Paradokset shqiptare dhe jeta vazhdon

Opinione

Paradokset shqiptare dhe jeta vazhdon

Nga: Ilir Levonja Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 17:16
Ilir Levonja

Në vitin 1992 doli në qarkullim një libër me titull ''Refleksione'', autorë Edi Rama dhe Ardian Klosi. Disa nga idetë e hedhura në libër për Partinë e Punës apo Socialiste, dëshmorët e atdheut apo Luftën Nacional Çlirimtare etj., u pritën mirë nga pjesa progresiste.

Dhe hiç fare mirë nga pardesytë bezhë apo kostumet jeshile të ish nomeklaturës. Kjo edhe për ironi të fatit pasi autorët vinin nga familje që kishin kontribut të madh në instalimin e diktaturës dhe luftës së ashpër të klasave, apo armikut të popullit. Kjo ka qënë lufta me viktima gati të dyfishuara nga ajo karshi Italisë fashiste apo Gjermanisë naziste, megjithatë askush nuk ka marrë përgjegjësi, apo sikur edhe një i vetëm nëpunës i lartë i kohës të jetë dënuar.

Për më tepër dhe si për ironi të fatit tonë, thuajse peshën më të madhe të emigrimit të djemve tanë, e mban po kjo Itali dhe po kjo Gjermani. Dhe po për ironi të fatit, vuajmë akoma dasimin shqiptar pikërisht përse kundërshtuam njohjen e Shqipërisë Etnike nga po këto pushtues fashisto-nazistë, roli i të cilëve sot është po aq potent sa i ish baballarëve të tyre. Por jemi tek paradokset shqiptare...

Çfarë shkruan dhe thotë Edi Rama me bashkëautorin, përshembull për dëshmorët. Se shifra 28 mijë dëshmorë është një mitollogji. Për Luftën... Se Lufta Nacional-Çlirimtare ka qënë thjeshtë një Luftë Civile. Për Partinë Komuniste... Partia Komuniste është drejtuar nga emisarët jugosllavë. Për Partinë e Punës...

Se denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të Partisë së Punës deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit, është i vetmi shteg nga ku duhet të kaloj Partia Socialiste për të fituar të drejtën e shoqërisë në të ardhmen. Për pushtetin... Marrja e pushtetit me dhunë ka qënë thelbi i lëvizjes komuniste dhe gjeneral Enver Hoxhës.

Për klerin, se ajo që ndodhi deri në 1953 ndaj klerit, ishte terror ndaj inteligjencës. Dhe plot e plot syresh. Që po t'i thosha unë sot, me siguri do më nëmnin deri varret e prindërve, por i ka thënë Edi Rama.

Ai që sot bën homazhet e luftës, drejton me metodat e Enverit. Nuk ka nxjerrë jashtë ligjit asnjë Parti të Punës por përkundrazi, e përvetësoi atë.

Dhe po si Enveri ka këshilltarë emisarë nga ish Jugosllavia. Dhe po si Enveri i ka shpallur luftë të hapur çdo kundërshtari politik duke shkelur me këmbë edhe ato që i ka dokumentuar. Kësisoj libri ''Refleksione'' nuk është më një refleksion intelektual, por një Inversion, apo model i hapur ideollogjik, Ç'më duhet mua se çfarë kam thënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat