Telefonat mobilë, rrezik për shëndetin mental të gjeneratës së re

Opinione

Telefonat mobilë, rrezik për shëndetin mental të gjeneratës së re

Nga: Ismail Muçiqi Më: 8 janar 2024 Në ora: 17:11
Autori Ismail Muçiqi

Askujt nuk po i bëjnë përshtypje fenomenet që po ndodhin pas luftës me përdorimin e telefonave të mençur (mobil) dhe përhapja e rrjeteve sociale. Jeta morale, arsimi, edukimi, kultura, shëndeti, dhe tradita familjare po atakohen gjithnjë e më shumë viteve të fundit duke përdorur mjetet informative të komunikimit përkatësisht telefonat mobil. Ky invazion tek pjesa dërrmuese e popullatës përditë e më shumë po shkakton dëme të pariparueshme në shëndetin e popullsisë përkatësisht te mosha e re e cila është në udhëkryqin e jetës dhe ardhmërisë.

Pothuajse në çdo familje Shqiptare është duke e harruar dhe anashkaluar traditat kombëtare te kulturës së komunikimit, e cila dikur ishte vlera më sublime e bashkimit të njerëzve, të miqve të burrave të kullave e më gjerë. Sot pothuajse çdo anëtarë i familjes është i lidhur ngushtë me telefonin i cili është shndërruar mjerisht në ushqim pa ditur se çfarë pasojash negative mund të pësojnë qytetarët.

Nëpër familjet tona kjo teknologji ka marrë përmasa të pakontrolluara gjithnjë e më shumë po rritet numri i personave të moshës rinore të cilët kanë problem shëndetësorë, duke kërkuar ndihmën e mjekut nga aspekti i zvogëlimit të pamurit, nga depresioni, nga agresiviteti, pagjumësia e shumë e shumë probleme tjera të cilat po paraqiten në shumë mjedise. Ky fenomen po ndikon drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e dobët në Sistemin e Arsimit dhe Edukimit në Kosovë. Sot nxënësit nga klasat e ulëta të shkollës fillore, të atyre të mesme e deri tek Universiteti janë larguar në aspektin psikofizik nga plan programet shkollore.

Të rrallë janë nxënësit të cilët mbajnë me vete libra apo fletore, çantë të shkollës, gjatë orëve të mësimit. Të rrallë janë nxënësit nëpër shkollat tona që gjatë një viti shkollor kanë lexuar ndonjë libër e mos të flasim më shumë. Telefoni mobil është bërë mjet përmes të cilit nxënësit marrin nota apo, përmes testeve improvizuese të cilat nuk janë te besueshme, apo vlerë bindëse për njohuritë reale të nxënësit apo studentit. Të gjitha këto metoda të aplikuara në Sistemin e Arsimit e kanë degraduar shkollën Shqipe dhe Sistemin e Arsimit në përgjithësi. Andaj raporti PISA është prodhim i gjendjes dhe i shkaqeve qe e kane sjell gjendjen ne Arsimin e Kosovës i cili është për tu dëshiruar.

Telefonat mobil janë instrument i zhvillimit marramendës të teknologjisë informative dhe nevojë për njerëzit të cilët kanë vetëdije dhe dinë çfarë të kërkojnë për avancimin e njohurive të përditshme në shkencë e teknologji, për inovacione që i kërkon koha. Mjerisht sot fëmijët tanë, nxënësit nga shkolla fillore posedojnë me telefona mobil pa asnjë program apo kontroll nga prindi, nga mësuesi apo nga shkolla si institucion Edukativo Arsimor. Duke u familjarizuar me këtë teknologji gjenerata e re gjithnjë e më shumë, po degjenerohet duke u futur ne boten e telefonave mobil përmes te cilëve po joshen edhe me dukuritë me negative te prostitucionit, te drogës, te kriminalitetit e çka jo tjetër?!.

Sot pothuajse çdo i dyti shofer qe vozite automjetin rrezikon jetën në komunikacion duke përdorur telefonin. Në fund të këtij vështrimi kjo gjendje e cila e ka përfshirë shoqërinë Kosovare nuk pritet te sjellë asgjë te mire. Kjo po shihet edhe nëpër rrugët tona ku po ndodhin fatkeqësi dhe qërim hesapesh ndërmjet njerëzve. Nëse kësaj dukurie nuk i ndalet hovi sa më parë pjesa dërrmuese e popullsisë do të përballet me rrezikun e shëndetit mendorë me pasoja te paparashikueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat