A do jetë e suksesshme hapja e negociatave me Ukrainën?!

Opinione

A do jetë e suksesshme hapja e negociatave me Ukrainën?!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 17:20
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bashkimi Evropian ka hapur sot negociatat për pranimin e Ukrainës dhe Moldavisë në Union. Hapja e negociatave është akti i parafundit për pranim. Pas kësaj, ndonëse kohëzgjatja mund të jetë marramendëse, vjen përcaktimi i datës së pranimit. Në fakt edhe me Turqinë këto negociata janë hapur zyrtarisht që në vitin 2005, por ato ende thuajse nuk kanë filluar. Turqia i filloi ato dhe Shirak e Schroeder sapo morën disa miliarda nga Rexhep Tayp Ergogan, i bllokuan për arsye gjeopolitike. Nuk donin që një gjigand politik, ushtarak, demografik e pse jo ekonomik si Turqia të konkurronte brenda këtij unioni.

Për Ukrainën dhe Moldavinë sot mund të jetë një ditë historike e njëkohësisht kjo ditë mund të rezultojë një bllof i politikës euro-atlantike. Sepse Brukseli jo pak punë i ka lënë përgjysmë. P.sh ka lënë përgjysmë pavarësinë e Kosovës, sepse pasi e nxiti atë të shpallë mëvetësinë, i vuri fusnotën dhe sot në projekt-marrëveshjen për asociacionin na ka kthyer të Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e 10 qershorit 1999. Pra, BE e ka kthyer Kosovën simbolikisht në statusin e para shpalljes së pavarësisë, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi më 22 korrik 2010 se kjo pavarësi është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244. Dhe kështu, për shkak të kompromisit me Serbinë, Europa mohoi ose nuk pranoi të zbatojë vendimin e asaj gjykate, e cila vendos drejtësi në glob.

A do të përfundojë në një gjendje të tillë edhe hapja e negociatave me Ukrainën?! Kam përshtypjen se vendimi i sotëm, i cili ishte më i kushtueshmi në historinë e BE-së, (dhjetë miliard dollarë për refuzuesin Viktor Orban), do të kushtëzohet nga suksesi ose mossuksesi i përfundimit të luftës në Ukrainë. Në vend të mobilizimit të përgjithshëm në unitet të plotë të të gjitha vendeve evropiane për ta çliruar me çdo kusht Ukrainën, krerët e shteteve dhe kryeministrat e Evropës i hodhën asaj një dorashkë të mohuar së paku nga viti 2014, kur duhej të ndodhte pikërisht kjo që ndodhi sot.

Pazotësia për të reaguar së bashku e me vendosmëri kundër Rusisë në Ukrainë nuk mund të kompensohet me vendimin për hapjen e negociatave me Ukrainën. Me cilën Ukrainë janë hapur këto negociata? Me atë bashkë me Krimenë, të njohur ndërkombëtarisht, apo me Ukrainën pa Krimenë?! Me Ukrainën e plotë pa Krimenë, por me Donbasin brenda saj, apo pa qytetet e lindjes. Me Ukrainën me Zelenskyn apo me një Ukrainë, siç thotë Vladimir Putin, të denazifikuar, d.m.th pa Zelenskyn?! Pra, me cilën? Me Ukrainën e plotë, pra, apo të pjesshme?! Dhe cila do të jetë ajo e pjesshmja?

Ndoshta Ukraina do të duhej të mësonte me metamorfozën e Evropës në Kosovë. Nga pavarësia te bisedimet teknike për zgjidhjen e çështjeve që lidhen midis dy vendeve. Ky ishte vendimi i fillimit i vitit 2011. Më pas nga bisedimet teknike te ato politike! Më vonë akoma, nga unitarizmi te federalizmi. E madje në një periudhë kohe 2017-2020, nga federalizmi te sesecioni, ndarja e Kosovës! Tani sërishmi te federalizmi sipas modelit të Republikës Srpska. Të më thotë dikush se në Ukrainë nuk do të ndodhë sindroma e Kosovës e jo vetëm e Turqisë?! Se një Ukrainë nën presionin e Rusisë e pjesërisht nën pushtimin e saj ka një perspektivë të qartë evropiane?!

Ndaj 27 pleqtë e Evropës sot na dhanë një spektakël të shëmtuar, me vendimin që morën për Ukrainën. Në vend që të kishin marrë vendimin për të miratuar miliarda në ndihmë të saj dhe të kishin përcaktuar fushat e ndihmës ndaj saj. Vendimi i sotëm nuk ka asnjë rëndësi për të ardhmen e Ukrainës, ndërsa atje lufta vazhdon. Mund ti shërbejë Zelsnskyt për përmirësim imazhi. Por vetëm kaq. Përfundimi i luftës duke e ndihmuar qeverinë dhe presidentin ukrainas me financa, armatime moderne etj. është dhe mbetet kushti themelor i paqes në Evropë. Një vendim evropian për të negociuar për integrimin e tij në BE, të një vendi pjesërisht të pushtuar e nën presionin e pushtimin ka ndikim zero! Është një vendim propagandistik, ndoshta simbolik.

Ndërkaq unë gjykoj se imediate është çlirimi i pjesës së pushtuar nga Rusia. Dikush do të thotë se hapja e negociatave është paralajmërim ose së paku një simbolikë se BE është e përkushtuar për çlirimin e Ukrainës. Por besoj se ky vendim është pikërisht e kundërta, për të fshehur pazotësinë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër pushtimit rus. Edhe vendimi për ti vendos sanksione Kosovës ishte i kësaj natyre. Pazotësi për të disiplinuar Serbinë. Për ti thënë asaj se “E shikon, ne nuk jemi kundër teje. Për hatrin tënd ne e ndëshkojmë Kosovën pa asnjë shkak”! Nuk i vihen sanksione Serbisë, e cila jo vetëm nuk pranon ti vendosë sanksione Rusisë, por në bashkëveprim me Moskën destabilizon Kosovën! Mjafton ky fakt për të dëshmuar se sa i përkushtuar është BE për Ukrainën!

Dhe së fundmi, kam frikë se hapja e negociatave me Ukrainën është karrem për ta bindur atë që të angazhohet për integrimin në union të asaj Ukraine që do të mbetet pas negociatave me Rusinë. Ka lajme se SHBA-të dhe evropianet i kanë filluar këto negociata me Vladimir Putin, të shpallur me akuzë për krime kundër njerëzimit! Loja vazhdon! Kosova nuk e ndryshon dot lojën e madhe, por duhet të ketë kujdes të sillet me shkathtësi dhe mençuri në këtë kaos gjeopolitik të sotmin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat