Liberalizimi i vizave dhe sfidat e Kosovës për zhvillim! 

Opinione

Liberalizimi i vizave dhe sfidat e Kosovës për zhvillim! 

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 25 dhjetor 2023 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Nga 1 janari, d.m.th. pas një jave, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet anëtare të zonës Shengen të Bashkimit Evropian plus Zvicra. Kosova e kishte shijuar para gjashtë dekadash shijen e udhëtimit pa viza në Evropë. Atëherë kur nuk kishte zonë të Shengenit. Prandaj dhe ata e dinë se çfarë rëndësie dhe kënaqësie individuale e krenarie kombëtare është të rikthesh atë lloj dinjiteti që ndjen kur udhëton pa u ftuar në shtëpinë e Perëndimit. 

Perëndimi hapi shtëpinë e tij, pavarësisht se disa vende e bllokuan këtë hapje prej së paku një pesëvjeçari. Tashmë qytetarët e Kosovës nuk do të mbajnë radhë në ambasada, as nuk do të harxhojnë kohë për të grumbulluar e noterizuar një deng dokumentesh për të marrë një vizë udhëtimi, me qëllim biznesi, turizmi apo vizite te të afërmit e tyre të shumtë në vendet e Evropës së Bashkuar! Nuk do të paguajnë gjithashtu për marrjen e një vize e kështu me radhë.  

Nuk është e nuk do të jetë më ambasada ajo që përcakton se kush duhet e kush jo të udhëtojë në ato vende. Por do jetë vullneti i secilit që dëshiron të lëvizë lirshëm e të kalojë kufijtë e Kroacisë apo të Hungarisë. Megjithëse shefi i ekzekutivit i shtetit të maxharëve është bërë e po bëhet gjithnjë pengesa kryesore e integrimit të Kosovës. Së fundmi ai kundërshton heqjen e masave ndëshkuese financiare të BE-së për Kosovën, masa të cilat u vendosën në mënyrën më absurde të mundshme. U vendosën masat aq lehtësisht dhe tani ngrihet një kryeministër mik i Serbisë dhe i Rusisë e nuk lejon me veton e tij të hiqen ato. 

Liberalizimi i vizave pati një kosto. Kostoja më e madhe ishte humbja e disa mijëra hektarëve gjatë demarkacionit me Malin e Zi. Hipokritët evropiane asokohe premtuan se me nënshkrimin e ratifikimin e asaj marrëveshjeje të demarkacionit BE do të liberalizonte vizat dhe do të mundësonte lëvizjen e lirë në Shengenin evropian. Por nuk e mbajtën fjalën. Ose ndoshta politikanët e lidershipit të Kosovës gënjyen qëllimisht për këtë premtim, me qëllim që të bëhej presion te qytetarët e ta pranonin humbjen e Çakorrit. Nuk u liberalizuan vizat edhe se dikush në BE deshi ta mbante Kosovën nën presion për ta pranuar atë që quhej “korrigjimi ose ndryshimi i kufijve” dhe ndarjen e Kosovës midis Serbisë së Vuçiqit dhe Shqipërisë së Edi Ramës, të cilët së bashku me Hashim Thaçin ishin bërë gati të ndanin “Çmimin Nobel për Paqe”! Por përdorën si justifikim mungesën e luftës kudër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Megjithatë nuk ndodhi as liberalizimi i vizave, as ndarja e Kosovës, as shpërblimi i autokratëve të Ballkanit me Çmimin prestigjioz të Akademisë suedeze të Shkencave. Ndodhën zhvillime të tjera, shpesh herë në kahje të kundërt. Ndërkaq sot jemi para një arritje të jashtëzakonshme. Kjo falë luftës kundër korrupsionit dhe krijimit të kushteve për një qeverisje bazuar në shtetin e së drejtës, sado që ka shumë punë për t’u bërë. Ndërkohë Kosova ndodhet para një sfide të jashtëzakonshme. Pyetja është se si ajo do ta menaxhojë lirinë e lëvizjes në Evropë! 

Armiqtë e shqiptarëve dhe të Kosovës po përpiqen të ushqejnë idenë se “Kosova do të boshatiset” dhe se banorët e saj do të mësyjnë drejt vendeve të BE-së. Është e njëjta propagandë e fillimit të shekullit XX, kur ish-kryeministri i Serbisë, Vladan Gjorgjeviç, në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” i quante shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës si “njerëz me bisht e lëkur kuqtë e Evropës”! Pasardhësit e Gjorgjeviçit kanë bërë gati skenarët që të trembin Evropën me “gogolin shqiptar”! Qeverisja e degraduar e dekadës së fundit në Shqipëri i ka ndihmuar këtyre skenarëve serbë, sepse Shqipëria fatkeqësisht në këtë dekadë ka përgjysmuar popullsinë e saj për shkak të emigracionit. 

Por shqiptarët e Kosovës dhe banorët e tjerë të saj janë më të përgjegjshëm. Kosova vetë nuk është Shqipëria e mafies. Kosova ka vendosur standarde demokratike dhe ekonomia e saj po zhvillohet me ritme të shpejta. Kosova është vendi me borgjin publik më të ulëtin në Evropë dhe zë vendin e tretë për ritmet e zhvillimit të saj. Korrupsioni nuk është tashmë një arsye e emigrimit të kosovarëve. E megjithatë qeveria e Kosovës do të duhet ta konsiderojë seriozisht ndonjë nxitje të valës së imigrimit. Për këtë arsye është me dobi rritja e pagave, shpërblimi më i mirë i punës së kualifikuar, punë me të cilën është krijuar dhe krijohet shtresa e mesme e popullsisë. Nëse qeveria Kurti dhe institucionet e Kosovës do të punojnë për ta zgjeruar shtresën e mesme, atëherë ato do të mundësojnë edhe luftën kundër varfërisë.  

Krijimi dhe konsolidimi i shtresës së mesme, zgjerimi i vazhdueshëm, mundësisht në progresion gjeometrik të saj, është kushti themelor për një shoqëri të qëndrueshme dhe shtet të konsoliduar, madje edhe për një komb të përparuar. Ndërkohë Kosova nuk duhet të bëjë gabimin e Shqipërisë e të degradojë dy sektorët jetikë të mirëqenies së një kombi, arsimin dhe shëndetësinë. Këta dy sektorë duhen zhvilluar me më shumë investime, por më shumë se investimet, të vlefshme janë idetë, përvojat pozitive euro-atlantike etj. Nuk ka produkt më pozitiv sesa investimi në arsim e shëndetësi. Arsimi konsolidon dijen, shkencën, teknologjinë, të domosdoshme këto për zhvillimin modern të vendit. Shëndetësia e bën shoqërinë më të lumtur! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat