Janë të vegjël e askushi ata që e anashkalojnë nga aktivitetet e "Flakës së Janarit" figurën e dr.Ibrahim Rugovës

Opinione

Janë të vegjël e askushi ata që e anashkalojnë nga aktivitetet e "Flakës së Janarit" figurën e dr.Ibrahim Rugovës

Nga: Gjon Keka Më: 20 janar 2024 Në ora: 23:42
Gjon Keka

Pesha e historisë kishte rënë mbi supet e Ibrahim Rugovës e ai e kishte pranuar këtë sakrificë, sepse populli kishte nevojë për një lider dhe politikan të moderuar dhe me vizion të qartë...

Nga kjo mund të themi se vepra e dr. Ibrahim Rugovës qëndronte mbi këto parime: aftësia e tij për të përdorur origjinën e tij të lashtë, vlerat sublime të kombit arbëror europian, i përulur, i ndjeshëm, zotëronte ndjenjën e mprehtësisë ndaj drejtësisë, me aftësi të jashtëzakonshme për të parë thelbin e çështjes, me besim në demokracinë e vendit, zotëronte oratorinë e duhur e të nevojshme dhe buzëqeshjen prej burrështetasi të madh dhe mbikohor. Shquhej për vetëbesimin e palëkundur, lider dhe personalitet i pakontestueshëm dhe historik, si arkitekt i ndërtimit të shtetit sipas filozofisë së tij politike kombëtare, si arkitekt i vetë shtetit modern dhe europian të Kosovës, ashtu edhe i partisë LDK. Ishte një figurë heroike me vizion të qartë e me praktikën për të realizuar qëllimet e tij të larta politiko-historike, si dhe një filozof i madh i lirisë dhe paqes.

Ibrahim Rugova, si president dhe politikan vizionar ishte lojtari kryesor rreth kërkesës për zgjidhjen e nyjës së Kosovës, zgjidhje kjo pra historike për liri, demokraci dhe pavarësi. Politika e tij vizionare, më pas filozofia e tij politike kombëtare, ndoshta më shumë se e çdo presidenti tjetër në mes të shekullin XX dhe në fillim të shekullit XXI, i ka dhënë formë botës së sotme politike e demokratike, si në vend ashtu edhe në rajon e më gjerë.

Rugova, po me këto përpjekje iu bashkëngjit elitës moderne apo më mirë të themi asaj pjese të lëvizjes më përparimtare të historisë, pastaj të parimeve për vetëvendosje të kombeve, duke u frymëzuar nga idetë e presidentit të 28-të amerikan Woodrow Wilson e shumë të tjerëve.

Duhet nënvizuar se ai ishte një ndër figurat kryesore politike të historisë së messhekullit XX dhe fillimshekullit XXI. Me stilin e një politikani vendas vizionar dhe largpamës e me sjelljen e tij në politikën e jashtme, dr. Ibrahim Rugova u bë një figurë dinamike. Me qëndrimin e tij, ai u admirua edhe nga vendet e botës demokratike. Figura e tij karakterizohej nga durimi e qetësia.

Krejt në fund mund të them se, janë të vegjël,të parëndësishëm e askushi ata pushtetar si të institucioneve qendrore e lokale të Kosovës që e anashkalojnë figurën madhore të vizionarit presidentit dr.Ibrahim Rugova.Është turp ta heqësh nga aktivitetet e "Flakës së Janarit" presidentin historik dhe ideatorin e Dardanisë(Kosovës) së pavarur dhe europiane.[Gjon Keka]

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat