Portugalia, shtet mik i Kosovës dhe shqiptarëve Shën Nënë Tereza “një urë që na lidhë”

Opinione

Portugalia, shtet mik i Kosovës dhe shqiptarëve Shën Nënë Tereza “një urë që na lidhë”

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 30 nëntor 2023 Në ora: 10:10
Presidentja Osmani bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruan shtatoren e shënjtores Shqiptare Shën Nënë Tereza

Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë e kanë zanafillën kur Aleanca Euro-Atlantike Perëndimore vendosi të sulmonte Serbinë në Mars të vitit 1999, atëherë kur Portugalia si vend anëtar i NATO-s ndihmoi në sulmet ajrore kundër Serbisë dhe më vonë Lisbona dërgoi trupa ushtarake si pjesë e forcave të Nato-s, për ruajtjen e paqës në Kosovë. Marrëdhëniet midis dy vendeve u zyrtarizuan pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt, 2008, kur Portugalia njohu, zyrtarisht, shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës në Tetor të vitit 2008 – njëra prej shteteve të para që bëri një gjë të tillë.

Në vijim, Lisbona ka vazhduar të tregojë interesimin e saj miqësor për Republikën e Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar, sidomos gjatë mandateve të saja si kryesuese e Presidencës së Bashkimit Evropian, në periudha kritike për të ardhmen e Kosovës – sidomos gjatë fazës së bisedimeve përfundimtare në vitin 2007, që çuan më në fund në bashkrendimin e qëndrimeve evropiane për Pavarësinë e Republikës së Kosovës, në Shkurt të vitit 2008.

Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lisbonë, lidhjet miqësore midis dy vendeve janë çimentuar gjatë viteve: rreth 7000-ushtarë portugezë kanë shërbyer në Kosovë, përfshirë një numër të konsideruar zyrtarësh e diplomatësh në misionet europiane dhe ndërkombëtare. Ky numër i madh dinamik po afirmon gjithnjë e më tepër lidhjet dhe marrëdhëniet dypalëshe duke u shënërruar kështu në një urë ndërnjerëzore, kulturore dhe ekonomike bashkëpunimi. Këto janë, njëherësh, edhe themelet e marrëdhënieve tona të së ardhmës, thuhet në portalin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Portugali. Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Prishtinës dhe Lisbonës pasqyrohen edhe nga vizitat e nivelit të lartë midfis dy vendeve, përfshirë vizitën e 16 Nëntorit, 2023 – e dyta vizitë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali – vizita e parë e Presidentes Osmani në Libonë ishte në Tetor, 2021.

Vizita e dytë zyrtare dy javë më parë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali, ishte një provë tjetër e lidhjeve dhe një partneriteti të veçant midis Prishtinës dhe Lisbonës – një pasqyzrim i një thellimi të këtyre marrëdhënieve të forta e miqësore diplomatiko-politike, midis dy vendeve. Portugalia, si një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm në favor të çeshtjeve në interes të Republikës së Kosovës, në nivelin evropian dhe atë ndërkombëtar, përtej Evropës.

Në kuadër të vizitës në Portugali, dy javë më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi lartë marrëdhëniet e përgjithëshme midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë, duke thenë se “potenciali i këtyre raporteve, në fusha të ndryshme, është i jashtëzakonshëm”. E para e Republikës së Kosovës, gjatë vizitës së fundit në Lisbonë, është takuar me udhëheqsit më të lartë të Portugalisë, përfshir Kryeministrin António Costa. Presidentja e Kosovës u prit edhe nga Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa.

“Kosova dhe Portugalia kanë ndërtuar raporte të shkëlqyeshme, të bazuara në vlera të përbashkëta”, është shprehur ajo për vizitën e zhvilluar dy javë më parë në Portugali. Vizita e Presidentes Osmani përkoi me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. “Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të shprehur mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë, për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqës dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani në takimin me Presidentin portugez.

Zonja Osmani vizitoi Lisbonën me ftesë të Web Summit, e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve të Kosovës në fushën e ICT-së, ku edhe mbajti një fjalim – një takim ky i nivelit të lartë që në këtë fushë konsiderohet si një ngjarje kryesore e teknologjisë në botë. “Teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithë përfshirjen, diversitetin dhe etikën, në çdo hap të këtij rrugëtimi transformative”, është shprehur Zonja Osmani.

Image
“Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët.” Vjosa Osmani

Ndërkaq, në kuadër të vizitës në Portugali -- në një provë të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale – presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas përuruan shtatoren e Shën Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonë. “Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlos Moedas, përuruam shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Nëna Tereza. Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët. Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani me rastin e përurimit të Shtatoressë së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë.

Pa dyshim se edhe vendosja e statujës së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë, në këtë moment të historisë, në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë -- është një vlerë e shtuar në marrëdhëniet kulturore -- por jo vetëm -- dhe tepër miqësore midis këtyre dy vendeve mike dhe një dëshmi e qartë i një marrëdhënjeje të mrekullueshme në rritje e sipër midis Prishtinës dhe Lisbonës.

Image
Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat