Grenelli po vuan për Thaçin, Albini është “fajtor” për prishjen e pazareve për ndarje të Kosovës

Opinione

Grenelli po vuan për Thaçin, Albini është “fajtor” për prishjen e pazareve për ndarje të Kosovës

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 21 dhjetor 2023 Në ora: 17:29
Richard Grennell dhe Hashim Thaçi

Asnjëherë nuk ka ndodhur që një ish emisar amerikan edhe gjatë kohës kur ishte në krye të detyrës dhe pas saj, të kishte afërsi kaq të madhe me Serbinë. Në vazhdimësi ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, e së fundi e kritikoi që, sipas tij, ka hedhur poshtë çdo ide që BE-ja ka paraqitur. Mllefi ndaj Kurtit arriti deri aty sa e quajti edhe fashist. Grenelit po i pengojnë edhe ata që e mbështesin Albinin, me Gjermaninë "që është në anën e gabuar të historisë".

Nëse ka dikush që ka qenë në anën e historisë është pikërisht Grenelli që ishte rreshtuar me Thaçin dhe Vuçiqin për të ndryshuar kufijtë e Ballkanit, projekt ky puro ruso-serb. Andaj, për shërbimin e tij ndaj Serbisë, pikërisht në Ditën e shtetësisë së Serbisë (15 – 16 shkurt), Vuçiqi dekoroi Richard Grenellin, me Urdhrin më të lartë që shefi i shtetit serb dekoron personalitete të ndryshme që nuk janë shefa të shteteve.

Nuk është çudi, sepse Richard Greneli i ka bërë Serbisë shërbime të mëdha: Në cilësinë e emisarit special të presidentit amerikan, ai ishte ndërmjetësues krejt i njëanshëm. Është po ky person që gjatë kohës sa ishte ndërmjetësues u përpoq të ndante e copëtonte Kosovën, mos vallë kjo paska qenë në anën e duhur të historisë?!

Por jo, inati i Grenellit ka të bëjë me Albin Kurtin që nuk u bë pjesë e korit të tij për të arritur qëllimet e tija si lobist serb. Pavarësisht kërcëllimave të tija, s’kanë peshë fjalët e tij, veç sa i japin edhe më shumë të drejtë Kurtit që e kundërshtoi dikur Grenellin për t'u bërë pjesë e treshes famëkeqe për copëtim të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat