Gratë nuk janë skllavet e obskurantizmit

Opinione

Gratë nuk janë skllavet e obskurantizmit

Nga: Mimoza Dajçi Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 17:46
Autorja Mimoza Dajçi

Si në Shqipëri dhe në Kosovë, po ndodhin ngjarje tepër të rënda jo vetëm ndaj viktimës, por gjithë shoqërisë. Siç ndodhi afro dy javë më parë në Kosovë, kur bashkëshorti i merr jetën gruas së tij, Liridonës, nënës së fëmijëve të tij të mitur. Policia e ndaloi e arrestoi... Shpresojmë që gjykata t'i japë dënimin kapital. Them këtë pasi në protestat që u mbajtën në Prishtinë ndaj krimit monstruoz, në disa pankarta shkruhej "Policia e arreston, gjykata e liron". Një rast të tillë kam dëgjuar edhe në Shqipëri, kur një futbollist i hyn në banesë ish gruas dhe e dhunon për vdekje.

E dhunon, e godet dhe del i paqmë me një dënim të lehtë nga gjykata. Tragjedia vazhdon. Ai nxjerr dëshmitarë shokët e tij, që justifikojnë kriminelin sikur të jetë njeri i qetë, miqësor, i dashur i rregullt me gruan, fëmijët, apo fakte të tjera lehtësuese. Edhe në punë para gjykatës e prezantojnë si një xhentëlmen të vërtetë. Ndërkohë që ata jo vetëm nuk kishin jetuar në të njejtën çati me të, por nuk kishin dijeni se sa i dhunshëm ishte ai ndaj gruas së tij, ose kishin dëgjuar, por e mbronin padrejtësisht për "interesat" e tyre. Krimineli edhe pse realizoi krimin që kishte në mendje, j'u dhimbs koka e tij dhe “justifikohej” që të dilte i pafajshëm! Por pasojat, problemet e dhimbjet e plagëve në trup i përjeton viktima pa faj, fëmijët dhe aspak autori i krimit.

Policia e ndaloi futbollistin, ndërsa gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg. Ligjet dhe vendimet gjyqësore atje duhet të forcohen, të jenë më të ashpra, të forta ashtu siç është edhe dora e kriminelit, që godet, vret padrejtësisht një femër, një nënë, një grua të pambrojtur.

Në këtë rast apo dhunës ndaj grave mund të përdorim termin "femicidet". Sipas materaleve të ndryshme shikojmë se ky term daton qysh në vitin 1801, kur është përdorur për herë të parë në botimin britanik me titull “Një këndvështrim satirik i Londrës në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë” për t'iu referuar vrasjes së një gruaje. Kontributin më të madh në përkufzimin e femicidit dhe në kuptimin që ka marrë ky term sot e ka dhënë Diana Russell në vitin 1976, e cila e përkufizoi femicidin si vrasjen e një gruaje nga një burrë për shkak të gjinisë së saj.

Gratë janë burimi i jetës, janë rrënjët që ushqejnë njerëzimin. Megjithëse jetojmë në shekullin XXI përsëri ka burra në Shqipëri e në Kosovë nga patriarkalizmi i tyre i njësojnë gratë si skllave të kohës së obskurantizmit. Ndërsa Viktor Hygoi ka thënë: “Gruaja na robëron jo vetëm me bukurinë e saj fizike, por edhe me zgjuarsinë e shpirtin e saj”.

Shpresojmë që vrasësit e Liridonës të marrin dënimin kapital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat