Përgjegjësia e aparateve shtetërore në riedukimin e rasteve recidive

Opinione

Përgjegjësia e aparateve shtetërore në riedukimin e rasteve recidive

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 24 janar 2024 Në ora: 19:22
Autori Zejnullah Jakupi

Akti makabër i krimit si rasti i fundit në Podujevë, tronditi mbarë opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë. Rastet e tilla shtrojnë nevojën e debatit për rëndësinë e edukimit, të shoqërisë nga aparatet shtetërore dhe ideologjike si dhe rëndësinë e tyre në këtë edukim.

Nuk është se nuk e dijmë se nga t´ia fillojmë; Më rastisi që shtyllat kryesore se pse dështuam, tani po i dijme të gjithë, madje edhe i kemi ditur, faktorët këta që kanë ndikuar që ata të rinj janë bërë persona të dhunshëm- me një fjalë, janë bërë vrasës.

Faktori i parë është familja, shkolla, shërbimet sociale, drejtësia, gazetaria, ekonomia, politika etj. Të njëjtit faktorë që i përmendëm besoj se i di çdo punëtor social, psikolog në Kosovë dhe të mos flasim për profesor të fakultetit, akterë të institucioneve, por në dallim nga Kosova, në shtetet perëndimore, ato gjejnë praktikim, ndërsa në Kosovë jo.

Duhet t´i referohem me këtë rast Louis Althusser, filozofit dhe teoricientit marxist të shekullit të 20-të. Këtu bëhet fjalë për teorinë e Aparatit Shtetëror në punën e tij "Ideologia dhe Aparatet Ideologjike të Shtetit" ("Ideology and Ideological State Apparatuses"), e cila u botua në vitin 1970. Ky tekst përfshin një shpjegim teorik të mënyrës se si shteti dhe shoqëria ruajnë dhe përhapin normat dhe vlerat kulturore që mbështesin strukturën e tyre të pushtetit.

Althusser ndau Aparatet Shtetëror në dy kategori kryesore: Aparatet Represive dhe Aparatet Ideologjike.

Aparatet Represive

Këto janë institucionet dhe strukturat që janë të përgjegjshme për forcën dhe kontrollin fizik të shoqërisë. Përfshijnë policinë, ushtrinë dhe sistemin e drejtësisë penale. Roli i tyre është të zbatojë forcën dhe të mbajnë rendin social nëpërmjet sanksioneve ligjore dhe të tjera mekanizma represive.

Në rastin e Podujevës dhe jo vetëm në këtë rast, aparatet represive duhet ta luajnë rolin e tyre të jenë më represive- të ofrojnë karrotën por edhe shkopin, dënime të ashpra. Këtu nuk po aludojë në ligjin me vdekje por represiviteti duhet të shërbej edhe për të edukuar e frikësuar personat recidivist. Masat e tilla represive – edukuese do të duhej të bëheshin në burgun korrektues dhe kjo nuk do të haste në kundërshtim nga vet shteti, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombtar.

Dhe ky aparati prepresiv duhet të izolojë, riedukojë tipat e tillë, sepse ata nuk duhet të jenë në shkolla, në media, në ambiente familjare, sepse ata janë të rrezikshëm për gjithë shoqërinë dhe prej tyre mund të bie viktim secili nga ne. Shteti e ka për detyrë edhe t´i trajtojë ata që të mos i bëjnë dëm shoqërisë.

Por, me sa shihet, siç u përmend në emisionin Debat Plus (22.01.2024), as policia nuk po arrinë të ushtrojë autoritetin institucional dhe represiv, madje sipas deklaratave të gazetarit TV-Dukagjini policia nuk guxon tu shqiptojë dënime atyre që vozisin pa leje ose që bartin thika dhe armë, sepse janë të familjeve të njohura e të pasura dhe të cilat kanë ndikim në polici, do të mund t´i degradojnë policët nëse këta të fundit e tregojnë rastin ose i denoncojnë ata. Gjithashtu policia dhe prokuroria duhet t´i ketë nën vështrim ata gjatë gjithë kohës. Kjo vlenë edhe për dorasit potencial ose „të fjetur“, siç potencohet në zhargonin profesional.

Aparatet Ideologjike

Këto janë institucionet dhe praktikat që ndikojnë në ndërgjegjësimin dhe identitetin shoqëror të individëve. Althusser i konsideron Aparatet Ideologjike si të ndarë në dy nën-kategoritë: Aparatet Ideologjike Represive dhe Aparatet Ideologjike Negligjente.

Aparatet Ideologjike Represive përfshijnë institucione të tilla si shkolla dhe familja, që janë të përfshira në disiplinimin dhe formimin e individëve për t'i bërë ata pjesë të shoqërisë.

Kur jemi te këto dy aparate duhet të thuhet se në shumë familje nuk po bëhet edukimi si duhet prandaj i korrim „frytet“ e këtij edukimi. Sepse siç u tha në debat, prindërit nuk këshillojnë fëmijët, nuk i kontrollojnë, sjelljet e tyre në shtëpi, por as në shkollë, dhe jashtë saj. As shkolla nuk është më mirë, sepse, po sipas deklaratave në „Debat Plus“ në shkolla mbi gjysma e tyre shkojnë në shkollë me thika dhe në disa raste kanë patur me vete edhe armë.

Gjithashtu edukatorët dhe disciplina në shkolla është nën nivel, sepse aty kemi edukator, mesues jo profesional të cilët nuk parandalojnë por vetëm e nxisin këtë dhunë me sjelljet e tyre.

Ata nuk ndëmarrin masa në edukimin e mirëfilltë, nuk lajmërojnë shkollën, drejtorinë kur hasin nxënësit problematik që të punohet me ta më intensivisht, të përjashtohen nga shkolla dhe të riedukohen në institucione përkatëse (në qendra korrektuese). Pra, sistemi i shkollës por edhe ai i qendrës korrektuese) i lejon adoleshentit të tillë të vazhdojë shkollimin në shkollën normale edhe pse njëri prej tyre, sipas deklaratave në Debat Plus (TV- Dukagjin) i ka mbi 100 vepra penale prandaj, u quajtën adoleshentët që vrasin. Për këtë​​​​​​​ u hodh faji edhe mbi drejtësinë​​​​​​ që​​​​​​​ anon nga përpilimi i raportit nga polici i parë që shkon në vendin e ngjarjes dhe ndikohet nga pjesë​​​​​​​tar të​​​​​​​ shoqë​​​​​​​risë​​​​​​​ që​​​​​​​ janë​​​​​​​ të​​​​​​​ fortë​​​​​​​ (biznismenë etj). 

Aparatet Ideologjike Negligjente

Këto aparate përfshijnë media, kultura dhe feja, të cilat ndikojnë në mendësinë dhe vlerat e individëve të cilat përçohen përmes propagandës dhe shpërndarjes së idese dhe vlerave të shoqërisë.

Media nga ana e saj, në të shumën e rasteve, është media dhunënxitëse, sepse punëtorët e saj i ka të pashkolluar profesionalisht. Shembujt e dekuluturalizmit i shohim përditë në emisione pambarim.

Gjithashtu as feja si pjesë e aparatit në fjalë nuk ka arritë ndikimin e duhur sepse në këtë kohë janë rritur përçarjet në shoqëri, të egzagjeruara në „luftë debatuese“ për edukimin fetar- pra të rriturit janë bërë „pikë e pesë“ dhe e nxisin edhe më shumë dëshprimin dhe rritjen e agresivitetit dhe padurueshmërisë në shoqëri. Futja e mësimit fetar në shkolla duhet të jetë një përzierje me lëndën e edukatës qytetare, psikologji dhe dituri shoqërie.

Në këtë teori, Althusser thekson se Aparatet Ideologjike janë më të rëndësishme se Aparatet Represive në ruajtjen dhe përcaktimin e rendit social. Ai argumenton se këto aparatet janë mjetet kryesore përmes të cilave shteti dhe rendi shoqëror mbajnë kontrollin ideologjik mbi shoqërinë. Përmes edukimit në shkollë, socializimit në familje, dhe përmes mediave, individët assimilojnë dhe adoptojnë vlerat dhe normat e shoqërisë kapitaliste, demokratike, duke e bërë kështu atë të pranojë dhe mbrojë rendin ekzistues të pushtetit.

Shih për këtë zhvillimet politike – ideologjike, acarimet mes subjekteve, vrasjet e pasluftës, kanë instaluar një mentalitet -ideologji vrastare, të dhunshme e cila ka lënë gjurmë të thella në mbarë shoqërinë kosovare. Theza e Althusser tregon dëshmon se çdo individ si subjekt i nënshtrohet ideologjisë ose i nënshtrohet vullnetarisht asaj. Nëpërmjet kësaj interpelance, të cilën Althusser e quan “thirrje”, vendoset themeli ideologjik i riprodhimit shoqëror.

Aparati ideologjik i tre dekadave të fundit, veçmas i strukturave mafioze dhe kriminale në Kosovë kanë zbehur besimin në drejtësi dhe në karakterin ligjor të shoqërisë dhe të shtetit e i cili në mënyrë indirekte ka ndikuar në edukimin e fëmijëve ose ka lejuar mosmbrojtjen e tyre. Vrasja në burg e dëshmon këtë fakt (rasti Astrit Dehari). Kjo shpërfaq karakterin recidiv të shoqërisë e cila të mbyt edhe kur je në burg por nuk të siguron kontroll dhe siguri as kur je i lirë në liri, kur je në shkollë, në punë, ose kur ke dëshirë të jetosh pa ju nënshtruar konvencioneve patriarkale.

Këto manifestime kanë formuar karaktere të ndryshme dhe kanë ndikuar dhe ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve dhe të të rinjëve në shumë mënyra.
Duhet ta dijmë se shkollat dhe institucionet e tjera arsimore janë vendet ku fëmijët marrin njohuri themelore dhe zhvillojnë aftësi të nevojshme për të funksionuar në shoqëri. Të njëjten duhet ta ofrojë shteti; siguri, barazi para ligjit dhe dënime maksimale për ata që shkelin ligjin, që i marrin dikujt jetën.

Shkolla si aparat i tillë duhet të edukojë se egziston dhe zbatohet ligji dhe krahas kësaj ideologjie të drejtësisë, shkolla përfshinë leximin, shkrimin, numërimin dhe shumë aftësi tjera intelektuale. Edukimi formohet jo vetëm nga librat dhe mësimdhënsit, por edhe nga klima dhe kultura e shkollës. Institucionet arsimore ndikojnë në formimin e sjelljeve dhe vlerave të fëmijëve duke përcjellë vlera shoqërore dhe etike.

Shkolla është një mjedis social ku fëmijët mësojnë si të komunikojnë, të jenë të mirëkuptueshëm dhe tolerant e si të bashkëpunojnë dhe si të ndërveprojnë me të tjerët.

Kjo ndihmon në zhvillimin e aftësive sociale dhe emocionale. Edukimi në shkollë siguron njohuri dhe aftësi të nevojshme për të përballuar sfidat e jetës së përditshme. Fëmijët mësojnë si të zgjidhin probleme, si të menaxhojnë kohën dhe si të zhvillojnë aftësi organizative. Shkolla duhet të ndihmojë në kultivimin e kreativitetit dhe kritikës:

Shkolla duhet të nxis zhvillimin e aftësive kreative dhe kritike tek fëmijët. Ata duhet të mësojnë të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë informacionin, të zhvillojnë vetëdijen kritike dhe të gjejnë zgjidhje adekuate për problemet e përditshme.

Gjithashtu shkolla ndikon në drejtimin profesional dhe zgjedhjet e tyre të ardhshme: E nëse funksionojnë si duhet, mund të ndihmojnë në përfshirjen shoqërore dhe barazinë duke ofruar mundësi të njëjta arsimore për të gjithë fëmijët.

Si rekomandim përmbledhës për fund mund të thuhet se efektet e edukimit nuk varen vetëm nga aparate shtetërore. Ndikimi vjen, siç e tham, edhe nga aparatet ideologjike si familja, media, dhe shoqëria në përgjithësi. Për të siguruar një edukim të suksesshëm për fëmijët, duhet të kemi një qëndrim të përgjegjshëm dhe bashkëpunues e komplementar nga të gjithë aktorët e ndërlidhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat