Lufta, padrejtësia më e madhe kundër njerëzimit

Opinione

Lufta, padrejtësia më e madhe kundër njerëzimit

Nga: Fatbardha Hasi Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 13:30
Autorja Fatbardha Hasi

Kush tha se ka luftë të drejtë?

Kur ndodhi apo kush e pa atë luftë të drejtë?

Nuk ka ndodhë as nuk ka për të ndodhë për sa kohë që dielli do të rrezoj mbi tokë, asnjë luftë e drejtë.

Kush tha që lufta ishte e pashmangshme dhe e vetmja zgjidhje?

E pashmangshme pse?

Zgjidhje për kë?

Luftërat udhëhiqen nga të lartit, dirigjohen nga të fuqishmit mirëpo ato bijën në kurrizin e klasës së mesme e të ulët. Mos më thuaj mua që s’ka më klasa, se ato nuk janë zhdukur as nuk kanë për tu zhdukur kurrë. Luftën e bën populli, pasojat i bartë populli. Vrasjet, vuajtjet dhe torturat shkojnë gjithmonë në dëm të popullit, i cili në shpëtoftë kur, “lufta konsiderohet e mbaruar”, prapë pasojat e pasluftës, tranzicionet, vala e dallavereve dhe intrigat e atyre lartë, atyre që nuk mundën të shmangnin luftën, do të bije mbi popullin. Luftohet në emër të popullit por nuk luftohet për të mirën e popullit.

Unë e kam përjetuar një luftë. Kam parë sytë e babës tim të shqyer tmerri për ne fëmijët që na kishte pjellë. Lufta e bëri të ndihej fajtor se pse ishte bërë baba. Si të ju siguronte mbrojtjen atyre që i kishte sjellë vet në jetë. Në luftë nuk ka mbrojtje për “askënd”, se njeriu është egërsuar kundër njeriut, e kur ky egërsim, njëri – njëri, ndodhë është më i pështirë se çdo lloj masakre që edhe kafsha e cila po ngordhë urie mund ta ushtroj kundër pres së saj.

Kam parë lotët në sytë e nënës sime kur mbi kokat tona fluturonin plumbat dhe copëza granatash e ajo s’kishte fuqi të na mbronte e të na krijonte sigurinë që ne me çdo kusht ia kërkonim, se veç te ajo kishim shpresë dhe besim. Eh, heroina nëna ime, të cilës në luftë ju zbeh trimëria.

Ku ishin në atë kohë familjet e krerëve udhëheqës të luftës. Në cilën luftë u vranë fëmijët e atyre që nxisin luftë dhe bëjnë thirrje se: për liri duhet derdhë gjak, se liria donë sakrificë dhe flijim.

A do të bëheshin gjithë këto luftëra sikur në ballë të luftës të vendoseshin fëmijët dhe familjet e pushtetarëve?

Më farë konvente, kushtetute a rregulloreje, ju privohet e drejta e largimit nga lufta atyre që nuk duan të marrin pjesë në luftë. Që nuk e duan luftën, që shumë thjeshtë nuk duan të bëhen vrasës duke ia privuar tjetrit të drejtën për jetë. Vetëm pse dikush atje lartë e do atë luftë, pse dikush që nuk e do detyrohet të bëhet vrasës? Vetëm për ambicie, për kërkesat e tyre të sëmura. Ani, edhe nëse ekzistojnë ato konventa, ose ajo kushtetutë që e ndalon këtë gjë, largimin e burrave nga lufta, shtrohet pyetja nga kush janë hartuar dhe aprovuar ato konventa? Nga populli jo se jo.

Lufta nuk është zgjidhje, lufta është e liga më e tmerrshme që njeriu me mendje dhe intelegjencë më të sofistikuar ka arritur të shpikë. Si është e mundur edhe në këtë kohë kur gjithçka, ama bash gjithçka, është e mundur të krijohet dhe realizohet, të mos ketë një zgjidhje paqësorë në vend të luftës, të mos gjinden kurat e shumë sëmundjeve që njerëzimin e shpinë në vuajtje dhe mjerim të skajshëm. Si është e mundur që njëra pjesë e botës, vuan nga obeziteti dhe ushqimet e tepruara, kurse pjesa tjetër vdesin urie..., edhe sa si e si të tjera i shtrohen vargut të pyetjeve të tilla.

Të gjitha këto pyetje kanë përgjigje të cilat shumë kush nga ne i dimë, po çka na duhet përgjigja kur na mungon forca që të bëjmë ndryshimin. Nuk ka ndryshuar asgjë nga e kaluara historike, nga koha e faraonëve, perandorëve dhe diktatorëve, janë të njëjtat pushtete, ta njëjtat politika vetëm se tash praktikohen në mënyrë të maskuar, desha të them të moderuar.

Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë – Jefferson.

Sa me vend kjo thënia e Jefferson – it e që kush nuk ia vuri veshin. As unë nuk dua të shohë kurrë më një tjetër luftë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat