Ambasador i kujt është Petrit Malaj, i shtetit, apo i Edi Ramës?!

Opinione

Ambasador i kujt është Petrit Malaj, i shtetit, apo i Edi Ramës?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 6 janar 2024 Në ora: 11:57
Edi Rama

Petrit Malaj ka filluar të mbajë qëndrime identike me ato të Edi Ramës sa i përket Kosovës. Në një deklaratë të sotme ai citon vazhdimisht kryeministrin e Shqipërisë, sikur të ishte mesia! Pasi citon zotin Rama, edhe Petriti në stilin e shefit shqiptar të ekzekutivit kapet pas asaj çfarë duan Uashingtoni dhe kryeqytetet europiane e çfarë ato nuk duan. Pra, e përligjin kërkesën për krijimin e asosacionit me dëshirat dhe vullnetin e vendeve të QUINT-it. I thoshte qeverisë së Kosovës që të nënshkruante këtë asosacion siç e ka formuluar Borrell dhe Lajçak e më pas ta çojë në Gjykatë Kushtetuese. Guxim i madh që një ambassador që u bë ambassador pa qenë asnjë ditë diplomat, merr përsipër të diktojë çfarë duhet të bëjë e çfarë jo qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj!

Eshtë interesant gjithashtu se si ambasadori Malaj përdor të njëjtin stil si edhe kryeministri Rama për t’i dhënë lëgjitimitet dhe kuptim deklaratës që bën. Në fakt profesioni që ka, është profesion imitimi, riprodhimi dhe interpretimi skenik, i afërt edhe me këtë lloj qëndrimi që shfaq në deklaratën e tij. Nuk e di nëse ai është konsultuar me ministrin ose ministrinë e Punëve të Jashtme, apo e ka bërë atë deklaratë me urdhër personal të Edi Ramës.

Qemal Minxhozi gati dhjetë vite ishte ambasador në Kosovë. Por nuk e kam dëgjuar asnjëherë të përsërisë në deklarime publike të njëjtat fraza si edhe Edi Rama, siç bën pasardhësi i tij. Madje edhe sa i përket qëndrimeve të kryeministrit të vendit të tij për ndarjen e Kosovës dhe Open Balkan, Munxhozi ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, që as të mos konfrontohet me institucionet e Kosovës, as të mos përballet me padishahun e Tiranës. Petrit Malaj, duke mos qenë diplomat, mesa duket nuk i njeh kufijtë e funksioneve të ambasadorit.

Ai beson se është në Prishtinë si përfaqësues i Edi Ramës dhe jo i shtetit shqiptar. Dhe shteti në një vend normal shkon përtej rolit dhe funksionit të kryeministrit. Ambasadori përfaqëson në radhë të parë presidentin e Republikës, kreun e shtetit. Më pas qeverinë dhe ministrinë e tij të jashtme. Duhet që dikush ta kishte trajnuar Petrit Malajn para se të shkonte në detyrën e ambasadorit. Por mesa duket në këtë vendin tonë, vendin tim e vendin tënd, i dashur lexues, postet diplomatike e përtej kësaj janë thjesht poste prestigji dhe jo shërbimi diplomatik apo në fusha të tjera. Prandaj askush nuk kujdeset për përmbajtjen, por vetëm për formën, për të qenë në rregull me shefin e qeverisë, të plotfuqishmin e këtij shteti e vendi, padishahun shqiptar të shekullit XXI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat