Kush të reagojë më parë: populli apo intelektualët...?

Opinione

Kush të reagojë më parë: populli apo intelektualët...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 08:28
Xhevat Mustafa

nëpër debate njerëzish të thjeshtë nëpër familje, lokale, rrjete sociale debatohet për gjendjen në të cilën është katandisur Shqipëria këto vitet e fundit, me fare pak suksese të përjetueshme dhe me shumë kulme për të këqija...Kur vjen fjala tek rrugët dhe faktorët që do të ndihmonin për ta ndalur këtë gremisje e për të filluar daljen nga fundi i humnerës, kuptohet apo shprehet tendenca për t’ia lënë rolin parësor intelektualëve dhe liderëve të opozitës, kur dihet se shumica e popullit është viktima e parë apo më e madhe. Aq më tepër kur dihet edhe se intelektualët janë pjellë dhe pjesë e popullit, me të mirat dhe të këqijat e tij. Pa miratim paraprak”, po bëhem zëdhënës i kontigjentit të intelektualëve të angazhuar në politikë, në analiza dhe debate politike, duke dhënë përgjigje subjektive e të debatueshme. Çfarë mund të bëjnë intelektualët e pakët idealistë, kurajozë dhe sakrifikues, kur në këtë vend nuk ka POPULL, SHTET LIGJOR FUNKSIONAL në standardet e Perëndimit, KUSHTETUTË, POZITË &OPOZITË, DEMOKRACI TË VËRTETË...!? Kur mbretërojnë partiakët fanatikë dhe militantë të verbër, oligarkët diploma- blerës; trafikantët, drogaxhinjtë, burgaxhinjtë, spiunët e vjetër enveristë dhe patronazhistët -edramistë...; qytetarët që shesin vetet dhe votat...për një vend pune apo post për veten, djalin dhe nusen e djalit, për vajzën dhe dhëndërin; për një copë pronë të shtetit a tjetërkujt; për një dorë milionash të pistë në lekë apo euro???

Kur pjesën më të madhe të ditëve shumica e njerëzve të rritur si mosha, në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit, e kalojnë nëpër kafene, qebabtore, byrektore, me celularë nëpër duar, para ekraneve të televizorëve duke parë gojëhapur Edi Ramën se si i mashtron, tall, fyen, turpëron...dhe deputetë të opozitës se si i kundërvihen, edhe dhunshëm...!? Kur darkat shtyhen duke parë serialet e telenovelave turke, në të cilat derdhen më shumë lotë, plumba, helme, gjak...se sa shi, lëngje frutash e ujë për të pi...si dhe duke parë ndeshje futbolli a boksi, ku në shumicën e rasteve humbësi masakrohet...Apo debatet televizive, ku analistët politikë, shumica papagaj partiakë dhe qeveritarë, përsërisin tekstet që ua kanë dhënë shefat. E keqja më e madhe është se Edi Rama me taborët e tij ia ka arritur të paralizojë reagimin masiv popullor si dhe të opozitës, duke e copëtuar dhe anemizuar me diversion shumëformësh nga brenda gjirit të saj dhe nga jashtë. Merret me mend, edhe me mbështetje ndërkombëtare, sidomos nga Xhorxh dhe Alex Soros dhe njerëzit e tyre në DASH e në ambasadën e SHBA- së si dhe të BE-së në Tiranë, Bruksel e në kryeqytetet e tyre.

Për t’u bindur se jemi popull me durim përtej njerëzor ndihmojnë edhe çmimet në tregjet, supermarketet apo dyqanet më të vegjël. Në krahasim me mbi 10 vjet më parë në fund vitin 2023 janë 2-3 herë më të lartë edhe çmimet në të gjithë artikujt ushqimorë të konsumit jetik. Domethënë, mishëra, bulmetra, miellra; ëmbëlsira; fruta- perime- zarzavate të njoma e të thata; lëngje frutash; pije alkoolike; artikuj dhe shërbime higjeno- sanitarë; elektronikë, pajisje hidraulike, të mobilimit familjar; veshje...!Nuk mund të harrojmë edhe fluturimin stratosferik të çmimeve në shërbimet shëndetësore, farmaceutike, spitalore, laboratorike, dentare... Shqipëria, një vend që prodhon naftë në sasi të mëdha e në rritje të vazhdueshme, çmimin e naftës e ka ndër më të shtrenjtët në botë...E keqja bëhet më e madhe dhe më me rrezikshmëri nëse “kujtojmë” se paralelisht dhe pashpirtësisht me rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe farmaceutikë ka ardhur edhe ulja e përmasave dhe e peshave si dhe rritja e nivelit të përbërësve hormonalë, kancerogjenë, kimikë (për zgjatjen e afateve të konservimit)...,kur duhej të ndodhte e kundërta...!?

Për më tepër e më keq, këto rritje drastike, varfëruese, depresuese...të çmimeve kanë ndodhur ndërsa pagat, pensionet, pagesat e mbështetjes sociale gjatë të njëjtës periudhë janë rritur vetëm 25-50%!? Së fundi, më shumë për humor, apo për të qeshur e qarë, vritini mendjet dhe kujtoni se sa kushtonte në dhjetor 2013 një biletë telebingo dhe sa kushton sot, në dhjetor 2023, ndërsa koeficienti i mundësisë për të fituar, qoftë edhe një biletë tjetër, është tej zvogëluar!? Besoj se ju kujtohet se sot një biletë ju kushton 4 herë më shumë? Duke iu drejtuar si qytetar shumicës së “popullit të majtë”, a nuk ndjeni zhgënjim, pendesë, shqetësim, keqardhje për veten dhe njerëzit e rretheve familjare, shoqërore, fqinjësore me të ardhura të ulëta si dhe zemërim e revoltim...kur shikoni për ditë këto çmime? Falë kësaj strategjie varfërimi dhe mplakjeje, nëpërmjet emigracionit masiv të moshave të reja, “përgjumjeje” apo apatie masive popullore, Rama-parti-qeveria ka vazhduar të qëndrojë për mbi 10 vjet e qetë “mbi kuajt, pelat, mushkat, gomerët...” e pushtetit, duke u sheikizuar njeri më shumë se tjetri pushtetarët dhe politikanët më të lartë dhe ortakët e tyre oligarkë, “investitorë strategjikë”, koncensionistë, ppp-istë...!? Në të kundërt, ndodh poshtë, tek shumica e popullit! Rama-qeveria ka kultivuar e masivizuar plot të këqija, me qëllimin dhe "dëshirën e mirë" që t’u rrisi shumicës së popullit edhe hallet e mbijetesës dhe varfërinë! Sepse nuk ka harruar edhe mësimet dhe përvojën 47 vjeçare të Enverit e të Ramizit, se ky popull qëndron si lepuj apo si qingja...shumë gjatë nëqoftëse ia nxin jetën dhe Shqipërinë; nëqoftëse e detyron të mendojë pareshtur për bukën e pakët të gojës dhe për tavolinën në varfërim të vazhdueshëm...Këtë mision ia lehtëson edhe partishmëria e çmendur, niveli i ulët i arsimimit, qytetarisë, kulturës, emancipimit politik dhe demokratik...tek masa dërmuese e popullit, me mendësi e vese skllavi...!.

Popullorçe, në gegnisht kësaj i thonë: Koka bon, koka pson! Po, deri kur kështu, ndryshe nga popujt në Perëndimin demokratik, shumica e shqiptarëve “nuk do t’i kenë kokat në vend dhe plot me mend”???!!! A nuk ka ardhur dita që masivisht dhe vullnetshëm t’u bihet kokave me grushte dhe mureve me koka? Por, duke i hequr më parë me forcë, shkelur me këmbë ose flakur në kosha plehrash, festet që u ka vënë mbi koka dinakërisht prej rreth 10 vitesh Rama-parti-qeveria...? Plot qytetarë të thjeshtë, për të justifikuar pasivitetin dhe nënshtrimin e tyre individual dhe masiv, si popull, kërkojnë dhe presin që për të shpëtuar nga kjo qeverisje, për të marrë "frutat që dëshirojnë", të lodhen dhe sakrifikojnë intelektualët e afirmuar prej vitesh si antikonformistë dhe antiqeveritarë të dy krahëve, të rrezikuar e të pambrojtur nga llojet e krimit, që lulëzojnë në Shqipëri e që i eliminojnë kundërshtarët e tyre deri në qelitë e “burgjeve të sigurisë së lartë”!? Ndërsa vetë të mos prishin rutinat e përditshme, rehatinë apo gjumin e tyre, të vazhdojnë të bëjnë sehirxhiun, spektatorin, konformistin, oportunistin...!? Kjo nuk është as e drejtë dhe as e logjikshme!

Është e nevojshme dhe këshillueshme që çdo qytetar të ketë atë nivel emancipimi qytetar, politik dhe demokratik që ti mbrojë dhe kërkojë vetë, me kurajë e brenda limiteve dhe kornizave ligjore e demokratike, liritë, të drejtat, interesat e veta individuale e familjare! Individët, qofshin politikanë opozitarë dhe intelektualë me vizione dhe përkushtime demokratike si dhe me kurajë civile, kanë rolin apo pjesën e tyre për demokratizimin e plotë e të përjetueshëm! Por jo shumëçka mund të kërkohet dhe pritet të bëhet dhe vijë prej tyre! Në mënyrë figurative, mund të thuhet se një popull pa opozitë dhe pa një kontingjent intelektualësh të pavarur, opozitarë objektivë dhe sakrifikues me çdo qeverisje, është si një ushtri pa komandë apo shtabe drejtuese. Ndërsa një opozitë pa mbështetje nga populli dhe kontingjenti i intelektualëve guximtarë dhe të veprave konkrete, është si një komandë dhe shtab pa ushtri! Në këto kushte bëhet e domosdoshme një aleancë e gjerë partiako-popullore me njëmendësi për shumëçka, një "urë lidhëse" në strategji, objektiva e veprime mes shumicës së popullit, opozitës dhe kontigjentit të intelektualëve të pavarur, por edhe të bindur e të përgjëruar për një qeveri shumë më të aftë e konstruktive; të përgjegjshme, shqiptare, njerëzore, sociale; shumë më pak të korruptuar...!

Të mirëkuptohemi: nuk e kam fjalën thjeshtë për ndërrim politik PS me PD, Rama me Berishën, Bashën e dikënd tjetër. Por, për qeveri pa mbizotërim njëpartiak, sidomos nga klasa politike e konsumuar dhe e diskretituar gjatë këtyre 32 vjetëve; për qeveri me drejtues dhe ministra edhe nga intelektualë elitarë dhe prestigjiozë nga shoqëria civile dhe diaspora, me imunitet të sprovuar apo të sigurt ndaj "virusit të korrupsionit" si dhe me reputacion dhe suport ndërkombëtar. Qeveritë që bëhen të padurueshme dhe me rrjedhoja të dëmshme për shumicën e popullit, nuk rrëzohen as nga kafenetë dhe as nga sherret e kufizuara apo të izoluara në sallat e parlamenteve! Ato largohen me protesta popullore demokratike dhe me shumicën e votave, me pjesëmarrje në votime në rreth 60-70% e me vota të hedhura nëpër kuti, me bindje, liri, ndershmëri të plotë e të pa kontestuar si dhe të numëruara në fund me transparencë dhe korrektesë maksimale. Vetëm kur shumica e qytetarëve me të drejtë vote të kërkojnë dhe imponojnë zbatimin e plotë të standardeve evroperëndimorë të lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, zgjedhjeve me të vërtetë të lira e të ndershme, mund të shpresohet se mund të bashkohen e të bëhen POPULL! Fjala është për një popull mbartës dhe sjellës rotacioni politik dhe qeverisjeje të aftë, të ndershme, njerëzore, kombëtare, të përkushtuar e të dobishme për shumicën e popullit, për Shqipërinë dhe kombin, për integrimin e merituar dhe jo të dhuruar për mëshirë në BE!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat