Kriza buxhetore, sfidë për mbijetesën e koalicionit qeveritar në Gjermani

Opinione

Kriza buxhetore, sfidë për mbijetesën e koalicionit qeveritar në Gjermani

Nga: Sherif Ramabaja Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 11:22
Sherif Ramabaja

Koalicioni qeveritar SPD, (Sozialdemokratët) Të Gjelbrit (Ekologjik) dhe FDP (Liberalët) në Gjermani ndodhen në një krizë serioze, që rrugëdaljen askush nuk mund ta prognozoi.

Një krizë e tillë për shtetet e tjera ndoshta do të krahasohej me një katastrofë pa rrugëdalje, por kur është në pyetje shteti gjerman, pa një tronditje të madhe ata gjithmonë e gjejnë një shteg drejt stabilizimit dhe këndelljes.

Kriza është shfaqur këto ditë kur opozita kishte bërë kërkesë në kushtetuese që të shqyrtohet buxheti shtetëror i qeverisë, i paraparë për investimet ekonomike dhe klimatike.

 Fjala është për 60 miliardët e diskutueshëm që ishin planifikuar si ndihmë nga fondi shtetëror të parapara për përballimin e pandemisë së Coronës. Pra koalicioni qeveritar këto 60 miliardë i kishte llogaritur për shfrytëzim në projekte zhvillimore dhe klimatike: në ngjalljen ekonomike, investime, por edhe në mbrojtjen e klimës.

Kushtetuesja shtetërore pasi e kishte shqyrtuar kërkesën e opozitës merr vendim që fondi prej 60 miliardësh i paraparë për luftën kundër pandemisë së Coronës, nuk mund të përdoret për projekte të tjera.

 Pra në këtë mënyrë pa pritur u shkaktua një krizë e koalicionit qeveritar, që askush momentalisht nuk din se si do të dilet nga kjo situatë enigmatike.

Partitë e koalicionit, pas shkaktimit të këtij tërmeti politik, kanë dal me propozime të ndryshme për shkurtimin e projekteve të ndryshme, sidomos të çështjeve sociale, në mënyrë që të kurseheshin 60 miliardët të cilët tash mungojnë. Në të vërtetë grindjet mes partive të koalicionit për shkurtimet financiare, të cilat vetë i kanë propozuar dhe idetë për një zgjidhje, po e komplikojnë situatën.

Nëse nuk arrijnë që të pajtohen dhe të gjejnë një zgjidhje, ekziston mundësia që shumë lehtë edhe ta prishin bashkëqeverisjen dhe të shkohet në zgjedhje të reja. Mundësi për gjetjen e një rrugëdalje do të ishte edhe pajtimi i opozitës për aprovimin e burimeve të ndryshme financiare, por ata i kanë po ashtu edhe kushtëzimet e veta që lidhen me shkurtimin e ndihmave financiare për të papunët dhe programet e ndryshme sociale, që për koalicionin qeveritar do të ishte një goditje e madhe, ngase me mund kanë punuar në harmonizimin e programit qeveritar, kurse tash të anulojnë pjesë të tij !

 Një sfidë e madhe është se Gjermania lufton në ruajtjen e prestigjit si shtet i fuqishëm me një ekonomi po ashtu konkurruese në tregun botëror. Pra shtrohet pyetja: si do të gjej zgjidhje koalicioni qeveritar që ta ruaj hapin e zhvillimit dhe investimit i cili do të ishte edhe jetik për vetë shtetin, por edh për tërë Evropën?

Sidoqoftë gjermanët llogariten pragmatik. Pa marr parasysh vështirësitë, në bazë të rregullave ligjore kërkojnë edhe zgjidhje, pa pasur nevojë që në parlament të organizojnë turne boksi, apo të përdorin tym e flakë, siç ngjan në Kosovë dhe Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat