Vrasja e deputetit Hajdaraj e monitoruar nga Policia!

Opinione

Vrasja e deputetit Hajdaraj e monitoruar nga Policia!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 17 janar 2024 Në ora: 11:59
Shtatorja e Smajl Hajdarajt, Hero i Kosovës, vlerë shtesë për qytetin e Pejës

Në përvjetorin e 22-të ekzekutimit zyrtar të deputetit Smajl Hajdaraj, nderojmë me përkujtesë veprën e tij madhore: si inxhinier i diplomuar, veprimtar politik, kryetar i LDK-së të Rugovës, komandant i Shtabit të UÇK-së për Rugovën, deputet i Kosovës.

I lindur, i ritur dhe i edukuar në Familjen atdhetare të Arif Rekës, ish i burgosur politik, në ishullin e vdekjes të Golji Otokut, Smajl Hajdaraj trashëgoi atdhedashurinë, urtinë, trimërinë dhe, mbi të gjitha, ndjenjen e lirisë dhe të demokracisë. Andaj, përgjatë jetës së tij iu përkushtua ktyre qëllimeve fisnike.

Kjo dëshmohet edhe me letrën-Testament, të lënë nga Smajl Hajdaraj: 

Nuk jam hamendur fare, por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ, i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare. Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë, nuk duhet të harrohen nga askush.  Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku, për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës - qëllimi ynë i tanishëm".

Një kryebandit, i veshur me pushtet, në shoqërim të bandës së tij, kishte ndaluar veturën e Smajl Hajdaraj, duke e kërcënuar me revole në dorë: "Ose hiq dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, ose plumb kokës!" Komandanti e kishte shpërfillur kërcënimin, edhe pse e dinte forcën e tij, ngaqë, më parë, soji i tij kishin ekzekutuar veprimtarë të LDK-së, ushtarakë luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugova dhe kundërshtarë të tjerë politikë, përfshirë edhe brenda llojit, nga LPK-ja, për ta shmangur konkurrencën politike në të ardhmen. "Megjithatë, -pushka top-, se unë nuk komandohem nga ti dhe banditërit tuaj",- ishte gjegjur luftëtari Smajl Hajdaraj.

Fisnia dhe afria bashkëpunuese me Presidentin Rugova, shtoi dozën inatçore të krerëve të LPK-së, respektivisht, të PAN-it të sotëm. "Presidenti Rugova është në rrezik jete, na duhet një makinë e blinduar",- e porosiste Smajl Hajdaraj vëllanë e tij, Fazliun, në Gjermani. Dhe, një rreth i ngushtë mërgimtarësh dhanë nga 1.000 marka, e ndonjëri edhe më shumë, duke e përmbushur porosinë, në një kohë rekorde.

Njëri nga grupi i atentatorëve, që e shënjestroi me tritol Presidentin Rugova, nga burgu i Dubravës, do të deklaronte: "Po të ishte veturë e zakonshme, do të fluturonte në ajër, së bashku me Rugovën!" Edhe pse dihen, me emër e mbiemër, treshja e atentatimit dhe deputeti veteranë, i cili instruktoi atentatin, askush nuk u muar në përgjegjësi! Madje, i pikasuri për ekzekutim, ishte qytetari i parë i Kosovës dhe vrasja eventuale, do të konsiderohej si "vrasje e cilësuar!" Personi që pranoi krimin dhe të gjithë skenarin, tashmë, vuante dënimin për një tentim-vrasje të përsedytur!

Atentatin e dështoi, pikërisht, makina e blinduar, cilësore e solide, e përballoi shpërthimin e tritolit, duke pësuar vetëm dëmtime serioze. Dhe, ky dështim i tërboi "komandantët" e krimit. Por, kriminelët të stazhionuar në krimet serike, tashmë, i kishte zënë gjaku dhe nuk u pajtuan me dështimin. Andaj, projektuan dhe skenaruan kompensimin me një atentat të radhës. Hakmarrja u përzgjodh për fis, madje mashkullin më të mirë të fisit: kryetarin e LDK-së për Rugovën; Komandantin e UÇK-së për zonën e Rugovës dhe deputetin e Kosovës, Smajl Hajdaraj. 

Komandanti i djeshëm dhe Heroi i sotëm, Smajl Hajdaraj, e parandjeu rrezikun, e denoncoi atë, dy muaj më parë, në organet përkatëse, duke e kërkuar mbrojtjen afërt të policisë. Për ironi, Policia në vend që ta ruante atë, u bë pjesë e atentatit, duke u bërë roje e ekzekutorit. Dhe, kjo u provua kur vajza e Smaj Hajdaraj, e pa babain e shtrirë dhe të përgjakur, lëshoi zë të lartë vaji dhe bërtime, polici i uniformuar, i cili "rastësisht", u ndodhë në sekondat e parë, në hyrje të pallatit, ku ndodhi krimi, e qortoi vajzën: "Pse po bërtet, nuk u bë nami që u vra baba!" Ja, deri ku kishte arritur guximi dhe cinizmi i policit bandit, të njërës nga partitë-banda të PAN-it, të cilat i koordinonin bandat, në krimet vrastare të kundërshtarëve politikë!

Atentati ndaj deputetit Smajl Hajdaraj, i monitoruar, zyrtarisht, nga Policia e Kosovës, vërtetoi në plotëni, deklaratën bombë të Kolonel Tahir Zemaj, komandant i Betejës fitimtare të Loxhës, sot, Hero i Kosovës: "Nuk ka asnjë krim ordinier, ekonomik apo politik vrastar, pa pjesëmarrjen e Policisë të Kosovës; TMK-së dhe të "komandantëve" të UÇK-së të LPK-së!" Dhe, kjo, tashmë, është dëshmuar katërcipërisht.

LPK-ja, krahu ekstremist enverist-stalinist, i instruktuar nga Sigurimsat me ideologji filo-sllaviste të Enver Hoxhës, i barti nga Shqipëria në Kosovë, metodat fashiste që praktikuan komunistët shqiptarë, nën instruktimin e emisarëve jugosllavë, Mugosha-Popoviq, gjatë Luftës së Dytë Botrore, për marrjen e pushtetit me dhunë. Komunistët e Hoxhës, luftën çlirimtare e konvertuan në luftë civile, qytetare. Këtë e vërtetoi komimsioni i Aleancës Antifashiste, prandaj Shqipëria u përjashtua nga përfitimi i reparacioneve, dëmshpërblimi i luftës.

Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e themeluar nga Mejdani-Klosi, në Tiranë, ishte e njëjtë-tipike me Qeverinë komuniste-fashiste të Enver Hoxhës, të themeluar në mbarim të LDB. I vetmi ndryshim ishte në kohë-zgjatje: fashizmi hoxhist sundoi për 45 vjetë, ndërsa ai PAN-istë 15 vjet! 

Falë pranisë ndërkombëtare, e cila frenoi revanshin fashist-lëpëkeist-hoxhist, përndryshe, Kosova do të përfshihej në luftë qytetare. Thënë më troç: kidnapimet, arrestimet, torturimet në burgjet e shumëta rurale, deri në vrasje, në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë luftës. Dhe, pas luftës, kanë vazhduar ekzekutimet, ditën për diell dhe natën në errësirë, në makina dhe prag të shtëpisë, të ushtarakëve të FARK-ut, kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së, bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova dhe aktivistëve të tjerë, të konsideruar si kundërshtarë politikë të LPK-së, respektivisht, të partive-banda, PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN.

Shumë qindra të familje, përfshirfë edhe Familjen e Smajl Hajdaraj, anëtarët e të cilave u ekzekutuan, me lista emërore dhe urdhëra shtabiste, ushqenin shpresën se Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, do të hetonte, gjykonte dhe dënonte komandantët kriminelë, hartues të listave vrastare dhe urdhër-dhënës të drejtëpërdrejtë ose me sekserë, të bandave ekzekutore. 

Komandantët kriminelë, e kanë pranuar krimin vrastar të kundërshtarëve politikë, kur këmbëngulën që hetimi i krimeve të kufizohet vetëm deri në fund të vitit 2000! Ndërkohë që krimet politike, përfshi edhe vrasja e dëshmitarëve, kanë vazhduar edhe në vitin 2020, kur Beogradi ia besoi shpërndarjen e dosjeve të Hagës në Kosovë, Shoqatës të OVL të UÇK-së, për ta shtrirë përçarjen vrastare ndërshqiptare. Për rrjedhojë, nga denoncimi i bërë, të paktën, dy dëshmitarë të Hagës janë vrarë.

Me shumë keqardhje, premtimi solemn i Lëvizjes Vetëvendosje dhe personalisht i Albin Kurtit, se "do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin, po sa ta gëzojmë pushtetin", pjesërisht, është realizuar. Krejt i dështuar është hetimi dhe ndëshkimi i vrasjeve politike dhe i korrupsionit paraprak. Ndërkohë që krimit kurrë nuk i skadon afati! 

Kryeministri Kurti emëroi kryetar të "Komisionit për Krimet e Luftës", Shahin Idrizin, por pa i përmendur vrasjet politike të shqiptarëve. Dyshohet se Kurti u pendua për "biletën një kahëshe për në Hagë", për Hashim Thaçin. Dhe, këtë e përforcon edhe deklarata e Kurtit, kur thotë se "nuk besoj se ka vrasës nga UÇK-ja", ndërkohë se në gjitha vrasjet politike, janë pjesëmarrës kriminelë nga "UÇK-ja e LPK-së" dhe paguhen si "veteranë të UÇK-së!" 

Vizitat në Hagë të disa ministrave të Albinit, janë skandaloze, përjashto ata të detyrës ligjore, si Albulena dhe Glauku. Edhe deklarimet paushalle, si "besojmë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së" dhe pallavra të tjera, janë të poshtra e provokative për shumë qindra familje, të cilave u janë vrarë familjarët, për motive politike. 

Prokuroria e Hagës, e para dhe e dyta, kurrë dhe asnjëherë, nuk kanë arrestuar dhe, aq më pak, dënuar asnjë njeri të pafajshëm. (Përjashto një rast në Ferizaj, i ngatërruar në emër dhe i liruar brenda dy ditësh, me kërkim-falje dhe dëmshpërblim të majmë). Ndërkohë, në Kosovë, ka shumë qindra kriminelë që bredhin të lirë, gëzojnë pensionin e TMK-së, një paradoks i llojit të vet, të UÇK-së, me një serë përfitimesh të tjera. Dhe, ky është kontigjenti prej 40 mijë "veteranësh" të rrejshëm, njëherësh, shumica klientelë elektorale e partive-banda PAN-iste.

Shantazhet dhe kërcënimet e komandantëve FARK-istë dhe të veprimtarëve të LDK-së, kanë qenë vrazhdëta e kriminale. "Ahmet Krasniqi i ka ditët e numëruara, ne do ta vrasim",- thoshte në një takim në me mërgimtarët, në Suedi, i ngakruari me punë të Jashtme i LPK-së, Bardhyl Mahmuti. Dhe, askush nuk e pyeti atë, ku e dinte ai për "ditët e numëruara të ministrit në fjalë"?! Vërtet, ato ditë, minstri i Luftës u ekzekutua, zyrtarisht, me urdhër të Tiranës zyrtare dhe klyshëve të saj, LPK-së. Edhe kërcënuesi me revole i komandantit Smajl Hajdaraj ka emër. Juristi Shaban Manaj u kidnapua në mesditë, nga kriminelë me emër. Banda komplete u arrestua, u hetua dhe, paradoksalisht, u lirua, për ta vrarë kreun e bandës dhe dosja u mbyllë!?

Vonë u kujtua ish-zëdhënësi i UÇK-së të LPK-së, Jakup Krasniqi, ta akuzojë Hashim Thaçin me shokë, për tradhti ndaj Kosovës, sepse sabotuan luftën, duke mos e futur fare në luftën e Kosovës, atë "UÇK-në" e tyre. Dhe, sot, përkujtojnë tej 400 masakrat dhe mburrën me Betejën e Loxhës dhe luftën e Kosharës, përkatësisht, fitore të Kolonel Zemajt dhe Ministër Krasniqit me oficerët e tyre të karrierës dhe të ushtarëve trima, që ata i përgaditën për luftë. Por, lavdinë e tyre nuk e duruan kriminelët enveristë dhe i ekzekutuan. Njëjtë vepruan me Smajl Hajdaraj, Komandant Drinin, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj dhe dhjetra të tjerë.

Më 28 nëntor 2023, Pejës iu kthye në Shtatorën e bronztë, veprimtari, luftëtari dhe deputeti Smajl Hajdaraj. Në perurimin e bujshëm dhe gjithë hijeshi, në mes tjerash, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se "Smajl Hajdaraj është vetë historia e trimfuese e Republikës të Kosovës. Ai ishte një personalitet i kompletuar, veprimtar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova, luftëtar dhe komandant i shquar, intelektual, deputet, atdhetar i devotshëm, Hero i Kosovës".

Përjetësimi në Shtatore e Heroit Smajl Hajdaraj, përveç Familjes Hajdaraj, ishte dëshirë dhe kërkesë edhe e opinionit shqiptar, në veçanti të Mërgatës. Dhe, si zakonisht, koordinimi i mirë i LDK -së në Kosovë dhe Mërgatë, Ramadan Kurtmuqaj, kryetar i Nëndegës në Rugovë, me Shoqatat "Sali Çekaj" në Gjermani dhe Zvicër si dhe Shoqata "Rugova", në SHBA, të kryesuar, përkatësisht, nga Osman Ferizi, Gent Ferizi, Saim Tahiraj dhe Feriz Muriqi, gjithnjë me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre të vullnetshëm, shquhen në aksione. Ishin po këto subjekte, të cilat financuan Kompleksin Memorial madhor, "Dr. Ibrahim Rugova", në fshatin e origjinës, në Malaj të Rugovës.  

Të përmendurit më sipër, kanë realizuar shumë aksione memoriale historike dhe humanitare ndër vite. Vetëm vitin e shkuar, 2023, për këto qëllime, realizuan 200 mijë euro. "Hijen e lehtë e paska pasur Heroi Smajl Hajdaraj, ngaqe ende pa funduar aksioni për Shtatorën e Heroit Rrustem Bruqaj, nismoi dhe realizoi atë të Hajdaraj, madje tepricën e dhuroi për ndërtimin e shtëpisë, të një luftëtari të Kosharës, me banim në Mitrovicë", - tha koordinatori, i vyeshëm e klasik, i këtyre aksioneve, Osman Ferizi, ish-kryetar i LDK-së, në Gjermani.

Një mirënjohje të veçantë meriton ish-i burgosuri politik, ish-luftetari i UÇK-së dhe tani kryetar i suksesshëm, i komunës të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili u bëri "strehë", në qytetin e Pejës, bashkëluftëtarëve të tij, tashmë, në Shtatore: Kolonel Tahir Zemajt, komandantëve Rrustem Bruqi e Smajl Hajdaraj si dhe disa të tjerëve më parë. Peja piktoreske, -Peja lule e Dukagjinit-, tashmë, është stolisur e zbukuruar më Shtatorët e bronzta të Heronjëve tanë. Përkujdesje fisnike kryetar Muhaxheri ka dëshmuar edhe me rastin e ndërtimit të Kompleksit Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", në fshatin Malaj të Rugovës. 

Mirënjohje dhe falenderim për Skulptorin e talentuar, Gëzim Muriqi, i cili ka realizuar, mjeshtërisht dhe suksesshëm, Shtatorët: e Presidentit Rugova, në Malaj dhe Istog, të Kolonel Tahir Zemaj, Rrustem Bruqaj, Smajl Hajdaraj, në Pejë, dhe vepra të tjera të historike e artistike. Përkrah Muriqit, si gjithëherë, është edhe Arkitekti i zëshëm, Blerim Bajraktari, i cili, veç tjerash, ka shkëlqyer në artin e arkitekturës të Kompleksit Memorial në Malaj, me Kullën e traditës, Shtatorën e Presidentit Rugova dhe mjedisin rrethanor, me përshtatjen bjeshkore.

Përhajr Shtatorja e Smajl Hajdarajt, Peja jonë. Lavdi në përjetësi Heroit Smajl Hajdaraj dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Atdheut-Kosovë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat