Kambanë alarmi për Perëndimin dhe Ballkanin/ Kur Aleksandër Vulini flet në emër të Aleksandër Vuçiçit!

Opinione

Kambanë alarmi për Perëndimin dhe Ballkanin/ Kur Aleksandër Vulini flet në emër të Aleksandër Vuçiçit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 11 dhjetor 2023 Në ora: 16:19
Aleksander Vulin dhe Aleksander Vuçiq

Aleksandër Vulin ka themeluar një parti të tijën me emrin Lëvizja Socialiste e Serbisë. Për pasojë ai është në fushatë elektorale për zgjedhjet e 17 dhjetorit. Pra të dielën e ardhshme Vulin mund të fitojë një ose më shumë vende në parlamentin e Serbisë, gjithnjë në koalicion me partinë e presidentit. Por ajo që bie në sy gjatë fjalimeve të tij në këtë fushatë elektorale ka të bëjë me atë se Vulin vazhdon nga njëra anë të propagandojë “botën serbe” dhe nga ana tjetër të lavdërojë qëndrimin e presidentit të Serbisë, Vuçiç, në funksion të krijimit të kësaj bote. Më një tubim elektoral ai ka thënë pata dy ditësh se “Serbia e drejtuar nga Aleksandër Vuçiç nuk do ta njohë Kosovën, nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk do të heqë dorë nga Republika Srpska dhe serbët në Mal të Zi”! 

Shumëkush do të thoshte se derisa Serbia është në fushatë elektorale përdorimi i nacionalizmit si kalë në betejë është një skemë normale. Por në këtë linjë është zhvilluar e po zhvillohet edhe propaganda elektorale nga partia e presidentit Vuçiç, si dhe partive të tjera politike në Serbi. Kosova është kryefjala e kësaj fushate, ashtu si e të gjitha fushatave paraardhëse. Të gjithë, pa përjashtim, duan votat e serbëve përmes mobilizimit dhe homegjenizimit të tyre me mitin e Kosovës. Ndaj ato që rreshtoi Aleksandër Vulin janë një kambanë alarmi për Perëndimin dhe stabilitetin ballkanik. Janë retorika të dekadës së fundit të shekullit XX të kohës së Milosheviçit. Janë thirrje direkte dhe të hapura për mos njohjen e realitetit e për konflikt në rajon.  

Aleksandër Vulin ishte në qeverisjen e zotit Vuçiç ministër i Punëve të Brendshme dhe ministër i Mbrojtjes. Pastaj ai mori drejtimin e shërbimit sekret të Serbisë, BIA. Njihet për lidhjet speciale dhe të pandryshueshme të tij me Moskën, shërbimin sekret rus, si dhe presidentin Putin dhe ministrin e Jashtëm, Lavrov. Me këtë të fundit ka një lidhje direkte dhe speciale edhe Baton Haxhiu. Madje ka zëra se edhe kryeministri i Shqipërisë udhëtoi drejt Moskës para tri vitesh me ndërmjetësimin e Vulin, duke vënë në lëvizje Haxhiun.  

Kjo është arsyeja pse promovuesi i “Botës Serbe” në Beograd ndjehet i fuqishëm dhe madje shumë i afërt me presidentin Vuçiç. Ndërkohë në BE dhe SHBA vazhdojnë të thonë se “Kanë shpresë se Aleksandër Vuçiç të zbresë nga treni rus dhe të udhëtojë me trenin euro-atlantik”! Shumë prej tyre e thonë këtë hapur. Edhe ambasadori Hill nga Beogradi ka lëshuar deklarata, me të cilat shihet qartë se ai shpreson që Vuçiç do të ndryshojë karrigen dhe do të ulet në mesin e liderëve auro-atlantikë me të drejta të plota. Por a do të mundet që presidenti i Serbisë ta bëjë këtë dhe të shkëputet nga lidhjet me Vladimir Putin?!  

Bashkëpunëtori i tij i ngushtë, i cili shërben edhe si kanali kryesor i lidhjeve të presidentit dhe vetë Serbisë me Rusinë, thotë jo! Që kur Vulin pati shpallur në prezencë të Vuçiç projektin e “Botës Serbe” vite më parë, vazhdon ta mbrojë këtë ideologji shoviniste, madje me ngulm, duke dhënë të kuptohet hapur se ai ka mbështetjen e zotit Vuçiç, ose se vetë Vulin e mbështet presidentin serb në këtë projekt. Vetë presidenti gjatë fushatës dhe në vazhdimësi luan me disa porta. Mbahet në disa karrige dhe bën lojë të dyfishtë. Po cili është qëllimi dhe si mund ti bindë presidenti Vuçiç bashkëpunëtorët e tij si dhe Moskën për të bërë disa lëshime në këmbim të integrimit evropian? 

Modeli më i mirë është ai i Viktor Orban. Por ndërsa Orban i kundërvihet Evropës kryesisht për shkak të nevojës për rritjen e autoritarizmit të tij,, Ndërsa Vuçiç, veç kësaj, ka një arsye tjetër madhore, shërbimet që duhet tia bëjë politikës destabilizuese të Rusisë në Europë. Nëse Serbia merr dritën jeshile për të qenë anëtare e BE-së para Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, atëherë ky do të shënonte shpalljen e një etape tjetër të një marrëdhënieje speciale midis Beogradit dhe Moskës. Të dyja këto kryeqytete do të rakordoheshin shumë më lehtë për ta destabilizuar Ballkanin dhe rimohuar shtetësinë e Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në Mal të Zi do të inkurarojnë Kishën Ortodokse Serbe ta luajë rolin kryesor të destabilizimit të tij!  

Kush beson se deklaratat e presidentit të Serbisë për t’iu bashkuar Perëndimit janë të sinqerta, ai jo vetëm që gabon shumë, por njëkohësisht i sjell një dëm të jashtëzakonshëm Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit e të Europës Juglindore. “Bota Serbe” e Vuçiç dhe e Vulin nuk përfundon qoftë dhe me anëtarësimin e Serbisë në BE! Projekti do të vijojë në kushte të reja, madje më të favorshme për Serbinë, për shkak të rregullave mbi bazën e të cilave funksionin Evropa e Bashkuar! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat