Nesër përkujtimi për bashkëluftëtarët tonë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Opinione

Nesër përkujtimi për bashkëluftëtarët tonë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Milazim Maraj Nga Milazim Maraj Më 23 nëntor 2023 Në ora: 11:18
Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj

Në përvjetorin e” Alfabetit të gjuhës shqipe” përkujtuam bashkëluftëtarin tonë, oficerin e policisë Arben Sejdiu. Pra për shqiptaret ende nuk ka vetëm festë. Gati çdo festë apo para feste përcillet me përkujtim të dhimbshëm. Çdo festë kombëtare shqiptare është paguar shtrenjtë, me gjakun dhe jetën e më të mirëve të këtij kombi fisnik, të lashtë dhe të kulturuar. Këtij kombi që botën e furnizoj me kulturë dhe civilizim ndërsa vet ende vuan. Duket që ka detyrë të shenjtë të i rregullojë të tjerët para vetes.

Lufta përfundoi në vitin 1999, por tani më kujtohet një fjalë e Heroit të kombit Agim Ramadani (Katana)” Sa të përfundojmë këtë luftë do të fillojmë një luftë tjetër por ndoshta me mjete tjera dhe arme tjera” ja pra kjo lufta që të vrasin dhe nuk ke kënd ta vrasësh. Kur të vrasin dhe ti nuk di nga kush të mbrohesh. A është kjo lufta e pa dukshme kur dreqi futet në trupin e njeriut ose thënë më shkurt kur armiku i shqiptarit futet në kokën e shpërlarë te shqiptarit dhe e bënë shqiptarin të vetëvritet. Ky armik përkthehet nga serbishtja apo arabishtja, njësoj por si virus i një pandemie antishqiptare vret shqiptarë, pa mëshirshëm dhe kjo vrasje vazhdon të jetë në progresion. Nesër do të kujtojmë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj. Dy luftëtarë, që deponuan jetën për lirinë e atdheut.

Pas përfundimit të luftës edhe njëherë vuan jetën e vet në dispozicion të sigurisë së popullit të vet. U vranë nga një dorë e zezë, kriminale por që për çudi shteti i Kosovës e mbanë të fshehur emrin e kriminelëve. Nuk i gjënë, nuk i dënon ndërsa të rënët i shpallë heroi të Kosovës. Paradoks që nuk kapërdihet! Ai që shpall heroin; nuk e gjen kriminelin që e vrau heroin. Për të fshehur këto krime u vodhën zyrat e dëshmive. Tani u dogjën edhe shënimet tjera në ILM. Prapë nuk dihet autori i krimit. Sebahati dhe Isufi u vranë ditën, por kriminelet nuk u gjetën!?. Zyrat e dëshmive u vodhën por hajnat nuk u gjetën!? ILM u dogje ditën por krimineli nuk u gjet!? Ku është ky autor? Ku fshihet, apo është në trurin tonë , e nga këtu nuk dimë si ta nxjerrim. Numri i nxënësve në shkolla po bije. Që ndoshta shkolla do ta bënte këtë mrekulli. Numri i xhamive për të strehuar dreqin mirë e më mirë po rritet dhe për këtë thuhet se kemi pas shumë nevojë. Mbretëron heshtja ogurzezë. Heshtë shteti jonë. Heshtje kobi! Urojmë dhe shpresojmë për këndellje kombëtare shqiptare.

Besojmë edhe më tutje në potencialin intelektual që heshtë. Heshtja e intelektualit është si ari në minierë, është pasuri por nuk sjell dobi. Deri kur do të ndodhë kjo heshtje? A kemi ende kohë? Nëse Koha është ari; ne pra po humbim arin që e kemi dhe po nuk po e shfrytëzojmë atë që mundemi. Kush do të i bëjë këto për neve? Ata që nuk na duan? Ata që mundohen të na vejnë në gjumë si shumë shekuj më parë? Apo po presim që të ngritën nga dheu Sebahati, Isufi dhe Arbeni dhe të i zbulojnë kriminelet që vranë ajkën tonë shqiptare? Zgjohuni shqiptar thërriste dikur i madhi Vaso Pashk Shkodrani. Kjo thirrje tingëllon arsyeshëm edhe sot. Nesër vetëm tre ditë para festes tonë të madhe 28. Nëntori do të kujtojmë të rënët tonë të pas luftës. Përsëri do të lutemi, kërkojmë, që kriminelet të sillën para drejtësisë. Të ngrihemi nga ky gjumë i tmerrshëm, nëse duam që ta bëjmë festën festë! Ku do të numëronim të arriturat tona në vend që të i numërojmë viktimat tona. Lavdi Heronjve tonë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj! I përjetshëm kujtimi për Heronjtë tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat