Synimet e Putinit në Ballkanin Perëndimor

Opinione

Synimet e Putinit në Ballkanin Perëndimor

Nga: Amir Shabani Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 17:16
Autori Amir Shabani

Me shumë gjasa parashikohet se një konflikt pak nën pragun e luftës do të intensifikohet vitin e ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo nuk shkakton ndërhyrje të huaja, por është mjaft e fuqishme për të minuar Perëndimin. Analistë dhe politikëbërës të huaj, shumë besojnë se asnjë konflikt nuk është i mundur. Mirëpo, Serbia dhe Rusia nuk kanë nevojë të përdorin mjete ushtarake konvencionale me tanke dhe avionë, sepse grupet paraushtarake do ta bëjnë punën e tyre. Kjo është ajo që shumica dërmuese në Perëndim nuk e kuptojnë.

Qëllimet e Putinit janë të tregojë se NATO është një "tigër letre" dhe se lidhja më e dobët e NATO-s është në Ballkan. Disa muaj më parë, më shumë se 30 paqeruajtës të NATO-s u plagosën në Kosovë dhe Organizata Veri-Atlantike nuk ndërmori asgjë. Pikërisht atë për të cilën kishin shpresuar Moska dhe Beogradi. Duhet kuptuar se Vuçiqi përfiton politikisht nga kaosi në Ballkanin Perëndimor, i cili e ndihmon atë të justifikojë rëndësinë e tij politike dhe të mbajë kontrollin, të përshkallëzojë dhe më pas të de-përshkallëzojë krizën në rajon, e në këtë mënyrë të shantazhojë Perëndimin duke e pozicionuar veten si një shtyllë stabiliteti dhe paqeruajtësi rajonal.

Pra, Putini, Dodiku dhe Vuçiqi nuk kanë nevojë të përdorin tanke dhe avionë, sepse grupet paraushtarake dhe strategjitë mashtruese të mbështetura nga inteligjenca serbe në rajon janë gjithçka që u nevojitet për të arritur objektivat e tyre dhe të sigurohen që NATO dhe BE-ja thjesht do të shikojnë dhe nuk do bëjnë asgjë. Kjo, edhepse tingëllon e çuditshme, mos të harrojmë se gjatë viteve të '90-ta kur kishim një moment unipolar kur Rusia dhe Kina ishin të dobëta, edhe atëherë Perëndimi hezitoi ta disiplinonte Millosheviçin për disa vite.

Sot? Gjëja e fundit që i duhet Perëndimit është një front tjetër dhe Putini e di këtë. Duke qenë se jetoj në Ballkan dhe e kuptoj mirë mentalitetin e këtij rajoni, shumë politikanë perëndimorë duken të jenë naivë dhe nuk e kuptojnë sjelljen mashtruese ndonjëherë që hasin brenda këtij rajoni. Shumë diplomatë të huaj që janë në Ballkan nuk duan të sfidojnë status quo-në, pasi burokracia shpërblen kundër rrezikut dhe kjo është një avantazh për Moskën.

"Menaxhimi i perceptimit" ka rëndësi dhe kjo nuk mund të kuptohet në Ballkan duke përdorur vlerat dhe pikëpamjet perëndimore. Kjo është ajo që Moska e kupton më mirë dhe po përdor politikën e identitetit dhe fenë për të krijuar epërsi informacioni dhe për të synuar dobësitë në rajon. Ushtria ruse thotë: "Kush ka epërsi informacioni do ta fitojë luftën". Ballkani është shumë kompleks dhe Perëndimi i pëlqen zgjidhjet e lehta, mirëpo ekziston rreziku se një ecje e tillë nuk mund të funksionojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat