Shpallja e Pavarësisë, vepër mbarëkombëtare e jo krahinore e personale!

Opinione

Shpallja e Pavarësisë, vepër mbarëkombëtare e jo krahinore e personale!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 16:52
Xhevat Mustafa

Është për t’u theksuar për vërtetësi historike dhe faktike se rruga për shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë është hapur nga kryengritjet antiturke në Kosovë, me figura qendrore Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin dhe në Shqipërinë e Veriut dhe atë qendrore, përfshirë edhe ato në Shkup, Manastir, Tetovë, me prijës më të njohur Dervish Himën. Por, ndihmesë modeste, të paharrueshme e të dokumentuar kanë dhënë edhe çetat e Çerçiz dhe Bajo Topullit në Gjirokastër; të Mihal Gramenos e Spiro Bellkamenit në Korçë..., duke i shqetësuar jo pak forcat pushtuese turke dhe autoritetin e tyre administrativ në Shqipërinë e Jugut dhe atë Juglindore...Por, nuk mund të harrohet dhe anashkalohet edhe ekzistenca dhe rezistenca antiturke e rreth 49 çetave në krahinat e Fierit, të Beratit, Skraparit..., me kulm Kuvendin e tyre të datës 23 korrik të vitit 1912, në Sinjë, në jug të malit të Shpiragut. Këtu drejtuesit e këtyre çetave hartuan një memorandum autonomist prej 12 pikash, i cili ishte i ngjashëm me “Librin e kuq”, apo, siç quhej ndryshe, Memorandumi Greçës i vitit 1911. Po kështu pati lëvizje dhe grupe kryengritëse edhe në Himarë, sidomos në Nivicë e Bubar..., e tj.! Ndërsa në Vlorë në ato vite, duke mos mohuar ekzistencën dhe luftimet kundër forcave turke të çetës së Tragjasit, nuk mund të flitej për qëndresë të organizuar kundër trupave turke, me kryengritje masive si në Kosovë dhe krahinat e Shqipërisë së Veriut dhe si në Gjirokastër e Korçë me çeta me luftëtarë të shumtë...Një dëshirë, zgjedhje apo preferencë personale dhe krahinore si dhe koniunktura e dyndjes në Shqipëri edhe të ushtrive serbe dhe greke, me nisjen e Luftës së Parë Botërore, favorizuan Vlorën për aktin final të shpalljes së Pavarësisë! Qysh nga dt.25- 27 nëntor 1912 janë të dokumentuara edhe në media dhe arkiva se akte lokale të Shpalljes së Pavarësisë ka pasur në Elbasan, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Lushnje, Fier...! Nejse, mbetën si përfundimtarë dhe zyrtarë 28 nëntori dhe Vlora, por nuk është e saktë dhe e drejtë të mendohet se Pavarësinë e kemi dhuratë nga Ismail Qemali dhe Vlora e tij. Pavarësia ishte dhe është vepër mbarëkombëtare, për nga përpjekjet, sakrificat dhe martirët! Por, edhe për nga mbështetja financiare në flori...Dihet se Ismail Qemali nuk e bëri udhëtimin e gjatë nëpër disa vende, deri sa zbriti në Durrës dhe arriti në Vlorë, vetëm me florinjtë e vet. Atij iu dhanë nga Klubet Patriotike Shqiptare dhe atdhetarë të pasur individualisht në Stamboll, Sofie, Bukuresht, Vienë, Trieste..., flori pa kursim për rrugë dhe për Shpalljen e Pavarësisë. Njëherazi, edhe pa e përcaktuar Vlorën si qytetin e parë e të vetëm, qysh kur e përcollën në nisje të rrugës për në Shqipëri. Mbeti Vlora, duke u mbivlerësuar pushtimi austro- hungarez dhe marshimi drejt Durrësit i ushtrisë serbe dhe duke u nënvleftësuar pushtimi italian dhe rreziku i pushtimit grek në Vlorë...!?

Për t’u bindur se çfarë masakrash janë bërë mbi të vërtetën historike nga Enver Hoxha dhe historianët e tij “kukulla”, të vdekur e të gjallë, ndihmon edhe kjo përmbledhje telegramesh diplomatike, informacione gazetash shqiptare e të huaja si dhe librash historikë...nga publicisti, studiuesi, diplomati i shquar, ambasador Shaban Murati, lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 27 Nëntor 1912 në qytetin e Durrësit.

1-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme: Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6501, Tel.nr.152

Natën mes 26 dhe 27 (viti 1912),tre krerë (pari) më dorëzuan mua,një dokument, (Një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e sukseshme të DEKLARATËS SË PAVARËSISË SHQIPERISE..! Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm. Mitropoliti zvarrit ta njohë “QEVERINË E PËRKOHSHME”. Paria e vendit u doli serbëve përpara,mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.

2-Gazeta britanike “Daily Telegraph” 27.11. 1912: Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912 dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.

Gazeta austriake “Wiener Bilder” datë 1.12.1912: Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. (Nga libri “”Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare” i historianit Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq.340-399)

“Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”. -(Prof.Dr. Eqrem M.Zenelaj, “Diplomacia e Ismail Kemal Be Vlorës”, Prishtinë, 2013, fq.325).

Për Shpalljen e Pavarësisë në Durrës njoftohen po atë ditë me telegram shumë qytete të Shqipërisë dhe teksti i telegramit është ky: “Ju njoftojmë lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e Shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë. Ju bëjmë të ditur se nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ja kemi paraqitur Konsullatës Austriake, tjetrën Konsullatës Frënge e të tretën kopje Konsullatës Austriake si zëvëndëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. (“Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”. Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të RPSSH, Tiranë, 1963, fq.28.)...”. Përballë një strategjie të përvitshme demagogjie dhe hipokrizie, që shikohet dhe kuptohet në veprimtaritë festive për 28 Nëntorin mbarë kombëtar, duke i shfrytëzuar për reklama partiake, qeveritare, krahinore apo individuale, nuk mund të përmbaj revoltimin nga përbrenda vetes e në këtë shkrim, kur shikoj se ata që "e kanë shitur" PAVARËSINË si mall tregu dhe e kanë si maskë dhe fasadë, vetëreklamohen si "engjëj mbrojtës " të saj!? Kjo praktikë abuzive u vu re, ku në doza më të forta e ku më të dobëta, edhe në veprimtaritë festive të sotme në Tiranë dhe Vlorë! Megjithatë: sot duhet t’i lëmë debatet, rezervat, dyshimet e t’u shprehim RESPEKT dhe MIRËNJOHJE të gjithë atyre BURRAVE SHQIPTARË, që me kryengritje, me armë dhe gjak; si dhe me diplomaci, arsim dhe kulturë..., i hapën rrugën Aktit HISTORIK të 28 NËNTORIT 1912. Edhe atyre ATDHETARËVE, që nga Enveri dhe diktatura e tij u shpallën padrejtësisht ose jo të pranishëm në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, duke u hequr arbitrarisht apo enverisht nga fotografitë, librat, filmat dokumentarë e artistik; ose u damkosën arbitrarisht si “armiq”...individualisht dhe familjarisht, për mbi 45 vjet...! Të gjithë ata që luftuan me armë, me libra dhe kulturë, rrezikuan dhe sakrifikuan jo pak për këtë DITË HISTORIKE të SHQIPTARISË dhe prandaj meritojnë përjetësisht RESPEKT dhe MIRËNJOHJE! GËZUAR DITA E FLAMURIT DHE E PAVARËSISË për të gjithë ata dhe ato, që me zemra, vepra, sakrifica..., ndjehen dhe janë SHQIPTARË!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat