Filozofia e Rilindjes - Rrëno familjen dhe shtresën e mesme, pastaj zhbëje identitetin kombëtar!

Opinione

Filozofia e Rilindjes - Rrëno familjen dhe shtresën e mesme, pastaj zhbëje identitetin kombëtar!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 5 janar 2024 Në ora: 12:58
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Lajmi i fundit: - Vëllai vret vëllanë, pastaj dhe veten. Lajme të tjera të mëparshme: - Djali vret nënën! Burri vret gruan! Vëllai ther motrën! Plagosje të kushërinjve për pronën! Dhe të gjitha këto duken si përditshmëri e lajmeve në mediet shqiptare. Nëse një gazetar pyet kryeministrin apo anëtarët e kabinetit të tij, përgjigja është hazërxhevap: “Këto ndodhin kudo në botë”! Por ama në asnjë vend të botës nuk promovohen e anonçohen në medie lajme të tilla në përditshmëri. Përjashto rastet kur krimi konsiderohet masakër ose terror.

Pse këtu në Shqipëri jepen edhe lajme kur dikush divorcohet, kur dikush grindet, e jo më kur ndodhin krime në familje?! Ka një strategji të studiuar dhe të ndërtuar me shumë kujdes, finesë dhe djallëzi: - Të krijohet përshtypja se familja është në krizë dhe njerëzit të gjenden para fatalitetit, të pamundur për të reaguar dhe për të mbajtur një familje të shëndoshë. Ndërkaq shteti kujdeset që të rritet varfëria, me qëllim rrënimin e mëtejshëm të familjes. Situata dramatizohet shumëfish nëpërmjet medieve që përhapin lajme të tilla. Ndërkohë kjo nxit emigracionin, i cili e godet përfundimisht familjen shqiptare

.Edhe kaq sa shqiptarë kanë emigruar në dekadën e fundit janë të mjaftueshëm të dëmtojnë familjet shqiptare. Nga 12 qarqe në tetë prej tyre, sipas studimit të ditëve të fundit, jetojnë më shumë banorë të moshës së tretë, sesa të rinj. Qeveria e Rilindjes ndryshoi ekuilibrat e shoqërisë shqiptare në favor të armiqve të kombit tonë. Dhe formula e kësaj qeverie është të rrënojë familjen si qeliza bazë e shoqërisë sonë. Nga ana tjetër këtij qëllimi i shërbëjnë edhe politikat e zhbërjes së shtresës së mesme. Edhe në këtë rast ka një strategji të qëllimshme. Një komb pa një shtresë në rritje me të ardhura të garantuara për jetën e familjes dhe kjo është shtresa e mesme, është i destinuar të dobësohet dhe të shkatërrohet. Në periudhën e Mbretërisë shqiptare kishte vajtur në fshatin tim të lindjes kryetari i Komunës së Kukësit dhe i kishte kërkuar gjyshit tim 3-4 djem për t’i dërguar për shkollim në internatin Kosova të Krumës në Has.

Ndërkohë ai vuri një kusht: - Nuk i dua as të varfër, as të pasur shumë. I dua nga shtresa e mesme, thote administratori i Mbretit. Gjyshi e pyet se pse duhen këta? Dhe ai përgjigjet: “I varfëri ta shet atdheun për një copë bukë, ndërsa e pasuri ta shet atdheun për më shumë pasuri”! A ka një filozofi të tillë qeverisja e Rilindjes? Ajo nuk ka as nuk do ta ketë këtë mision e këtë vizion! Qëllimi e përpjekjet e saj janë të përçajë, sepse kësisoj mund e sundon më llehtë këtë vend e këtë popull. Qeveria shqiptare punon që ta varfërojë qytetarin shqiptar, sepse në këtë mënyrë e manipulon dhe i imponohet më me sukses. Ka si destinacion ta shkatërrojë familjen, me qëllim që kjo strukturë e shoqërisë të mos ndikojë te anëtrët e saj për të përzgjedhur alternativën më të mirë të qeverisjes në zgjedhje.

Lufta kundër shtresës së mesme është objektiv edhe i ligjit të tatimit për profesionet e lira, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2024. Rrënimi i kësaj shtrese është interes politik i Rilindjes, sepse vetëm shtresa e mesme nuk manipulohet dhe nuk gënjehet me një thes miell në këmbim të votës. Gjthçka që ndodh me shtresën e mesme dhe me familjen lidhet me pushtetin, zgjedhjet, manipulimin dhe imponimin e vullnetit të një oligarkie të caktuar, ku bëjnë pjesë politikanët e mazhorancës dhe ata të shiturit nga opozita, pronarë mediesh dhe më të pasurit në biznes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat