Vaksinimi, terapi kundër fyerjeve dhe bulizmit!

Opinione

Vaksinimi, terapi kundër fyerjeve dhe bulizmit!

Nga: H.Rafuna Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 11:26
Foto ilustrim

Edhe pse fëmijët edukohen nga prindërit, se fyerja-sharja është diçka e keqe, kjo nuk ndihmon sa duhet, sepse kur bëhemi pak më të rritur n’a ngacmon një kurreshtje për fjalët e ndaluara, të cilat  për habi i ndëgjojmë shpeshherë nga të rriturit dhe prindërit! Si resultat i këtyre shprehjeve të fiksuara, fëmijët ndikohen mjaftueshëm dhe trashëgojnë këto shprehje të dëmshme.

Kjo peshë e rëndë në formën e një sëmundje kronike, përafërsisht paraqet shpirt ngushtësinë dhe ndjesinë e të dobëtit ndaj realitetit. Është për keqardhje se kjo është një shenjë përcaktuese dhe letërnjoftim se kush jemi dhe çfarë qëndrimesh kemi. Prandaj, ky realitet aktual i komunikimit dhe tolerancës shpjegon dyshimin dhe zanafillën e shëmtisë në fjalë. Ndjenja e mungesës së kontrollit, humbja e fuqisë personale dhe dominimit, shpërfaqet në formën e mallkimit, sharjes, zemërimit, frikësimit dhe kërcënimit si një “advokature ndihmëse” për të dominuar njëritjetrin!

Lidhja midis mallkimit dhe bekimit, një akt i të folurit, por me shenja të kundërta, përderisa fjalët përdoren si me magjepsje, thuaja se ato kanë një fuqi magjike dhe shpresëdhënse  se do të realizohet diçka nga këto fjalë. Edhe sharjet si formula të fiksuara, thjesht n’a dalin nga goja ndoshta më shpesh sesa na pëlqen, në vend që të shprehemi butë dhe mirë edhe kur kemi të drejtë.

Një rrëfim i mjekut personal t’shkrimtarit të njohur norvegjez Henrik Ibsen, që ishte në përkujdesje për dy vitet e fundit të jetës së tij, Dr.Edvard Bull tregon se si poeti përgjumshëm rënkone dhe mallkonte pa menduar fare, nga një shpërthim i dëshpruar i sëmundjes dhe dhimbjes që kishte.

Përveç kësaj, H.Ibsen nganjëherë shprehte pakënaqësi të përgjithshme me rrethin e tij dhe me situatën në të cilën ishte, duke ndejtë ulur në krevat dhe duke sharë veten. Një ditë mjeku Bull erdhi për vizitë dhe paraprakisht pyeti gruan e tij, Suzanën, se si ishte pacienti sot, ajo përgjigjet: "Doktor, sot duket më mirë, sepse ka sharë disa herë”!

Të sëmurit besoj se i falet kjo shëmti!

A është e mundëshme që të edukohemi dhe të kursejmë sharjen, bulizmin, inatin, zemërimin, urrejtjen, dhe njëkohësisht të lëshojmë nga goja shprehje të buta, dhe të njerëzishme për të ruajtë gjakëftohësinë dhe efektin pozitiv të komunikimit?

Një ligj i cili ndalon të gjitha fyerjet në Parlament, është një vakcinim i  ajkës parlamentare.

Kjo kishte me qenë një reçetë e mirëfillt, (një ligj shtetëror) i miratuar nga shumica e atyre që pranojnë të gjobiten, atëherë kur  fyerja i shoqëron jashtë rehabilitimit spitalor por edhe nëpër diskutime, komunikime publike dhe parlamentare.

Shpresoj se gjatë vitit  2024 do të kemi një ligj të miratuar në Kuvend të Republikës i cili sa do pak ngulfatë  fyerje-sharjen në parlament, në shoqërinë tonë dhe mediumet publike.

Kjo reçetë e mirëfillt, ky vaksinim i miratuar në logun e shtetit nga shumica e atyre që pranojnë gabimin dhe dënimin, reflekton dukshëm në besimin dhe funksionimin e shtetit ligjor!

Dt:29.12.2023

Hamdi Rafuna

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat