Mëkatet e Kisinxherit ndaj Kosovës

Opinione

Mëkatet e Kisinxherit ndaj Kosovës

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 10:29
Ramazan Bekteshi

Gjate kohës së tij, Kisinxheri ishte diplomati më i fuqishëm në botë. Ai shërbeu dy administrata (Nikson-Ford) dhe për 50 vite i këshilloi presidentët amerikan. Me rastin e vdekjes së Kisinxherit bota reagon në mënyrë të ndarë, disa e quajnë mjeshtër të politikës globale e disa kriminel lufte. Si një burrështetas i njohur, ai la një trashëgimi komplekse që nga dalja poshtëruese e luftës në Vietnam deri te fitimi i çmimit Nobel për Paqe dhe pastaj deri te përlyerja e këtij çmimi me autorizimin e tij sekret të “ carpet-bombing” të Kamboxhias neutrale, duke vra rreth 150 mijë civilë.

Sot, me rastin e kalimit në amshim të diplomatit të famshëm, ai tërhoqi admirim e përbuzje. Shumë burrështetas dhe shtete reaguan në forma të ndryshme. Ajo që është pritur, është se Serbia mban zi për humbjen e mikut të saj. Kina sot e quan një ‘mik të vjetër’, që nga vizita e parë sekrete e tij në Kinë më 1971. Derisa, magazina ‘ Rolling Stone’ e quan Kisinxherin “kriminel lufte”.

Cili ishte qëndrimi i Kisinxherit për Kosovën?

Duke u rrokullisur me politikat e tija herë të qëlluara e herë kontroverse që nga Kamboxhia e deri në Kosovë, Kisinxheri vazhdon të konsiderohet ashtu si gjatë jetës dhe tani pas vdekjes, i madh dhe i urryer, i ditur dhe tendencioz.

Kur gjenocidi ndodhi në Bosnjë e vazhdonte në Kosovë, Kisinxheri ishte i zëshëm nëpër mediat amerikane, se nuk ka një definicion të qartë për interesat amerikane në Ballkan duke e përsëritur frazën e njohur: “Jo forca amerikane tokësore në Kosovë”, duke shtuar se evropianët duhet të marrin përgjegjësinë për ‘oborrin’ e vet. Ishte ky një gabim i Kisinxherit që do të vërtetohet më vonë se pa lidershipin amerikan, evropianët nuk janë të aftë të zgjedhin problemet, por i zvarrisin ashtu si ndodhi me fatin e Bosnjës.

Gjate luftës në Kosovë, Kisinxheri pyeste: "Si reagojmë ne dhe NATO ndaj shkeljeve dhe irredentizmit shqiptar?" Ai gaboi dhe s’e njihte realitetin Kosovar pasi rezistenca paqësore nuk sillte efekte dhe UÇK përfitoi teren në fushën e rezistencës aktive dhe kjo ndodhi për shkak të opresionit serb të padurueshëm, dhe ky ishte shkaku i këtij rebelimi të armatosur.

Sipas The Washington Post, atëbotë Kisinxheri deklaron se objektivi i administratës së Klintonit është çështje humane e jo të ndihmoj interesa më të mëdha kombëtare. Ai thekson më tej se, pavarësia e Kosovës do të destabilizonte rajonin sepse “shqiptarët e Kosovës do të kërkojnë të bashkohen me Shqipërinë”. Pra gabimi i Kisinxherit ishte se, ai harronte se kjo ishte një luftë për liri kundër dhunës sistematike. Kisinxheri me deklaratat e tij u kujdes që Amerika mos të ndikoj që Kosova nga kjo luftë të fitoj Pavarësi.

Pra, kur administrata e Klintonit mundohej të frenoj një luftë gjenocidale dhe krimet kundër njerëzimit, dhe mos zgjerimin e konfliktit, Kisinxheri ishte një ndër zërat e vetëm të diplomatëve amerikan, duke harruar se nuk ishte në interesin amerikan që të përfshihet në lufte edhe Shqipëria, Greqia, Turqia dhe të gjithë shqiptarët ku jetojnë në Ballkan (Maqedoni, Mal te Zi, e Luginë). Pra, edhe pse Ballkani kërcënohej haptas, diplomati i rryer Kisinxher vazhdonte të mbronte interesat serbe në Ballkan.

Në TV programin Chicago Tonight, Kisinxheri e vë në pikëpyetje diplomacinë e SHBA-së dhe involvimin amerikan në Kosovë dhe thotë: Unë jam i brengosur me pozicionin tonë që kemi hyrë atje (Kosove) dhe ne do të kemi një përfundim te palumtur, dhe vazhdon: Në Rambuje duhej të aranzhohej që Kosova të mbeste brenda Serbisë dhe zgjedhje korrekte e quante autonominë, derisa fushatën ajrore e quante forcë ajrore e UÇK-së, derisa luftën e definonte si një luftë civile.

Në Forumin e Pragës më 1998, represionin dhe vrasjet në Kosovë Kisinxheri i quante "një konflikt etnik në skaj të Ballkanit." Po në Forumin e Pragës në vitin 2000, konfliktin serbo-shqiptar e quan kështu:

"Askush nuk mund të fajësohet për krizën etnike në Ballkan. Është një krizë e bashkëveprimit midis Islamit dhe Krishterimit në buzë të Ballkanit që ka vazhduar për qindra vjet." Ajo që nevojitet atje, tha ai, është një propozim i detajuar se si do të qeveriset Kosova kur të përfundojnë armiqësitë dhe një diskutim fshat për fshat se si funksionon autonomia.

Kur The Guardian kërkoi katër opinione në lidhje me pyetjen nëse serbët kanë një rast historik për pushtimin e Kosovës, Kisinxheri thotë: Sllobodan Millosheviqi nuk është Hitleri por një bandit ballkanik. As Millosheviçi dhe asnjë lider tjetër ballkanik nuk është në gjendje të kërcënojë ekuilibrin global, siç pohon Presidenti Klinton. Derisa për refuzimin e marrëveshjes së Rambujesë shton: Serbët e kanë refuzuar marrëveshjen e paqes së Rambujesë, sepse shohin në të një prelud të pavarësisë së Kosovës.

Shpeshherë busulla diplomatike e Kisinxherit të dërgonte në vende të sakta por edhe të gabuara si në rastin me Kosovën. Dhe ai nuk e bënte këtë me pavetëdije por për një lidhje të veçantë që kishte me serbet ashtu si Rama, kur sot Kisinxherit ia dha lamtumirën e fundit me ”Lamtumirë Bos”, derisa unë ia them lamtumirën e fundit më ndryshe, z. Kisinxher, pushofsh në Ferr!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat