Pse krerët shtetëror të Kosovës e injoruan avokatin serb, Çedomir Stojkoviç, i cili dje bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve të familjes Jashari!?

Opinione

Pse krerët shtetëror të Kosovës e injoruan avokatin serb, Çedomir Stojkoviç, i cili dje bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve të familjes Jashari!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 19 janar 2024 Në ora: 15:39
Autori Rexhep Elezaj

Pa pasur nevojë për t'u kthyer në vitet e 90-ta për t'i përshkruar masakrat, krimet barbare dhe gjenocidin e regjimit të Serbisë fashiste të kryera në Kosovë gjatë vitit 1998-99 ndaj dy milion shqiptarëve, sidomos duke marrë parasysh faktin e pamohuar, se regjimet e ardhura në pushtet në Serbi pas mbarimit të luftës në Kosovë (qershor 1999), vazhduan me të njëjtën politikë hegjemoniste ndaj Kosovës me shantazhe, kërcënime dhe destabilizim të Kosovës përmes serbëve lokalë, përkatësisht Listës (kriminale) serbe në veri, etj., duhet pranuar faktin, se çdo nismë nga ana e serbëve, qoftë ajo edhe individuale, siç ishte veprimi i kryetarit të PR të Serbisë, z. Nikolla Sandulloviç si dhe akti i djeshëm i avokatit serb nga Beogradi, z. Çedomir Stojkoviç, të cilët erdhën dhe u përkulën para varrezave të dëshmorëve të familjes Jasharaj, duke kërkuar falje për krimet e shtetit të tyre që i ka kryer në Kosovë, kjo nismë e tyre nga ana e udhëheqësve shtetëror të Kosovës do duhej ta kishte respektin dhe kujdesin e merituar.

Mirëpo, për fat të keq, ky kujdes dhe respekt shtetëror për veprimet civilizuese dhe humane të avokatit serb, Çedomir Stojkoviç, nuk u treguan fare nga institucionet tona shtetërore, gjë e cila flet qartë, se krerët e shtetit të Kosovës rastet e këtilla të cilat ndodhin vetëm njëherë në histori, ose nuk ua kuptojnë peshën, ose i injorojnë për shkak të megalomanisë dhe mos përvojës diplomatike, ngase pozita politike i N. Sandulloviçit dhe ajo e Ç. Stojkoviçit ishin të nivelit bukur të lartë, ku nisma e tyre për kërkim falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, gjegjësisht përulja e tyre para varrezave të dëshmorëve të familjes Jasharaj, para së gjithash, ishte një gjest fillestar për pajtim mes popullit serb dhe popullit shqiptar, e që ka peshë historike, por të cilin akt dje institucionet e Kosovës e injoruan pa asnjë arsye. z. Ç. Stojkoviç duhej ta pranonte në takim protokollar kryetari i Kuvendit të Kosovës, ose së paku dikush në cilindo nivel shtetëror.

Pra, vizitës dhe përuljes së djeshme të avokatit serb nga Beogradi, Ç. Stojkoviç para 65 dëshmorëve të familjes Jasharaj në Prekaz, do duhej t'i jepej karakter zyrtar nga ana e shtetit të Kosovës, qoftë dhe për faktin e vetëm, që Beogradit zyrtar t'i dërgohej mesazh i qartë, se derisa të njëjtin veprim nuk do ta bënë qeveria e Serbisë, siç e bënë z. Sandulloviç dhe Stojkoviç, pra të kërkoni falje publike për krimet e bëra në Kosovë, kurrë nuk do të ketë pajtim dhe as normalizim të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, gjegjësisht mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Mirëpo, duket qartë se krerët aktual shtetëror të Kosovës, siç e kanë treguar disa herë deri më tani, nuk kanë aftësi t'i kapin momentet historike, as në kuptimin politik dhe as atë diplomatik, sepse u mungon shumëçka nga dija dhe përvoja në udhëheqje me shtetin, kur dihet se po të ndodhte e kundërta e kësaj në Serbi, krerët e shtetit serb këtë rast historik do ta materializonin maksimalisht në favor të shtetit të tyre, gjë që këtë mjeshtri politike nuk dinë ta bëjnë politikanët dhe krerët e shtetit të Kosovës, pa dallim.

Sepse, një kujdes dhe pranim në takim, në cilindo nivel shtetëror të Kosovës, të avokatit serb Ç. Stokoviçit, një politikan ky shumë pro-perëndimor dhe njeri humanist, do kishte qenë një akt i cili do ta shpërfaqte fuqishëm para botës mikpritjen shqiptare, por para së gjithash, do e tregonte shpirtin human të shqiptarëve si dhe respektin e tyre ndaj secilit serb, pa marrë parasysh pozitën e tij zyrtare, i cili ndaj popullit shqiptar dhe Kosovës tregon miqësi, mirëkuptim, pranim të krimeve si dhe kërkim falje për gjenocidin e regjimit të Serbisë i bërë ndaj popullit shqiptar në Kosovë në vitet 1990 - 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat