Vrasësit e Xhemail Mustafës nuk do ta takojnë kurrë atë! Ata i takojnë ferrit!

Opinione

Vrasësit e Xhemail Mustafës nuk do ta takojnë kurrë atë! Ata i takojnë ferrit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 23 nëntor 2023 Në ora: 15:28
Xhemail Mustafa, këshilltari i vrarë i presidentit Rugova

Sot është 23 vjetori i rënies së dëshmorit të Xhemail Mustafa. Ishte dita e 23 Nëntorit 2000, kur shkrimtari, krijuesi, njeriu i përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai që gjendej gjithnjë në krahun e djathtë të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, pra kur Xhemajl Mustafa i urtë, i sjellshëm, i qetë, i patrazuar asnjëherë, u qëllua nga një dorë krimineli afër shtëpisë së tij në Prishtinë.  

Po atë ditë forcat e errësirës së nxirë më patën marrë peng në mes të Tiranës, aty te busti i të emblemës Osman Kazazi. E përmenda këtë ngjarje për të shënuar faktin se ishte e njëjta dorë mizori, që udhëhiqte me urrejtje kundër shqiptarëve kreu i SHIK-ut shqiptar, Fatos Klosi. A ishte zgjat dora e Klosit deri te oborri i shtëpisë së Xhemajl Mustafës?! A ishte vrasësi së paku njeri i shkollës dhe doktrinës së kriminelëve të formatit të Fatos Klosit?! A ishte urdhër-dhënësi dhe dorasi pjesë e strukturave të SHUK-ut të Kosovës të krijuar nga SHIK-u i Shqipërisë?! Për mua nuk ka asnjë dyshim se po! 

Janë shumë pyetje dhe shumë enigma, të cilat nuk kanë marrë përgjigje në këto 23 vite. Prandaj dhe shqiptarët në Kosovë nuk shfaqën anë kur në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë u morën disa krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dilemën nëse ata shkuan në Hagë pse luftuan për çlirimin e Kosovës, apo se vranë kundërshtarët politikë duhet ta zgjidhë kjo gjykatë. Derisa ata që shkuan në Hagë ishin në pushtet nga koha e atentatit që iu bë Xhejmal Mustafës e deri para tri vitesh dhe nuk bënë asgjë për zbardhjen e vrasjes makabre dhe mizore, atëherë dikush duhet ta ndriçojë këtë rast. Dhe kush tjetër, pos kësaj gjykate? 

Xhemail Mustafën e kam njohur nga afër. Ai nuk i kishte borxh askujt. Nuk konfliktohej kurrë më ndonjë person. Nuk shau dhe nuk ofendoi asnjëherë askënd, madje as armikun. Nuk e lëshoi as fjalën e keqe plumb për kurrkënd në botë. Nuk iu kundërvu askujt në ambiciet e tij për të zhvilluar jetën e tij. Nuk u bë pengesë për asnjë njeri në iniciativën e lirë, qoftë dhe në krijimtari. Nuk qe asnjëherë xheloz për sukseset e kolegëve të tij. Nuk u bë kurrë pengesë për zhvillimin e ideve politike dhe krijimtarisë artistike e estetike. Nuk qe përçarës, as nuk e pëlqente kurrë përçarjen. Ishte përbashkues në qëllime dhe në formën e organizimit dhe sidomos qëndresës ndaj agresorëve serbë në Kosovë. 

Xhemajl Mustafa ishte patriot modern. Siç ishte dhe ai, të cilin e këshillonte, presidenti historik, Ibrahim Rugova. Por Xhemail Mustafa ia vriste sytë injorancës. E bëri injorancën të flasë me veten e saj. Të bëhej xheloze. Një ditë prej ditësh injoranca i tha vetes: - Pse ky këshilltari i Rugovës dhe shkrimtari Xhemail Mustafa do të duhet të shkëlqejë me urtësinë dhe maturinë e tij, ndërsa unë të mos kem vend në opinionin publik?! Pse unë, injoranti, duhet të jem në hije dhe ai, Xhemaili, të qëndrojë çdo të premte në krah të njeriut që unë e urrej, pra në krah të Rugovës?!  

Dhe injoranca vendosi të lajë hesapet. Ta eliminojë fizikisht legjendën që kurrë nuk tha në publik për të dëshmuar se ishte legjendë. Injoranca kishte forcë e kishte armë. Ushqehej me vrasës. Rrethohej prej tyre. Nuk e kishte për gjë të përdorte plumbat kundër një njeriu që ndoshta nuk kishte parë kurrë me sy armë dhe plumba! Plumbi  dhe arma e tij ishte fjala, mendimi, ideja, logjika, bashkimi, racionaliteti, qëndresa në kullën e drejtësisë.  

Ai që nuk dinte as ta përdorte armën e zjarrit nuk e kishte shkuar ndërmend se aty afër oborrit të shtëpisë së tij do zbrazej një armë automatike kundër tij. Ndërsa vrasësi edhe sot e kësaj dite fshihet. Në fakt Xhemail Mustafa jetoi dhe do të jetojë me shekuj. Ndërsa vrasësi i tij është i vdekur prej atij momenti. Ai mund të ketë bërë para pafund. Mund të shëtis vendet më ekzotike të botës. Mund të frekuentojë baret dhe diskotekat, kazinotë dhe resortet më luksoze. Urdhërdhënësi për vrasjen e tij mund të jetë në bankën e të akuzuarve në Hagë. Por as ky i fundit, as dorasi nuk bëhen Xhemail Mustafës. Nuk ishin të tillë, prandaj e eliminuan atë. Ndërkohë nuk bëhen si ai, sepse janë vrasës. Vrasësit e Xhemajl Mustafës nuk do të takohen kurrë me viktimën e tyre, sepse ata e kanë vendin në ferr! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat