Papa Françesku bën thirrje kundër dhunës ndaj grave

Opinione

Papa Françesku bën thirrje kundër dhunës ndaj grave

Nga: Mimoza Dajçi Më: 5 janar 2024 Në ora: 09:40
Autorja Mimoza Dajçi

Papa Françesku që së fundi u shfaq me një plis të bardhë me shqiponjën dy krenare, foli më 1 Janar 2024 nga Selia e Shenjtë për parandalimin e dhunës ndaj grave. Kjo thirrje vjen si këmbanë alarmi për cilindo që ngre dorë mbi gruan, dhunon apo vret atë. Një arsimtare shqiptare sëbashku me dy fëmijët e saj u gjetën të vrarë në banesën e tyre nga bashkëshorti e babai i fëmijëve në New York.

Ngjarje tronditëse që po ndodhin mbarë botës edhe në shumë familje shqiptare. Dhuna në familje është shqetësim global dhe raste të tilla janë bërë virale në rrjetet sociale, kur një i dënuar tre herë për dhunë në familje godet gjykatësen në Amerikë. Në takimet me miket tona pyesim pse vritet një grua? Dihet se femrat janë seksi më i dobët, duke u ndalur tek femrat shqiptare, ato janë inteligjente, të bukura, sakrifikojnë shumë për fëmijët e familjen.

Meshkujt shqiptarë apo të huaj që dhunojnë apo vrasin një grua, një bashkëshorte shqiptare e ndjejnë veten inferiorë ndaj tyre dhe përdorin forcën e shpatullave duke ushtruar dhunë apo duke i marrë jetën asaj dhe fëmijëve të tyre. Përjashtuar sigurisht ata djem e burra që janë korrekt me veten dhe familjen e tyre. Inferioriteti bën këdo të izolohet e përgjithësisht tipa të tillë nuk janë të shoqërueshëm, bëhen paranojak. Duke u prirur nga pasiguria kanë komplekse dhe reflektojnë negativitet ndaj personit tjetër. Femicidi brenda tyre është më i lartë se i vetë femrës me të cilën ata bashkëjetojnë. Krenaria dhe karakteri jo nënshtrues i femrës i bën ata lloj meshkujsh më agresiv e posesiv duke kaluar në arrogancë, dhunë e krim.

 Duke folur në meshën e përvitshme në Vatikan Papa Françesku tha se nënshtrimi që mund t'i bëhet një gruaje është një nënshtrim për gjithë njerëzimin. Ndërsa duke vlerësur gratë tha se ato janë dhuruese dhe ndërmjetëse të paqes. Një burrë që ushtron dhunë ndaj një gruaje është shprehur Papa përfshihet në diçka që është pothuajse "satanike". Në një takim që kemi patur me Senatoren Ruth Hasell Thompson në New York tha se, kur dhunë shikojmë në familje edhe midis dy fëmijëve të vegjël duhet t'i veçojmë menjëherë nga njeri tjetri, aq më tepër dhunën mes një çifti që agravohet detyrimisht ata duhet të ndahen për mos patur drama më të rënda.

Por kemi dhe femra që "dashurohen me dhunuesin", dashuria për mashkullin kriminel i verbon sytë i rrëmben zemrën, si rrjedhojë femra kthehet në viktimë të tij. Rritet njësh me dhunuesin ajo dhe fëmijët e tyre. Në këtë rast tek to ndodh "Sindroma e Stokholmit" shpëlarja e trurit. Një e keqtrajtuar në vend që të urrejë dhe dënojë kriminelin dhe aktin e tij kriminal, i cli ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike e simpatizon dhe e dashuron atë. Gjendje psikologjike kjo që përfshin lidhjen dhe ndjenjat pozitive të viktimës kundrejt kriminelit. Dikush që preket nga kjo sindromë mund të ketë ndjenja konfuze ndaj dhunuesit si dashuri, simpati, empati dhe dëshirë për t'i mbrojtur ata. Por jo çdo kush përjeton këtë sindromë, ka raste që disa persona reagojnë në këtë mënyrë në situata ekstreme për mbijetesë. Sipas disa autorëve sindroma e stokholmit shfaqet në rrethana të ndryshme, ka raste kur një person kërcënon se do të vrasë një person tjetër, dhe duket vërtetë se është në gjendje ta bëjë këtë.

Përsëri ndjesë për ata djem, ata burra që janë dhe e ndjejnë veten jashtë këtyre kategorive, por këto mendojmë janë disa arsye që shpjegojnë vrasjen ndaj nje gruaje, por ka ende shkaqe të tjera ndoshta të panjohura akoma. Në Shqipëri sot janë ngritur "Strehëza" për gratë e dhunuara e fëmijët e tyre. Që ato të jenë në funksion të kësaj pjese të shoqërisë e mos braktisen prej tyre, duhet kërkesë llogarie dhe të punohet me standartet e kohës. Pasi në një emision investigativ kemi parë punonjëset e një strehëze të tillë duke i thënë grave të dhunuara, nëse duan të rrinë le të rrinë, përndryshe u tregojnë derën....dhe në mungesë të ushqimit për bebet e vogla i thonë t'i ushqejnë me ujë dhe sheqer...Shpresojmë që këto probleme të jenë adresuar e mos të përsëriten më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat