Vrasja në emër të nderit!

Opinione

Vrasja në emër të nderit!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 12:53
Zejnullah Jakupi

Ti i nderuar profesor (nënkuptohet dhe i drejtohem edhe gjinisë femërore), gazetar, jurist, redaktor, mësues, mjek, bujk, këngëtar, poet,prind, vajzë e djalë, burrë e grua, plak e plaka, siç e dini këto probleme të dhunës ndaj grave janë shumë komplekse për këtë intelektualët, profesorët dhe elita intelektuale, në familje, në institucione, në media etj, do të duhej të merrej intenzivisht për të identifikuar dhe për të ofruar zgjidhje të fenomeneve të tilla, të kësaj plage shoqërore, e që natyrisht si problem nuk mund të menjanohet shpejtë.

Për çfarë bëhet fjalë? Mediet raportuan se sipas raportit 24 orësh të Policisë, se viktima L. M. ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Ky rast është kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”.

Më pas në perditësimin e lajmeve u raportua se vrasja ishte e porositur nga bashkëshorti i saj. Pastaj dolën edhe informacione se N. M. dhe L. M. kishin aplikuar për divorc në vitin 2019, por çështja s’kishte marrë epilog. Dhe tutje pas kësaj tragjedie lajmet vazhdojnë bashkë me shtimin e dhembjeve dhe vuajtjeve të familjeve, plagë që kullojnë gjak, gjurmë që mbeten tërë jetën dhe natyrisht kësaj nuk i thonë jetë, por skëterrë.

Secili prej nesh duhet të pyes PSE ndodhin ngjarjet të tilla dhe a duhet të mbushemi mend?

A duhet të civilizohemi, ashtu siç e kanë arritur një nivel edhe kombet e tjera në shtetet postindustriale, natyrisht pa përjashtuar gjithmonë mundësinë se edhe në keto vende mund dhe ndodhin ngjarjet e tilla, por këto ngjarje tek ne janë shumë të shpeshta dhe janë bërë kronike.

Para se të jap disa rekomandime se si ta luftojmë ketë dukuri të shëmtuar, dua të jap disa definime lidhur me ca terminologji dhe dyshime se çfarë e shtyn një njeri të marrë veprime të tilla për ta porositur vrasjen e gruas, të bashkëshortes, por edhe siç kemi patur edhe raste tjera, të ushtrojë dhunë ndaj gruas dhe grave apo ndaj vajzave.

Terminologjia "vrasja në emër të nderit" (ose "krime në emër të nderit")

Kjo terminologji përdoret për të përshkruar raste të vrasjeve apo dhunës që ndodhin në disa kultura, për fat të keq edhe në shoqërinë tonë, kur dikush vret ose dëmton një person në familje për shkak të një veprimi që konsiderohet si shkelje e nderit të familjes. Kjo përfshin veprime si; martesa e detyruar, shkurorëzimi, refuzimi i një martese të dëshiruar, orientimi seksual i padëshiruar, sjellje "jo korrekte", ose thjesht një lidhje romantike jashtë martesës që konsiderohet si shkelje e rregullave apo traditave e normave të pashkruara të shoqërisë.

Kjo praktikë është e bazuar në bindjen e disa njerëzve (e cila dominon në mjedisin tonë) se një person që ka kryer një veprim të tillë ka "shkatërruar" nderin e familjes dhe kështu dëmton imazhin e tyre në shoqëri. Vrasja në emër të nderit konsiderohet nga ata si një mënyrë për të "pastruar" ose "rindërtuar" nderin e familjes përmes largimit ose ekzekutimit të personit që ka kryer këtë veprim.

Edhe pse kryerja e veprimit kriminal nuk lidhet me zakonet kanunore ajo nënkupton gjakmarrjen. Kjo është një nevojë e shfrenuar për hakmarrje, gjithashtu shumë e prapambetur. Bëhet fjalë për rregullat brutale se si duhet të sillen gratë. Në këto koncepte morale ataviste, gratë janë plotësisht të komunitizuara: ato nuk supozohet të kenë një plan individual të jetës nëse bie ndesh me idetë e familjes ose me të drejtat pronësore të burrit. Në këtë aspekt, gjakmarrja është shprehje e një sistemi të nënshtrimit arbitrar ku tradita kanunore dhe ajo religjioze luajnë një rol dominant.

Pyetja se PSE ndodhin hakmarrjet e tilla ka të bëjë edhe me kontekstin tonë kulturor tradicional e patriarkal. Në familjet dhe mjediset e tilla shoqërore ka një mungesë civilizimi dhe mishërimi me vlerat perëndimore dhe të kuptuarit plotësisht të vlerave perëndimore- të Drejtave të Njeriut. Burri i cili kryen një krim të tillë gjendet nën presion social ose familjar ose të paktën pretendojnë se janë nën presion, prandaj e kryejnë një veprim të tillë kriminal.

Këto janë krime, jo vetëm në Kosovë, e që lidhen me kulturën e Kanunit ku një individ, zakonisht një grua, vritet nga një anëtar i familjes së saj për shkak të një veprimi që konsiderohet si shkelje e nderit të familjes. Një veprim i tillë, sipas autorëve të krimit, do të shkatërronte imazhin ose nderin e familjes (madje do i lëndonte edhe të parët e fisit) dhe kështu do të "pastronte" nderin duke ekzekutuar personin që ka kryer këtë veprim.

Këto krime po na shokojnë të gjithëve, sepse vrasja për shkak të nderit të familjes shkel vlerat themelore të drejtësisë dhe barazisë. Në shumicën e rasteve, ata që ekzekutojnë këto krime përshkruajnë këtë veprim, siç potencova, si një mënyrë për të rikthyer nderin e familjes së tyre. Megjithatë, kjo është shpesh një tregues i kontrollit të rreptë dhe të padrejtë mbi gratë dhe viktimat potenciale të këtyre akteve.

Çfarë të bëhet për ta luftuar këtë dukuri dhe plagë në mbarë shoqërinë tonë?

Nuk mjafton vetëm dënimi i dhunës dhe reagimi euforik, siç është bërë deri tani, sepse pas vrasjeve kjo po harrohet dhe sërish po na shfaqen rastet e tjera tragjike. Ne si shoqëri duhet të punojmë që ta luftojmë këtë kancer shoqëror në thelb. Të nisim tek edukimi, tek debatet në shkolla dhe në media dhe në rrethin familjar dhe shoqëror. Tu flasim fëmijëve, burrave, baballarëve tanë që gruaja nuk është pronë e burrit, se nëse vije tek ndarja (sepse edhe dashuria harxhohet), të Drejtat e Njeriut dhe virtyti janë mbi liritë fetare dhe kanunore. Martesa por edhe dashuria është kontratë mes dy vetave, e vullnetshme dhe mund ta prishin në mënyrë të civilizuar kur të donë. Në rastet e tilla, kur një grua apo një burrë nuk e do më gruan e tij dhe anasjelltas, duhet të pason ndarja me dëshirë dhe pa shaktuar tragjedi familjare, dhe këtë duhet ta themi përditë dhe ta aplikojmë secili në familjen dhe rrethin e tij dhe në mbarë shoqërinë që kjo të bëhet normë.

Duhet të menjanohet trysnia sociale dhe morale se nëse bënë kështu apo ashtu të lëçitin familja, se humb nderin dhe atëherë nuk je më burrë ose nëse të lë gruaja atëherë ke humbur nderin dhe je koritur dhe nuk të flet më kush!!!Madje disa edhe shkurorëzimin e shohin si humbje të nderit dhe shpirti i burrit atëherë do të vej në dreq të mallëkuar në ferr. APO?! E siç do thoshte një vendas i imi, secilit i duhet një përsosmëri e karakterit, siç e bëjnë, asketët e ndryshëm që gjatë tërë jetës merren me përsosjen e shpirtit.

Përgjegjësia institucionale e shtetit dhe masat që duhet ndërmarrur

E rëndësishme është që ky koncept nuk është i pranueshëm në asnjë mënyrë në shoqëritë demokratike dhe ligjore, as në shoqërinë tonë dhe familjet tona, dhe është konsideruar dhe konsiderohet si një krim i rëndë dhe i padrejtë. Vrasja në emër të nderit është e paligjshme dhe është dënuar dhe dënohet nga shumica vendesh në botë, dhe përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë.

Organizatat dhe grupet e të Drejtave të Njeriut duhet të punojnë vazhdimisht për të ndaluar këtë praktikë dhe për të mbrojtur të drejtat e grave dhe të individëve në rrezik. Lufta kundër vrasjeve në emër të nderit kërkon përpjekje të përbashkëta nga shoqëria civile, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare për të siguruar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut për të gjithë.

Shumë organizata të Drejtave të Njeriut dhe institucione të pavarura kanë punuar për të ndaluar këto akte të tmerrshme dhe për të ndihmuar viktimat. Këto përfshijnë nismat për të ndryshuar ligjet dhe për të ndërgjegjësuar shoqërinë në lidhje me pasojat e këtyre krimeve, si dhe për të ofruar mbështetje dhe strehim për gratë që janë në rrezik. Në shumë vende, ky fenomen është shndërruar në një çështje shoqërore dhe ligjore, me përpjekje për të parandaluar dhe ndëshkuar këto krime në mënyrë efektive.

Në asnjë rast, një vrasje nuk mund të arsyetohet ose të justifikohet nën çdo rrethanë, përfshirë atë të tradhëtisë bashkëshortore. Tradhëtia në një lidhje nuk është legjitimim për dhunën ose vrasjen e personit tjetër, dhe asnjë vepër e tillë nuk mund të justifikohet nga asnjë këndvështrim etik, moral, ose ligjor.

Në shoqëritë ku tradhëtia bashkëshortore apo një shkelje e tillë konsiderohet si një shkelje e rëndë e vlerave familjare apo tradicionale, reagimi është i rëndë, por gjithsesi vrasja nuk mund të justifikohet. Shpesh, këto situata kanë konsekuenca serioze për personin e përfshirë në tradhëti, por gjithashtu mund të kenë ndikime negative të mëdha në familjen dhe shoqërinë.

Krijimi i një mjedisi ku ndërtimi i marrëdhënieve të shëndetshme dhe respekti për të drejtat e njeriut janë thelbësore mund të ndihmojë në zvogëlimin e situatave të tilla konfliktuale. Në vend që të përdoret dhuna apo vrasja për të zgjidhur konflikte, është më e rëndësishme të kultivohet dialogu, kuptimi dhe zgjidhjet paqësore në trajtimin e çështjeve të tilla delikate në lidhjet njerëzore.Çështja e tradhëtisë në marrëdhëniet dashurore është komplekse dhe ka ndikime të ndryshme në individë dhe në shoqëri. Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë konsideron tradhëtinë si një shkelje serioze të besimit dhe bindjes ndaj një personi tjetër në një marrëdhënie romantike. Disa e shohin atë si shkelje të besimit dhe lidhjeve të ndërtuara në një marrëdhënie, duke e konsideruar atë si një shkelje të besës dhe besueshmërisë së një personi ndaj tjetrit.

Në marrëdhëniet romantike, besimi dhe besnikëria shpesh konsiderohen virtyte njerëzore të rëndësishme. Për këtë arsye, shumë njerëz e konsiderojnë tradhëtinë si një shkelje të rëndë të këtyre virtyteve.

Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se marrëdhëniet ndërmjet njerëzve janë shumë komplekse dhe faktorë të ndryshëm, përfshirë kontekstin kulturor, shoqëror dhe individët vetë, mund të ndikojnë në kuptimin dhe vlerësimin e tradhëtisë.

Në përfundim, luftimi i patriarkatit dhe promovimi i barazisë gjinore është një proces i gjatë dhe kompleks në shoqëritë ku ka një prirje të theksuar patriarkale. Disa hapa që mund të ndihmojnë në këtë drejtim janë:

1. Edukimi dhe ndërgjegjësimi: Edukimi dhe ndërgjegjësimi i popullsisë në lidhje me rëndësinë e barazisë gjinore është i rëndësishëm. Kjo përfshin programe arsimore që promovojnë respektin dhe barazinë mes gjinive në të gjitha fushat e jetës.

2. Ndryshimi i strukturave ligjore dhe politikave: Nevojitet një angazhim i fuqishëm i institucioneve shtetërore për të ndryshuar dhe zbatuar ligjet që garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e grave. Ndryshimet në politika publike për barazi gjinore dhe dhënien e të drejtave të plota për gratë janë thelbësore.

3. Promovimi i liderëve të rinjë: Në politikë, biznes, arsim, dhe shoqëri në përgjithësi, duhet të inkurajohet dhe mbështetet liderët e rinjë, përfshirë gratë, për të ndryshuar normat dhe strukturat patriarkale në vendin e punës dhe në shoqëri.

4. Përfshirja aktive e grave në procese vendimmarrëse: Sigurimi që gratë të jenë të përfaqësuara në vendimmarrje dhe pozitat e larta në politikë, biznes, dhe shoqëri është thelbësore për të siguruar që zëri dhe perspektiva e tyre të dëgjohen dhe të marrin pjesë në transformimin shoqëror.

5. Kujdesi i veçantë ndaj situatave të dhunës dhe diskriminimit: Identifikimi dhe luftimi i rasteve të dhunës dhe diskriminimit ndaj grave është jetik për të ndërprerë kulturën e tolerancës ndaj këtyre sjelljeve.

6. Promovimi i një kulture të respektit dhe barazisë: Ndërtimi i një kulture që i kushton vlerë respektit dhe barazisë mes gjinive është një hap i rëndësishëm për ndryshimin e normave shoqërore dhe luftimin e strukturave patriarkale.

Ky proces kërkon një përpjekje të përbashkët të të gjithë shoqërisë, duke përfshirë qeverinë, organizatat shoqërore, institucionet akademike dhe të gjithë individët në përputhje me qëllimin e përbashkët të ndërtimit të një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat