan në vitin 1945, më Masakrën e Tivarit, dhe me shpartallimin e luftëtarëve të Shaban Polluzhës, dhe u vazhduan me asionin e grumbullimit të tepricave, me heqjen e feregjeve, aksioni për grumbullimin e armëve dhe dhjetra aksione spastruese politike kundër "armiqëve klasor".

Këto spastrime ishin krejtësisht të shpifura nga strukturat e sigurimit të shtetit - UDB-a, e "OZNA" që pasi etiketonin të rrezikshmit, i ngarkonin me fajësi dhe i dënonin me burgime të rënda! Fushatat ishin tmerrësisht të egra veçmas pas viteve 1950, kur rrenegati hipokrit Aleksandar Rankoviç, duke i goditur intelektualët patriotë, synonte ngulfatjen e ndikim që ata kishin në masat e gjera të popullatës shqiptare.

Në këtë periudhë linçohet me qindra figura brilante të atdhetarisë dhe qëndresës kombëtare. Ndër ta është edhe flakadani prizrenas, njëri nga patriotët më shkëlqyes në rrezistencën aktive për bashkimin kombëtare, Veli Tahiri, tribun i lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH).

2. Veli Tahiri është lindur më 27 shtator 1924 në Prizren, në një familje të nderuar fisnike dhe antikomuniste, nga babai Asllan Topojani dhe nëna Nazlije Shala. Prizrenasit e mbajnë mend si Veli Asllani -Tahiri, për nga emri i babait, dërsa emri dhe mbiemri zyrtar është Veli Tahiralari. Veliu mësimet e fillores dhe gjimnazin ka kryer në Prizren ndërsa studimet universitare në fushën e ekonomisë i ka ndjekur në Nish, por i ka ndërpre për shkak të burgosjes.

Veli Tahiri është njëri nga filizët e hershëm të veprimtarisë kombëtare në kuadër të Komitetit Nacional Shqiptar për Shqipërinë Etnike të Lirë, e njohur si Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH).

Eshtë vetëm 21 vjeç kur lufta antifashiste ka përfunduar dhe sistemi komunist jugosllav ka vendosur pushtetin, por Veliu nuk pajtohet me regjimin që, e kishte shkelur marrëveshjen e Bujanit dhe Rezoluta e saj dhunshëm, nën presionin e armëve, e kishte refuzuar në Mbledhjen e Prizrenit!

Kjo tradhëti është e papranueshme prandaj, Veliu në vitin 1945 është shumë aktiv në rrethin e Prizren dhe në veri të Shqipërisë (zonën e Lumës), në organizimin e idealistëve që të mos bien pre e propagandës antishqiptare, por të ruajnë frymën atdhetare dhe të jenë unik për kundërshtimin e regjimi serb Jugosllav, sepse, shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët serbo sllavët dhe, nuk duhet të heqin dorë kurrë nga e drejta e tyre, për bashkimin e trojeve etnike.

Veliu trim dhe mendjendritur vepron përkrah liderit ushtarak dhe themeluesit të Komitetin Nacional në Prizren, Ali Riza Smani - ‘Kapetani’", të cilin e kishte kushëri të parë dhe i cili në vitin 1945 kishte gjetur strehuar në shtëpinë e familjes Tahiri , gjë që, Veliu ishte inspiruar fuqishëm nga patriotizmi dhe trimëria e "Kapetanit". Veliu rreshtohet përkrah tij dhe është një zë i fuqishëm në mobilizimin e shqiptarëve dhe përfshirjen e tyre në Komitetin Nacional. Kontributi i Veliut është i madh në shtrirjen e degëve në Prizren me rrethinë dhe në zonën e Lumës, nëpër të cilat deklarohet hapur përgatija e kryengritjes së armatosur.

Idealisti i brumosur me ndjenja të fuqishme liridashëse është i gatshëm për çdo sakrificë, dhe kryen detyra shumë të vështira e të rrezikshme, siç është përkrahje e vazhdueshme grupit ushtarak çlirimtar të Riza Kapetanit, që ndihmohet me pajisje ushtarake dhe ndihma në ushqim e veshëmbathje, që ua dërgon personalisht në male ku qëndronin luftëtarët.

Por jo vetëm kaq: Veliu Tahiri ka bashkëpunuar dhe përkrahur edhe grupin e parashutistëve shqiptar të themeluar nga Komiteti Nacional dega në Romë, të përgatitur enkas për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri.

Misioni nga Komiteti nacional i Prizenit është ndihmuar me informacione të rëndësishme për gatishmërinë e shqiptarëve në realizuarimin e programin e Komitetit Nacional për Shqipërinë, që ka qenë i ndërlidhur edhe me çështjen e çlirimit të Kosovës nga okupimi i Jugosllavisë.

Mirëpo, për shkak të spiunazhit, misioni i parashutistëve në Shqipëri dështon. E humb jetën edhe Riza Kapetani. Por, Veliu nuk ndalet. Vazhdon veprimtarinë duke u lidhur me patriotin Liman Peposhi, pjesëtar i Komitetit dhe i misionit të parashutistëve, i pari nga zona e Lumës, dhe tjetri Destan Billusha, nga Billusha e Prizrenit.

Rrethanat e veprimit janë shumë të vështira por, nuk mungojnë sukseset. Veliu në bashkëpunim me dy veprimtarë nga Rahoveci, Halit Durguti dhe Mustafa Rabiqi në vitin 1951, arrijnë të themelojnë edhe Komitetin Nacional në Rahovec.

Miëpo, nuk i mungon suksesi as shërbimi sekret ushtarak (OZNA), që heton veprimtarinë e tyre ilegale dhe më 1957 i arreston. * Veli Tahiri në kohën e arrestimit ishte Drejtor i ndërmarrjes “7 Korriku” në Prizren dh pikërisht në zyrën e tij arrestohet.

Po atë natë forcat policore bastisin edhe shtëpinë, ku gjejnë materiale për ta të ndaluara: himnin e Kongresit të Lushnjës, flamurin kuq e zi, disa broshura me vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe për pavarësinë gjysmake të Shqipërisë së 1912. Të mllefosur për për veprimtarinë e madhe atdhetare, rreth 20 muaj mbahet nën hetime të rënda torturuese në burgun e Rahovevit, e pastaj Gjykata Veli Tahirin (Tariralarin) e dënon me shtatë vjet burgim të rëndë, me akuzën për vperimtari armiqësore kundër shtetit të Jugosllavisë, me synimet e përmbysjes së rendit shtetëror dhe shoqëror të Jugosllavisë, sipas neni.117 dhe neni 105, të Ligjit Penal të Jugosllavisë.

Vuajtjen e dënimit e mbanë në burgun në Mitrovicën e Sremit, në Serbi, nga 1 korriku 1957 deri më 2 prill 1962. * Koha e vuajtjes së burgut është e përmasës drakonike, sepse, është nga të rrallët që, torturat i përballon burrërisht, duke mos i tradhëtuar shokët e idealit.

E në anën tjetër, më e rëndë se burgu për Veliun ishte vuajtja e familjes, sidomos e sakrifica e bashkëshortes Fadile, e cila mbetet në shtëpi me pesë fëmijë. Mirëpo, kjo nënë e madhe, në shembullin e burrneshave të traditës, i ruan dhe i rrit fëmijët e saj si është më së miri: të gjithë në rrugën e idealeve të babait të tyre.

Shyhrete Tahiri - Besimi, bashkëthemeluese e grupit të studentëve në demonstratat e vitit 1968 në Prizen; edukatore shembullore e shumë brezave dhe vazhdimisht e angazhuar deri në çlirimin e Kosovës më 1999; Edita Tahiri, njëra nga themelueset e LDK-s, dhe nga lideret kryesore të lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës; Myfide Tahiri Cecelia, kontribut dhënëse e guximshme në Prishtinë, gjatë gjithë periudhës së okupimit në Kosovës. Ky sukses familjar është sadisfaksion i madh për Veli Tahirin, i cili nga burgu në shtëpi kthehet me shëndet tepër të të dëmtuar nga torturat, dhe iu deshën shumë vjet që të rehabilitohet dhe gradualisht t'i kthehet jetës.

Por, vrragët e vuajtjeve të shumta kanë bërë të veten dhe, ia ndërpresin udhën kalorësit të atdhetarësë, Veli Asllan Tahiri (Tahiralari), i cili më 27 shtator 1987 mbyll sytë në Prizren, në moshën vjeçare 63 vjeçe.

Kalon në përjetësi duke lënë prapa shembullin e një atdhetari të devotshëm, që ka dhënë gjithçka për komb e atdhe, prandaj, është i përjetshëm në kujtesën historike dhe për qytetarët Prizrenit e më gjerë, që nga ky tribun i rrezistencës do të mësojnë si duhet dashur kombin dhe atdheun. Skënder Zogaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat