Vështrim profesional ndaj shkrimit: “Mentor Hyseni: Fondi Sovran do të jetë reforma ma e madhe ekonomike në vend”

Opinione

Vështrim profesional ndaj shkrimit: “Mentor Hyseni: Fondi Sovran do të jetë reforma ma e madhe ekonomike në vend”

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 09:43
Autori Prof. Dr. Musa Limani

Lidhur me formimin e Fondit Sovran, unë kam dhënë opinionet e mia përmes shkrimit në gazetën “Bota Sot”, shih për këtë linkun: “Kthimi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit në Agjencinë Kosovar të Mirëbesimit – Bota Sot”

https://www.botasot.info/opinione/2072673/kthimi-i-agjencioni-kosovar-te-privatizimit-ne-agjencion-kosovar-te-mirebesimit/

Që në fillim duhet potencuar se autori i këtij shkrimi z. Mentor Hyseni, emërtimin e shkrimit të tij e ka titulluar me një emër bombastik, duke potencuar se, “Fondi Sovran do të jet reforma më e madhe ekonomike në vend”. Nga ky emërtim vetvetiu del konstatimi se autori i këtij shkrimi nuk e kupton se çka është, e çka kuptojmë me “Reformë ekonomike”. Reforma ekonomike nuk përkon me formimin e një fondi, siç është me këtë rast Fondi Sovran. Reforma ekonomike në vete ngërthen ndryshime rrënjësore në politikën e zbatuar makroekonomike. Për njohurinë e publikut të gjerë, në vazhdim në linja të trasha po prezantojë se çka kuptojmë me reformë ekonomike.

Reforma ekonomike në vete përfshin ndryshime rrënjësore në politikën e zbatuar ekonomike, përkatësisht në nën sistemet e saja. Me fjalë të tjera, reforma ekonomike paraqet ndërhyrjen e Qeverisë në ndryshimin e masave dhe instrumenteve të politikës fiskale, kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme, si dhe në ndryshimin e strukturës ekonomike, për ta bërë ekonominë e vendit, më funksionale dhe për të krijuar kushte për një zhvillim të qëndrueshëm, më efikas dhe më dinamik të ekonomisë së vendit. Andaj, reforma ekonomike paraqet ndryshimet në politikën makroekonomike, veçmas në politikën fiskale, që kanë për qëllim, apo synojnë të vendosin ekuilibër dhe stabilizim ekonomik të brendshëm, duke pasur parasysh edhe rrethanat dhe faktorët e jashtëm, me qëllim që të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm dhe efikas afatgjatë ekonomik.

Në kontekst të kësaj duhet potencuar, e për fat të keq, asnjë qeveri, e as kjo aktuale, nuk bënë, heq disa ndryshime të normave në politikën fiskale, kurrfarë reformash ekonomike në kuptimin e plotë të fjalës. Si shkas i kësaj është mungesa e potencialit profesional e pragmatikë, që rezulton nga politika destruktive kadrovike, që zbatuan të gjitha partitë pozitare, ku në krye të institucioneve shtetërore dhe Bordeve të ndërmarrjeve publike, emëronin dhe po emërojnë individ jo profesional dhe jo përkatës për resorët e caktuara. Pa dyshim, duke mos lënë anash edhe faktorët e tjerë, kjo dukuri e ka sjellë Kosovën në një pozitë shumë të pavolitshme politike, shoqërore (vecçmas arsimin dhe shëndetësinë), ekonomike dhe sociale.

Andaj, duke pasur parasysh atë që u cek më lartë për kuptimin e reformave ekonomike, vetvetiu shtrohet pyetja. Çfarë reformash sjellë Fondi Sovran?! Funksionimi i Fondit Sovran, ashtu si është paraparë me ligj, jo vetëm që nuk sjellë kurrfarë reformash ekonomike, por pengon veprimin e ekonomisë së tregut. Me anën e këtij Fondi, tentohet të bëhet koncentrimi i mjeteve financiare të ndërmarrjeve publike dhe ndërmarrjeve shoqërore dhe pronave të tjera që ende nuk janë privatizuar, e që janë nën administrim të AKP-së, që nuk përkon me funksionimin e ekonomisë së tregut, përkatësisht me veprimin e ligjit të vlerës. Lidhur me këtë, z. Mentor Hyseni, në këtë shkrim ndër të tjera shkruan: “Fondi ka paraparë që në fazën fillestare të marrë nën ombrellën e tij gjashtë ndërmarrje publike (Korporatën energjetike të Kosovës (KEK), Postën e Kosovës, Telekomin e Kosovës, Trainkosin, Infrakosin dhe Trepçën, nënvizoi: M.L.) dhe të funksionojë në formë të Shoqërisë aksionare. Secila ndërmarrje e ruan të drejtën e vet të pavarur në operim ndërsa fondi e merr rolin e pasqyrave të konsoliduara që realisht sheh projektet kapitale që janë paraqitur nga ndërmarrjet dhe varësisht nga shuma që ka akumulu fondi do të investoj në ato ndërmarrje”. Duke mos u lëshuar në formulimin e fjalisë në pikëpamje profesionale nga aspekti ekonomik, duhet shtruar pyetjen. Si mund të funksionojë-menaxhoj Fondi Sovran si Shoqëri Aksionare me ndërmarrjet publike, që janë të lëmive e degëve të ndryshme, si në pikëpamje vertikale, ashtu dhe horizontale?!

Madje, në kuadër të këtij shkrimi, z. Mentor Hyseni, cek: “Me themelimin e këtij fondi ndërmarrjet publike dhe asetet më të rëndësishme të vendit do të mbikëqyren nga Kuvendi i Kosovës dhe jo nga qeveria siç ka qenë deri më tani”. Shoqëritë aksionare janë person juridik dhe paraqesin formën organizative të ndërmarrjeve të mëdha, që formohen me bashkimin e shumë kapitaleve individuale në një kapital të përbashkët që udhëhiqen nga organet e tyre përkatëse, dhe veprojnë në bazë të ekonomisë së tregut. Andaj, ato nuk mund të mbikëqyren as nga Kuvendi e as nga Qeveria e Kosovës, por nga auditori i brendshëm dhe i jashtëm, sepse janë të pavarura në veprimtarinë e tyre. Në bazë të aksioneve, aksionarët fitojnë të drejtën pronësore dhe të udhëheqjes në shoqërinë aksionare. Pra, Fondi Sovran si i tillë, nuk mund të udhëheq me ndërmarrjet shoqërore si shoqëri aksionare. Si rrjedhim, mendoj se zgjidhja më e mirë, që ndërmarrjet publike të kenë afarizëm pozitiv, përkatësisht të jenë profitabile, nuk do te jetë Fondi Sovran, por do të ishte më drejtë që ato të shndërrohen në shoqëri aksionare, apo të privatizohen.

Në fund, Fondi Sovran, për të funksionuar ashtu siç parashihet me ligj, dhe si veprojnë fondet simotra në botë, duhet t’i plotësojë dy kritere kryesore: Së pari, duhet të ketë kuadro shumë profesionale në fushën e financave publike, që i mungojnë Fondit, dhe, së dyti, duhet të ketë kapital të madh financiar (miliardë, e jo miliona), që po ashtu i mungon këtij Fondi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat