Pse zbardhja e vrasjes së Liridona Ademajt është testi më i rëndësishëm që duhet ta kalojë drejtësia në Kosovë?

Opinione

Pse zbardhja e vrasjes së Liridona Ademajt është testi më i rëndësishëm që duhet ta kalojë drejtësia në Kosovë?

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 5 dhjetor 2023 Në ora: 13:59
Homazhet për Liridona Ademajn në Suedi

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të jenë të tronditur nga vrasja e 30 vjeçares, Liridona Ademaj, ku i dyshuari kryesor i këtij akti makabër është pikërisht bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona të tjerë.

Numri i rasteve të dhunës por edhe vrasjeve në baza gjinore në Kosovë është alarmant.

Për fat të keq, janë disa gra në Kosovë që u vranë nga burrat e tyre ndër vite, të cilët i kryenin aktet e tyre kriminale direkt.

Mënyra se si ishte planifikuar vrasja e Liridona Ademajt nuk njihte një rast tjetër të njëjtë e as edhe të ngjashëm në Kosovë.

Një inskenim i përkryer i një grabitjeje në orët e vona të mbrëmjes që qoi në vrasjen e pa mëshirë të gruas, ndërsa burri me dy fëmijët arriti të “shpëtojë” lehtësisht duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Një mendje naive edhe e beson këtë version. Por, ja që të dyshuarit për krimin e kryer si duket kishin gabuar në hapa dhe fatmirësisht u zbuluan shumë shpejt nga Policia e Kosovës.

Naivë, nga ekspertët e kriminalistikës e të sigurisë po konsiderohet edhe Naim Murseli me “mësitin” e vrasjes Kushtrim Kokallën dhe vet vrasësin (i dyshuar) Granit Plavën.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës po përgëzohet që arriti ta zbardh rastin shumë shpejt dhe të dyshuarit t’i vendos prapa grilave.

Kur shohim këtë veprim kaq efikase të Policisë, pashmangshëm na sillet nëpër mend drejtësia e munguar për shumë familje në Kosovë, familjarët e të cilëve u vranë e vrasësit nuk u zbuluan asnjëherë.

Nuk mund të mos i kujtojmë dosjet e vrasjeve politike të pasluftës të cilat mund t’i ketë mbuluar “pluhuri i harresës” në sirtarët e Prokurorisë së Shtetit dhe organeve të tjera vendore apo ndërkombëtare për zbatimin e ligjit.

Edhe dosjet për vrasjet pasluftës të Xhemail Mustafës, Smail Hajdarajt, Shaban Manajt, Tahir, Enis e Hasan Zemajt, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, Bardhyl Ajetit, Ismet Rracit zënë vend në këta sirtarë, por askush nuk e mori mundin që t’i hetojë e as t’i zbardhë ato.

Të gjitha këto vrasje kishin edhe porositësit apo porositësin e tyre, por që drejtësia nuk e zbardhi asnjëherë se kush ishte apo kush ishin.

E porositur thuhet të ketë qenë edhe vrasja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Rasti, që kur ndodhi, një Prokuror turravrap e quajti si vetëvrasje, ende nuk ka marr epilog.

Kosova në periudhën e tranzicionit dhe të shtet-ndërtimit e kishte të theksuar ndikimin e politikës në drejtësi.

Kjo përmendej edhe në raportet ndërkombëtare që “falë” ish udhëheqësve, shteti ynë ishte gati i pari kudo për mos-luftim të krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizimit, ndikimeve politike në sistemin e drejtësisë etj.

Rasti i zbardhjes së vrasjes së Liridonës, na jep sado pak shpresë se gjërat në këtë shtet kanë filluar të ecin për së mbari dhe organet ligj-zbatuese po tregohen efikase në detyrat që duhet t’i kryejnë.

Tani, rasti i vrasjes së Liridonës duhet të jetë test për organet e drejtësisë.

Kjo, pasi ka shumë aludime e spekulime për “arsyet” që mund t’i kenë shtyrë autorët që ta kryejnë krimin aq hapur.

Pra, mbetet edhe të shpresojmë që autorëve të mos u jetë “garantuar” liria, zbutja e dënimit apo ndonjë gjë tjetër për shkak të të cilës ata nuk do ta merrnin dënimin e përjetshëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat