Gjatë luftës 1998/1999 edhe fëmijët 14, 15, 16 e 17 vjeç donin të shkonin ne luftë

Opinione

Gjatë luftës 1998/1999 edhe fëmijët 14, 15, 16 e 17 vjeç donin të shkonin ne luftë

Nga: Ahmet Pllana Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 21:40
Ahmet Pllana

Shumë fëmijë të moshës 14,15,16 e17 vjeç kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën që të bashkoheshin në radhët e UÇK-së dhe të merrnin pjesë në luftë për ta çliruar vendin e vet. Njëri ndër ta është edhe Faton Tolaj nga Pobërgja e Deçanit , i cili atëherë kur i kishte vetëm 14 vjet, kishte shkuar në Shtabin e UÇK-së në Tropojë të Shqipërisë për t'u pranuar ushtar në UÇK. Fatoni bashkë me familjen e tij kishin shkuar në Shqipëri në Tropojë, pasi që më 1 qershor 1998 ishte bombarduar fshati i tij dhe kishin ikur nga bombardimet e ushtrisë serbe nga fshati Voksh dhe kanë arritur natën me familje në fshatin Jasiq. Me të arritur në Tropojë është paraqitur vullnetarisht në Shtabin e UÇK-së në Tropojë për t'u radhitur në UÇK. Aty komandant të përgjithshëm e kishte patur Xhabir Zharkun me nofkën komandant Qorri, kurse komandant për logjistikë kishte patur Fazli Tolajn. Në atë kohë Faton Tolaj ishte vetëm 14 vjeç pasi kishte kryer Shkollën Fillore "Sylë Alaj" në Drenoc. Fatoni në Shtab së bashku me shumë ushtarë të tjerë kishin dhënë një kontribut të madh ku bënin përgatitjen e ushqimit, furnizimin me ujë dhe çka kishin nevojë, si dhe armatosjen e shumë ushtarëve të UÇk-së që vinin nga Kosova e diaspora që të hynin të armatosur në Kosovë. Faton Tolaj disa herë kishte tentuar që të hynte në territorin e Kosovës për të luftuar, por komandanti i Shtabit të përgjithshëm, Xhabir Zharku dhe ushtari i Njësisë Speciale "Shqiponjat e Zeza", nuk e lejonin të hynte në Kosovë për të luftuar sepse i thonin: "Faton, ti je shumë i ri për të shkuar për të luftuar! Andaj, nuk mund të lejojmë që të shkosh në front! Ti Faton edhe ashtu këtu në Shtab je duke dhënë një kontribut shumë të madh dhe të falënderojmë që ke shprehur vullnetin dhe ke ardhur që të pranohesh ushtar i UÇK-së." Në Shtab, siç rrëfen Fatoni, kishin bërë sigurimin e gjërave ushqimore dhe të armëve për ushtarët e UÇK-së. Në këtë Shtab, Fatoni njihte shumë ushtarë, siç ishin: Fazli Tolaj, Bislim Tolaj , Islam Tolaj, Bekim Tolaj, Ilir Zekaj, Hidajet Shala e shumë ushtarë të tjerë. Kështu vazhdonte rrëfimin e tij Faton Tolaj i cili kishte përjetuar shumë tmerre që nuk i harron kurrë. Faton Tolaj nuk e ka statusin veteran i luftës. Ai nga modestia e tij, as që ka aplikuar për veteran duke, duke menduar se veteran kanë me qenë vetëm ata ushtarë që kanë qenë në frontet e luftës! Sot e kësaj dite Fatoni nuk e posedon librezën e veteranit, ndonëse e meriton, sepse shkuarja e tij vullnetarisht në Shtab, do të duhej t'i pranohej statusi veteran, sikur ka qenë ushtar i UÇK-së. Madhështore është që edhe fëmijët 14, 15, 16 e 17 vjeç kanë shkuar në Shtabe për t'u bërë ushtarë të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat