E kujt është përgjegjësia për fatin e pensionistëve të Kosovës?

Opinione

E kujt është përgjegjësia për fatin e pensionistëve të Kosovës?

Nga: Ismail Muçiqi Më: 24 janar 2024 Në ora: 20:53
Ismail Muçiqi

Kategoria më e përbuzur dhe e anashkaluar nga qeveritë të cilat ishin në krye të pushtetit mbetën pensionistët kontribut dhënës të Kosovës. Kjo kategori e të moshuarve të cilët dhanë shumë djersë dhe mund në punën e tyre për ta ndërtuar Kosovën tani po përballen me vështirësitë më të ndryshme për të mbijetuar. Shëndeti i pensionistëve kontribut dhënës të Kosovës po rrënohet përditë e më shumë duke mos pasur afër tyre kush të përkujdeset në jetën e përditshme.

Në bazë të statistikave të mbetura jo valide në Kosovë ende jetojnë afër 40 mijë pensionistë kontribut dhënës të cilët me pensionet e tyre simbolike nuk po arrijnë ti sigurojnë barërat për ta mbrojtur shëndetin. Është e dhimbshme për Qeverinë dhe Institucionet e Shtetit të cilat fare nuk preokupohen për ta përmirësuar gjendjen materiale të kësaj kategorie e cila kontribuoj pa e kursyer as shëndetin për ta ndërtuar Kosovën. Pensionistët e Kosovës ishin ata të cilët kontribuan me ndërtimin e shkollave, spitaleve, në infrastrukturën rrugore, në hapjen e horizonteve të reja të thëngjillit, të zinkut, dhe plumbit.

Kjo kategori kontribuoj edhe në ndërtimin e fabrikave dhe hekurudhave të reja gjithandej Kosovës, dhe ishte në vijën e parë në të gjitha furtunat e presioneve politike që ballafaqohej Republika e Kosovës. Të përbuzet gjenerata e pensionistëve të moshuar është mëkat i madh për familjen, shoqërinë, mëkat për Qeverinë dhe Institucionet e Shtetit. Sot një numër i madh i këtyre pensionistëve jetojnë në vetmi dhe kanë nevojë permanente për përkrahje morale fizike e psikike.

Asgjë nuk e arsyeton Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera relevante të cilat në vazhdimësi po e zhagisin reformën pensionale të njerëzve të moshuar numri i të cilëve po zvogëlohet përditë e më shumë duke shkuar në botën e amshueshme.  Duhet theksuar se Shoqata e Pensionistëve të Kosovës e cila do të duhej të ishte përgjegjëse për fatin e pensionistëve kontribut dhënës ajo pothuajse ekziston vetëm në letër. Mjerisht edhe këto parti politike dhe grupet e interesit në vazhdimësi kanë ndërhyrë duke instaluar individ në krye të kësaj shoqate për interesat e tyre nepotiste. Qfarë të themi në fund? Zoti i ndihmoftë pensionistët kontribut dhënës të Kosovës të civilët po i përbuzë shoqëria dhe institucionet përgjegjëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat