Serbia është tërhequr nga dialogu, dhe kjo po injorohet

Opinione

Serbia është tërhequr nga dialogu, dhe kjo po injorohet

Nga: Dren Dushi Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 11:58
Dren Dushi

Me sukses të konsiderueshëm, Presidenti Vuçiq ia ka dalë të bëj atë që në aferën “pronto” pretendonte ta bënte Hashim Thaçi me amerikanët, pra bëhet fjalë për termin “bullshit”, në raport me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi. “Dy djemtë jo-problematikë”, në esencë janë shumë problematik, por pikërisht kjo, në historikun politik të negociatave Kosovë-Serbi, mundësoi përcaktimin e termit të parë.

Pak pas dakordimit të Ohrit, që shihej me entuziazëm të madh jo vetëm nga Brukseli, por edhe Washingtoni, Vuçiq deklaroi se nuk ka nënshkruar asgjë, për të eskaluar javët e muajt në vazhdim duke e paraqitur dakordimin në Ohër, dhe më vonë plotësimet në Bruksel, si thjesht një dokument nga ku Serbia zgjedhë vetëm ato që i do, dhe asgjë nga ato që i do Kosova, apo obligon marrëveshja.

Pra, sipas kësaj logjike, Vuçiq ka bërë një dakordim, jo marrëveshje, sepse këto të fundit bëhen mes shteteve, e për Vuçiq, Kosova nuk është shtet. Po sipas kësaj logjike, Vuçiq nuk ka përse të jap konsiderata ndaj komunitetit ndërkombëtar, për një “metohi” pjesë të tij, por ai vetëm kujdeset të fitoj në kohë, derisa të plotësohen kriteret gjeopolitike për të vepruar siç u veprua me rajonin e Nagorno-Karabakh, këto i tha publikisht pak para zgjedhjeve në Serbi.

Se Presidenti serb Vuçiq po përdorë qasjen “bullshit” karshi ndërmjetësuesëve të dialogut Kosovë-Serbi, tregon edhe takimi i Tiranës, teksa në këtë kohë ai gjindej në Kinë, por tregoi shumë edhe fushata politike e tij në Sebi, teksa bëri mobilizimin elektoral me krejtësisht qasje të kundërt ndaj asaj që është arritur në dialog me Kosovën, dhe planin Franko-Gjerman.

Tërheqja e Serbisë nga dialogu nuk është rastësi, por ka qenë e planifikuar gjatë, dhe të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur gjatë kohës së fundit, vërtetojnë këtë konstatim.

Vuçiq ka përdorur luftën në Ukrainë mirë, përmes kësaj, ai ia ka dalë të shantazhoj tërë perëndimin, dhe për t’ia bërë të ditur perëndimit se e ka shumë seriozisht, organizoj edhe sulmin në Banjskë ku nuk doli mirë. Pikërisht, mos dalja mirë e sulmit me Radoiçiqin në krye të togës kriminale, e bëri Vuçiqin të hidhëruar, dhe këtë dështim nuk mundi ta pranoj, aq më pak një marrëveshje që Kosovën e lironte nga Serbia përfundimisht, për të ecë drejt BE-së, dhe antarësimit në organizata ndërkombëtare, pa u penguar nga Serbia. Kjo u shpall e pa-pranueshme nga Serbia pak para zgjedhjeve nacionale në Serbi, dhe tashmë mund të thuhet lirisht, të paktën sipas verzionit zyrtar të Serbisë dhe deklaratave të Kryeministres Brnabiq, dhe autoritetit suprem Vuçiq, se Serbia është tërhequr nga dialogu, problemi dhe “çudia” është se, ky fakt po injorohet.

Përse?

Sepse Vuçiq ka shpresë se Ukraina do shitet nga perëndimorët, meqë ka lodhje nga lufta, dhe në paketë, do shitet edhe Kosova. Pra Ukraina Rusisë, Kosova Serbisë. Sipas kësa shprese, Vuçiq do edhe pak kohë, derisa në SHBA të vijë në pushet Presidenti Trump, e të dërgoi të dekoruarin në Beograd, Ambasadorin Richard Grenell (të cilin Kosova nuk duhet ta pranoj më si ndërmjetësues), njëherish mik i atyre që nënshkruan Asociacionin, dhe planifikuan edhe ndarjen e Kosovës.

Për më tepër, zgjedhje që do ridefinojnë politikën në vendet e BE-së do ketë në vitin 2024, dhe rritja e forcave politike të lodhura nga lufta ekonomike dhe ushtarake me Rusinë, është në pah, një tjetër plus për planin Serb të blerjes kohë.

Tashmë që Polonia po rrezikon të humbë miliarda nga BE, meqë po do të ecë më e vetme e më e pavarur nga politikat e Brukselit, tashmë që edhe Hungaria po jep shenja se është më shumë një vend neutral mes Brukselit pjesë e të cilës familje është, dhe Rusisë, dhe me pesë vende në BE që nuk e njohin Kosovën, apetitet e Vuçiqit nuk kanë si të mos jenë më të mëdha dhe marrëveshja e fundit.

Çfarë pritet?

Do të jetë shumë interesante të shihet fushata politike e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, teksa unë besoj fort se, nëse administrata e Presidentit Joe Biden, me më së shumëti eksperiencë diplomatike ndër vitesh, nuk arrinë të përfundoj këtë punë gjatë 2024, meqë Serbia ia hodhi fytyrës edhe diplomatit “par-exelence” në Beograd Kristofer Hill tërë arritjet “bullshit” të këtyre dy viteve, Kosova do ketë dy oferta politike.

Oferta e parë do të jetë kjo aktualja, që e bëri Serbinë të presë deri sa të krijohen kushtet tjera gjeopolitike, por që nuk lejoi që Kosova të bëj akoma lëshime në dëm të vetës.

Dhe oferta e dytë do të jetë ajo e kushteve të reja gjeopolitike, që e vjetra politike e Kosovës mezi nuk po pret t’i përshtatet.

I mbetet popullit të Kosovës të vendosë sa do sfidoj rendin gjeopolitik, në luftë për interesat e veta, që Kosova të gjasoj sado pak me një shtet të pavarur, anipse me mbështetje të reduktuar të shtetit amë, Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat