Rënia e natalitetit dhe emigrimi, dy plagët e mëdha të Kosovës!

Opinione

Rënia e natalitetit dhe emigrimi, dy plagët e mëdha të Kosovës!

Nga: Florim Zeqa Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 19:43
Florim Zeqa

Rënia e natalitetit dhe emigrimi janë dy faktorët kryesor të zvogëlimit të popullsisë. Rritja e numrit të bashkëjetesave mes çifteve ka ndikuar në zvogëlimin e martesave, kurse rënia e numrit të martesave me automatizëm ndikon në rënjen e natalitetit! Pra, nataliteti dhe emigrimi janë dy plagët e mëdha të Kosovës në dekadën e tretë të shekullit 21.

Shkaqet janë të shumëta, arsyjet po ashtu

Të rinjët moslidhjen e martesave e arsyetojnë me kushtet socio-ekonomike, gjegjësisht me mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe mungesën e kushteve tjera elementare për jetë.

Mungesa e përspektivës zhvillimore dhe politikat sociale e të gjitha qeverive paraprake deri tek kjo e tanishmja nuk ishin në nivelin e duhur!

Me ndryshimet politike të vitit 2021, qytetarët kanë pritur ndryshim epokal në aspektin social, përkatësisht në krijimin e kushteve optimale për çiftet që krijojnë lidhje martesore.

Qytetarët kanë pritur më shumë nga kjo qeveri mbase edhe për një arsye të vetme! Pasi njëri nga premtimet e Qeverisë aktuale ishte krijimi i kushteve solide për jetë dhe dhënja e banesave nga shteti për çiftet e reja që krijojnë lidhje martesore.

Por, për habi, ky premtim jetik u anashkalua nga kryeministri i vendit, i cili jo vetëm që nuk bëri asgjë në përmirësimin e jetës së çifteve të reja, i diskriminoj ato me mosngritje të pagave dhe mosdhënjen e subvencioneve të premtuara (banesave)!

Stimulimi i vetëm i Qeverisë Kurti për çiftet e reja dhe ato të vjetra, është dhënja e 10 eurove në muaj për fëmijë, ofertë kjo tejët sipërfaqësore dhe diskriminuese.

Premtimi i kryeministrit Albin Kurti për dhënjen e 100 eurove shtesë në këtë fundvit për fëmijët e regjistruar dhe pleqët e lajmëruar që ende frymojnë në shtetin e varfër, është më pak se lëmoshë.

Me 100 euro, as nuk bëhen më të pasur dhe as më të varfër në këtë fundvit, pasi në muajin Janar të vitit 2024 përseri do të kthehen në gjendjen e mëparshme të ballafaqimit me ekzistencën dhe diskriminimin social.

Rritje permanente për kategoritë e rrezikuara

Serioziteti i qeverisë ndaj kategorive të rrezikuara matet me kujdesin permanent e jo një herë në 12 muaj, për shkak të rritjes enorme të kostos së jetesës si pasojë e ngritjes së pakontrolluar të çmimeve në treg si rezultat i importimit të artikujve ushqimor!

Mungesa e nivelimit të pagave në sektorin publik dhe privat ka bërë që të kemi diskrepancë të madhe mes pagës minimale dhe asaj maksimale. E të mos flasim për kategoritë e rrezikuara dhe ndihmat sociale, që askund dhe më asgjë nuk janë janë në proporcion me pagat e nivelit mesatar, ngase me pagat e nivelit të lartë mund të krahasohen vetëm një pjesë e mërgimtarëve që jetojnë në shtetet evro-perëndimore, pasi jo të gjithë mërgimtarët në perendim mund të krahasohen me paga të deputetëve, të ministrave dhe këshilltarëve të nivelit të lartë!

Kjo është Kosova e paradokseve të mëdha dhe padrejtësive të shumëta, në të cilën nuk dëshiron të jetojë askush! Nuk kanë fajë pse të rinjët nuk martohen, por edhe ata që nuk martohen nuk duan të lindin fëmijë! Ngase shteti nuk ju ofron asgjë!

Me pasë mundësi edhe heronjët ikin prej varreve!

Për situatën e krijuar fajtorë janë të gjithë politik-bërësit pa dallim pushtet dhe opozitë, filluar prej të zgjedhurve të popullit (deputetëve), ministrave dhe zv. ministrave të zgjedhur nga partitë në pushtet e deri tek drejtuesit e lartë shtetërorë, të cilët tallen me qytetarët e nëpërkëmbur duke ju ofruar lëmoshë (vitra) si shenjë “zemërgjerësie” në prag të fundvitit kalendarik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat