Vuçiq ose presidenti i maskave serbe!

Opinione

Vuçiq ose presidenti i maskave serbe!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 27 nëntor 2023 Në ora: 16:25
Aleksandar Vuçiq

Aleksandër Vuçiq , sa herë dëshiron të mashtrojë diplomatët miopë të perëndimit, thotë se “Ka javë e muaj të vështirë” për vendin e tij! Dhe vazhdon e tjerr fantazitë e tij me kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve për Kosovën. Herë thotë se “po na kërkojnë njohjen e Kosovës”! E më pas zotohet solemnisht se “nuk do ta njohë kurrë”! Herë shprehet se po më kërkojnë pranimin e Kosovës në OKB dhe sërishmi thotë se kjo nuk mund të ndodhë. Herë tjetër i shtohen dhimbjet në dorën e djathtë për të mos njohur de facto shtetësinë e Kosovës.

Ndërkaq vazhdon të blejë armatim kudo ku ai mundet, prej Kinës e Moskës e deri në Paris. Vazhdon dhe mban shumë qendra spiunazhi të Rusisë në vendin e tij. Edhe qendrën e rekrutimit dhe trajnimit paraushtarak e të spiunimit në Nish. Dhe krahas kësaj, pavarësisht vërejtjeve të NATO-s, vazhdon të fortifikojë me ushtri e paraushtarakë kufirin me Kosovën. E si të mos mjaftonte kjo, ka dërguar sërishmi terroristin Radoiçiç në Rashkë për të riorganizuar grupet terroriste të serbëve, me qëllim hyrjen ilegale në veri të Kosovës dhe destabilizimin e saj.

Është kjo strategji mashtrimi që presidentin e Serbisë e ka mbajtur në pushtet, pavarësisht lidhjeve të tij me kriminelë dhe terroristë të provuar të Serbisë. Është strategjia e krijimit të një perceptimi, sikur ai gjoja e dëshiron kthesën serbe drejt perëndimit, dhe është pikërisht kjo që e bën zotin Vuçiq të përkëdhelurin e Perëndimit. Pas Banjskës disa kanë filluar të reagojnë objektivisht për këtë strategji mashtrimi të tij. Por ende ka plot të tjerë politikanë e diplomatë në kancelaritë e Perëndimit që i besojnë kreut të shtetit serb. Dhe jo vetëm kaq. Edhe e përkrahin e përpiqen ta ndihmojnë në strategjinë e tij të intrigës me kufij, territore dhe ekstra - territore.

Aleksandër Vuçiq është në fakt ai që ishte para 24 viteve, militanti më i zellshëm i politikës së Milosheviçit. Është lideri serb që nuk e kritikon kasapin e Ballkanit për krimet dhe gjenocidin serb në Bosnjë e në Kosovë, por e qorton atë pse nuk mundi t’i shfarosë shqiptarët dhe myslimanet boshnjakë. Është lideri, që ndërsa josh diplomatët perëndimorë, mban lidhje të ngushta me Rusinë e Vladimir Putin. Është politikani që ushqen, njësoj si edhe Milosheviçi, idenë nacionaliste të Serbisë së Madhe, madje duke u mburrur se këtë do ta realizojë “me mjete tjera, përmes paqes”!

Presidenti i Serbisë po përdor të gjitha instrumentet e dhunës dhe propagandës për realizimin e Serbisë së Madhe. Mban nën fre dhe kontrollon mediet! I ka shndërruar kishat dhe manastiret në depo armësh për t’i përdorur kundër popujve të tjerë. Ndërsa kryetarin e partisë e së tij e ka vendosur në krye të ushtrisë! Ai kontrollon me fanatizëm dhe kokëfortësi bandat kriminale “patriotike” për interesin e tij të pushtetit dhe lavdisë së rikthimit të hegjemonisë serbe në Ballkan.

Ai e di se asgjë nga këto objektiva dhe instrumente nuk vlejnë pa përkrahjen e pakursyer të Moskës dhe presidentit rus, Vladimir Putin. E megjithatë tall trapin me diplomatët perëndimorë, të cilët sa të zgjuar, janë dhe aq naivë. Ndoshta edhe se e matin ndërgjegjen e Aleksandër Vuçiq me të tyren. Ndoshta edhe se duan të “shënojnë suksese” për karrierën e tyre. Dhe ndoshta edhe se janë të korruptuar! Prandaj dhe të besosh se ish-ministri i propagandës së diktatorit nacional-komunist Milosheviç, pra të besosh se Aleksandër Vuçiq është engjëlli, do të thotë t’i hapësh rrugën de stabilizimit të Ballkanit dhe të Evropës.

Në të gjithë këtë perceptim të gabuar perëndimor të dekadës së fundit kanë rol të caktuar liderët politikë, analistët, mediet dhe portalet shqiptare. Madje edhe konspiracionistët, qe me ose pa dashje ka raste që bëjnë të njëjtën gjë, sidomos kur predikojnë se zgjidhjet për Kosovën do të jenë sipas oreksit të Serbisë së Madhe!

Megjithatë Aleksandër Vuçiq nuk mund të shndërrohet në engjëll, sa kohë që kryen funksionet e djallit. Djalli fshihet në çdo fjalë që ai thotë, në çdo mendim që jep. Djallëzia e presidentit serb shkon deri aty sa kur ai dhunon dhe masakron popujt e tjerë, sidomos shqiptarët, përpiqet që edhe në këtë rast të luajë viktimën. “Jo, jo! Albin Kurti, thotë ai, po bën spastrim etnik të serbëve në Kosovë”! Edhe pse e di se kjo është një gënjeshtër e madhe dhe e pastër. Edhe pse asnjëherë nuk ka folur për dëbimin e një milionë shqiptarëve në dy muaj gjatë pranverës së vitit 1999, kur ishte në pushtet! Edhe pse asokohe shkaktoi 15 mijë viktima përmes masakrave kundër shqiptarëve dhe ushtarët e policët e tij përdhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra shqiptare!

Këtij djalli i besojnë sa e sa shqiptarë shpirt-shitur! I besojnë edhe sa e sa diplomatë të huaj! Por është turp që rrenat e Serbisë të shiten e shkojnë në shekullin e internetit dhe të teknologjisë moderne të sotme, sikur shiteshin e shkonin në fillimin e shekullit të XX!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat