Kosova, si dhe vendet tjera, ka sistem financiar dhe bankar unitar

Opinione

Kosova, si dhe vendet tjera, ka sistem financiar dhe bankar unitar

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 22 janar 2024 Në ora: 23:10
Prof. Dr. Musa Limani

Sistemi financiar paraqet një nënësitem shumë të rëndësishëm të sistemit të përgjithshëm ekonomik, veçmas të politikës së zbatuar ekonomike. Ndërkaq, sistemi bankar paraqet pjesë të sistemit financiar, kurse bankat janë instrumente më të rëndësishme të këtij sistemi. Andaj, sistemi financiar, e në kuadër të tij sistemi bankar, kryen një sërë shërbimesh, si të sektorit ekonomik dhe joekonomik, ashtu edhe të popullsisë, duke bërë sistemin e pagesave (transfereve financiare), me rastin e qarkullimit të mallrave brenda dhe jashtë vendit, koncentirimin dhe alokimin e kursimeve, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në funksisonimin e ekonomisë së vendit.

Siç dihet, pas çlirimit (1999), si sistemi ekonomiko-shoqëror, ashtu dhe sektori i financave publike u zhvillua në kushte specifike, me ç’rast edhe sistemi bankar dhe financiar duhej të kaloj krejtësisht në një sitem të ri i mbështetur në postulatet e ekonomisë së tregut. Andaj, hap i parë që duhet bërë në sektorin e financave publike, ishte përcaktimi i njësisë monetare, që paraqitet një problem shumë të ndërlikur, jo aq ekonomik sa politik. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, përcaktimi i njësisë monetare në Kosovë nuk ishte vetëm çështje teknike, por ishte një problem shumë kompleks dhe i ndërlikuar politikë. Në këtë fazë, pasi që Kosova ende nuk ishte e pavarur, por nën protektoratin ndërkombëtar të udhëhequr nga UNMIK-u, me ç’rast si pyetja në vete paraqitej se çfarë njësie monetare duhej të kishte Kosova, dinarin apo ndonjë valutë të vendeve të tjera.

S’ka dyshim se, intenca jonë ishte që sa më parë të hiqej dinari si njësi monetare nga Kosova. Lidhur me këtë, në vitin 2000, në mbledhjen e Këshullit për Politikë Ekonomike (KPE), që ishte bartës i vetëm i politikave zhvillimore në këtë kohë, të cilën e udhëheqte J. Dikson, ku ishte prezent edhe administratori z. Kushner, unë si anëtar i këtij forumi, propozova që në fillim si njësi montere në Kosovë të jetë marka gjermane. Ndaj këtij propozimi ashpër reagoi faktori ndërkombëtar. Mirëpo, falë mirëkuptimit dhe mbështetjes së plotë të administratorit (Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjilhshëm - PSSP) të Kombeve të Bashkuara, të parë në Kosovë, Z.  Bernard Kushner (Benard Kouchner), u krijuan kushte dhe atmosferë politike, që në fillim si njësi monetare të përdoret paralel me markën gjermane edhe dinari serb. Ky ishte një hap pozitiv, sepse me kohë, me zbatimin e markës gjermane si njësi monetare për pagesa në të gatshme, u hoqë nga përdorimi në transaksionet financiare të brendshme dhe të jashtme dinari serb. Ky proces, pos tjerash, paraqite edhe një element (hap) drejt pavarësisë së Kosovës. Më vonë, me hyrjen në fuqi të euros, si njësi monetare e përbashkët në sistemin unik monetar të BE-së, në vitin 2002, edhe në Kosovë, edhe pse nuk ishte ende e pavarur, si njësi monetare u caktua euro. Posa u caktua euro  si njësi monetare, përnjëherë u bë konvertimi i markës në euro dhe doli nga funksioni dinari serb. Kjo, njëherit paraqet edhe zanafillën e sistemit financiar, përkatësisht përcaktimit zyrtarë të njësisië monetare pas çlirimit në Kosovë. Andaj, duke filluar që nga viti 2002, si dhe tani (heq komunat me shumicë serbe) që nuk e kanë përfillë si njësi monetare në transaksionet financiare të brendshme dhe të jashtme, në Kosovë funksionon euro.

Andaj, duke filluar që nga viti 2002, në Kosovë njësia monetare zyrtare në sistemin financiar dhe bankar, ka funksionuar euro, si për pagesat e brendshme ashtu dhe të jashtme. Mirëpo, këtë nuk e respektoi minoriteti serb në komunat me shumicë serbe. Kështu, në Kosovë që nga çlirimi e deri në ditët e sotme, në të gjitha komunat me shumicë serbe, të gjitha llojet e pagesave janë bërë në dinar serb, si: marrja e pagave, pensioneve, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale etj., që mereshin nga Serbia. Madje, në pjesën veriore të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe edhe tregtia e brendshme, shitblerja dhe çmimet janë bërë me dinar serb. Të gjitha këto pagesa janë bërë nëpërmjet disa institucioneve ilegale, që nuk ishin të licencuaara nga BQK, si:  “Srpska pošta-Posta serbe”, “Poštanska štedionica-Kursimore e postës”, “NLB Komercijalna Banka-BRL Banka Komerciale”. Të gjitha këto transfere financiare në Kosovë janë bërë nëpërmjet Bankës Kombëtare të Serbisë.

Andaj, më shumë se dy dekada në pjesën veriore të Kosovës veprojnë strukturat paralele të dirigjurara (manipuluara) nga Beogradi zyrtar, në të gjitha fushat jetësore, si në: politikë, arsim, shëndetësi, ekonomi, sistemin financiar dhe bankar e minifinanciar, pa licencimin e BQK, duke e mbajtur dinarin serb si mjet pagese. Në ketë mënyrë është çrregulluar sistemi financiar dhe bankar i Kosovës. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, çfardo të ardhur financiare individi apo popullata mund ta merr në cilën do valutë, por transaksionet financiare të brendshme dhe të jashtme mund të bëhet vetëm në euro, pra konvertimin e tyre në euro, edhe atë nëpërmjet sistemit financiar dhe bankar të Kosovës. Kjo për arsye se banka i shërben shtetit si auditor (revizor) kryesor për të përcjellur paranë në qarkullim, shpërlarjen e parasë pisë, evazionin fiskal, kontrabandën ekonomike etj. 

Si rrjedhim, për të evituar këtë sistem financiar dhe bankar ilegal të serbëve (që është i vonuar, është dashur të bëhet shumë më parë), ditë më parë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, miratoi Rregulloren për operacionet për para të gatshme, e cila do të hyjë në fuqi më 01.02.2024, në të cilën ndër të tjera thuhet: “Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”. Andaj, kjo Rregullore është plotësisht në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me Ligjin mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Në Regullorën në fjalë, shumë saktë dhe në mënyrë decidive përcaktohet njësia monetare euro, e cila është e vetmja valutë me anë të së cilës lejohen transaksisonet financiare të brendshme dhe të jashtme në kuadër të Republikës së Kosovës.

Kosova, si dhe vendet e tjera, ka sistemin e saj financiar të pavarur, dhe njësinë monetare euron si instrument i vetëm me anë të të cilës bëhen të gjitha transaksionet financiare nëpërmjet sistemit bankar dhe institucioneve mini finaniare të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Asnjë, ndërmarrje apo institucion tjetër, nuk ka të drejtë të përdor valutë tjetër në transakionet finaniare, e as të bëjë pagesën në të gatshme jashtë sistemit bakar dhe financiar të Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë sistemit bankar dhe financiar të Kosovës, është i pajustifikueshëm, i papranueshëm e mbi të gjitha antikushtetues dhe vepër penale. Kosova, me këtë rast nuk bënë përjashtim. Të gjitha vendet kështu veprojnë, te të cilat të gjitha transkaksionet finaniare bëhen nëpërmjet sistemit banakar-finaniar dhe njësisë (valutës) kombëtare monetare. Andaj, është për tu habitur reagimi  i zëdhënësit të BE-së z. Peter Stano, veçmas i Bankës Qenderore Evropiane, ndaj Rregullorës së Bankës Qendrore të Kosovës, përkatësisht vendimit të Qeverisë që të zbatojë sistemin bankar dhe financiar unitar, me njësinë (valutën) e saj euron. Veçmas është për habi reagimi i Basnkës Qendrore Evropiane, sepse ajo duhet të dijë se, njësia monetare paraqet element shtetësie, për ç’arsye çdo shtet ka valutën e vet. Andaj, në asnjë vend në botë nuk lejohet të funksionojnë dy sisteme bankare dhe financiare dhe dy njësi (valuta) monetare paralele. Këtë gjë po e bënë edhe Kosova. Ky vendim nuk ka të bëjë me ndonjë presion ndaj serbëve në Kosovë, por don të unifikojë sistemin financiar dhe bankar, si çdo vend tjetër në botë. Andaj, vendimi i Qeverisë së Kosovës, bënë të mundur funksionimin e sistemit financiar dhe bankar dhe mbrojtjen e kushtetshmërisë dhe sovranitetit të shtetit të vetë. Për ketë arsye çështja e heqjes së dinarit në qarkullim si njësi monetare, nuk ka nevojë të bartet si temë e veçantë në negociata, siç cek z. Peter Stano, sepse kjo çëshjte është e zgjidhur në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Andaj, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e dinarit serb si mjet pagese është e drejtë kushtetuese dhe ia ndalon të gjitha manipulimet destruktive bandave serbe dhe Serbisë në sistemin financiar dhe bankar në Kosovë. Është për të potencuar se, përdorimi i dinarit serb për më tepër se dy dekada, ka çrregulluar sistemin financiar, me ç’rast të hyrave buxhetore (finanave publike) të Kosovës i ka shkaktuar hymbje të mëdha me miliona e miliona euro, duke i ikur obligimeve fiskale ndaj vendit tonë. Kjo për arsye se asnjë transaksion financiar nuk është përfshirë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Ndonëse, në Kosovë zbatimi i sistemit bankar dhe financiar unitar me një njësi (valutë) monetare të vetme euron, është shumë i vonuar. Por, ky nuk është i vetmi lëshim që iu është bërë serbëve në Kosovë. Këtë dhe shumë tolernaca tjera, si: mos përdorimi i flamurit, përdorimi i dy gjuhësisë në objektet komunale, mos pagesa e rrymës dhe ujit etj., Kosova i ka bërë, me qëllim që të stabilizojë situatën në veri të vendit. Mirëpo, këto toleranca serbët me dirigjimin e Beogradit zyrtar i keqëpërdorën, për qëllime të tyre hegjemoniste. Andaj, aspak zbatimi i sistemit bankar-finakiar me të vetmën valutë euron, nuk është kundër serbëve, siç aludon presidenti i Serbisë z. Vuçiq dhe disa bashkëpunëtor të tij. Në kontekst kësaj shtrohet pyetja logjike. Për çfarë arsye duhet që t’u bëhen lëshime e toleranca serbëve si minotiret në dallim prej të tjerëve, aq më parë që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në Fuqi në Republikën e Kosovës?! Kjo pyetja i dedikohet Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore të Evropës. Pse?!! Na thuani ju cili vend do të lejonte ndonjë minoritet të bëjë transaksione financiare jasht sistemit bankar dhe financiar të vendit të tij. Në qoftë se ekzisoton ndonjë vend i tillë na thuani, që ta marrim si shembull edhe ne në Kosovë.  Edhe serbët janë qytetar të Republikës sikur edhe minoritetet tjera dhe shqiptarët dhe nuk mund të jenë mbi ligjin. Andaj, edhe minoriteti serb, si qytetarë të Repulikës së Kosovës, duhet t’i përmbushin të gjitha obligimet kushtetuese dhe ligjore, e mos t’i japin ngjyrë nacionaliste të çdo vendimi të Kosovës, duke e kualifikuar si masë kundër serbëve dhe synim të shpërnguljes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat