U uroj goditje shkatërruese nga rrufeja qeverive bandite nga mbarë bota

Opinione

U uroj goditje shkatërruese nga rrufeja qeverive bandite nga mbarë bota

Nga: Lirim Gashi Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 15:21
Lirim Gashi

Çdo qeveri e re ka të drejtë të gëzojë mbrojtjen e popullit për një kohë të shkurtër, ashtu siç klyshi i vogël ka të drejtë të gëzojë mbrojtjen e nënës së tij derisa të rritet pak, në mënyrë që të ketë kohë të provojë aftësitë e tij.

Në këtë rast, Kryeministri është përgjegjës për organizimin, metodologjinë dhe koordinimin e ministrive të ndryshme.

Edhe më saktë :

Ai është përgjegjës për lehtësimin e realizimit të premtimeve zgjedhore që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe që rrisin sigurinë e shtetit nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme.

Kjo periudhë e mbrojtjes së klyshit të vogël nga nëna e tij përfundon pas gjashtë muajsh në situata normale dhe pas një viti në situata të jashtëzakonshme.

Pas kësaj periudhe, çdo qeveri duhet të japë rezultate konkrete, përndryshe nuk meriton as paratë e taksapaguesve dhe as besimin e votuesve.

Nëse nuk japin rezultate konkrete, ato duhet ta ndjejnë shkarkimin e pakënaqësisë së popujve si çatitë e shtëpive të pambrojtura forcën shkatërruese të rrufesë.

Dhe kështu ato duhet të shemben, si shtëpitë prej kartoni, nga të njëjtët popuj që i kanë zgjedhur.

Kjo është pikërisht ajo që i uroj çdo qeverie kriminale në mbarë botën.

Uroj që ato të goditen nga rrufeja shkatërruese dhe të shemben si shtëpitë prej kartoni.

Sepse vetëm në këtë mënyrë popujt mund të ndalojnë së thithuri ajrin helmues të marrëzisë dhe të freskojnë e rinovojnë trurin e tyre me qeliza të shëndetshme që do t'i ndihmojnë atyre të gjykojnë më qartë, më drejtë dhe më paqësisht.

“Nga rrënojat e politikës së keqe ndërkombëtare duhet të dalë diçka e re, më e mirë, më e vlefshme, më e dobishme, më humane, më e drejtë, më interesante, më e larmishme, më paqësore, më freskuese dhe më balancuese për mendjen dhe trupin.”

Kjo ishte motoja e të gjitha figurave më të shquara dhe më me ndikim në historinë e njerëzimit, të cilëve duhet t'u jemi mirënjohës për të gjitha arritjet e vlefshme dhe domethënëse që humanizuan dhe pasuruan jetën e njerëzve.

Për herë të parë në historinë njerëzore, rrota e historisë është përplasur aq fort për muri, saqë askund në botë nuk mund të shihet apo të dëgjohet një individ i vetëm i pushtetshëm, që u ofron njerëzve siguri dhe shpresë të vërtetë.

Çdo brez në botë i ka zbatuar idetë e tij për jetën në mënyra të ndryshme kreative dhe më pak kreative, përveç këtij brezi.

Dhe pse ?

Sepse ky është një brez robotësh që nuk e di se si funksionon jeta reale në natyrë dhe sa freski, forcë dhe energji jep.

Është brezi i smartfonëve që jeton në një botë vizuale, por që ka gjasa shumë reale të përjetojë shkatërrimin si kurrë më parë.

Sepse kurrë nuk kanë jetuar më shumë njerëz në botë se sa sot dhe kurrë nuk ka pasur kaq shumë bomba atomike.

Në të njëjtën kohë kurrë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur kaq pak mendje të zgjuara, të qeta dhe të ekuilibruara në pushtetet politike dhe ushtarake të superfuqive, që mund të kontrollojnë trurin dhe trupin e tyre.

Dhe nuk dua të tingëlloj arrogant nëse them se i kam parashikuar të gjitha këto ngjarje tmerri nga analizat e ndryshme që kam bërë dhe nga informacionet shqetësuese që kam mbledhur.

Dhe për mua nuk ka asnjë dyshim se ku qëndrojnë shkaqet kryesore:

Shkaqet rrënjësore qëndrojnë në lakminë e pangopur të individëve të pushtetshëm që kanë krijuar aq shumë pasuri personale në format kriminale më kreative, më novatore dhe më legjitime, saqë kanë filluar të besojnë se janë perënditë në tokë.

Dhe kush u dha atyre kaq shumë legjitimitet politik?

Vetë popujt .

Këta njerëz tani kontrollojnë qendrat e fuqisë më të madhe politike, financiare, ekonomike, industriale, shëndetësore, tregtare, fetare dhe ushtarake në botë dhe kanë ndikuar aq negativisht jo vetëm në ndotjen e natyrës, por edhe në mantrën, ndjenjat, forcën e brendshme dhe botëkuptimet e njerëzve, saqë ata nuk gjejnë më forcë për të mbrojtur vetveten.

E vërteta godet fort, por mosnjohja dhe injorimi i saj ka fuqi vrasëse.

Për fat të mirë, cilësia e së vërtetës varet nga kontributi ynë.

Fatkeqësisht, kontributi ynë konkret për të ëmbëlsuar të vërtetën e hidhur është pothuajse zero.

Kështu që keqardhja jonë e vazhdueshme për veten tonë, se të tjerët po na pengojnë gjithmonë të bëhemi më të mirë se sa që jemi, po m'i shqetëson shumë nervat.

Është sikur Linda Morina të na thoshte:

Do të isha më e zgjuar se Albert Ajnshtajni nëse do ta kisha trurin e tij.

Ose, do të kisha shumë më tepër sukses karrierist në politikë se sa Hashim Thaçi, nëse do të kisha gënjyer, vjedhur dhe tradhtuar sa Edi Rama.

Ne nuk duhet të jemi patjetër më të mirët në fushat tona specifike, për të qenë më të suksesshëm dhe për të ëmbëlsuar të vërtetën e hidhur me ëmbëlsirat tona personale.

Mjafton të mos bëhemi gënjeshtarë, mashtrues, cinikë, hipokritë, lakmitarë dhe të pandershëm më shumë sesa që duhet dhe më ambicioz se sa që e meritojmë.

Sepse vetëm duke kuptuar vlerën tonë vërtetë ne mund t'i korrigjojmë të metat tona dhe të zhvillojmë virtyte të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat