Kush përfitoi e kush humbi pas dënimit me gjobë të KPM-së për operatorët e televizivë kabllorë?

Opinione

Kush përfitoi e kush humbi pas dënimit me gjobë të KPM-së për operatorët e televizivë kabllorë?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 30 janar 2024 Në ora: 12:31
Xhavit Kryeziu

Ditë më parë, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) ka dënuar me gjobë katër operatorë kabllorë televizivë në Kosovë me gjithsej 100 mijë euro. Këto dënime janë si rrjedhojë e ankesave të shumta të qytetarëve të Kosovës, gjegjësisht ndaj operatorëve të lartpërmendur, pasi të njëjtit nuk u janë përmbajtur kushteve të kontratave të arritura me klientët e tyre.

Operatori “Art Motion” është dënuar me 64 mijë euro, “Kujtesa” me 26 mijë euro, “IPKO” me 7 mijë euro dhe operatori “Telkos” me 3 mijë euro. Shuma e përgjithshme e dënimit me gjobë për të katër operatorët është 100 mijë euro.

Lidhur me masën e KPM-së, e cila gjithsesi është e drejtë dhe e nevojshme, është prononcuar Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, i cili kishte thënë: “KPM duhet të veprojë konform ligjit të vet për sanksionimin e operatorëve të shpërndarjes së lartpërmendur duke ofruar gjobën maksimale e cila lejohet brenda ligjit, e që është 100 mijë euro”.

Deri në këtë pikë, çdo gjë është në rregull. Mirëpo, shtrohet pyetja: kush përfitoi, e kush humbi përmes dënimit me gjoba të KPM-së për operatorët kabllorë?

Pas këtyre gjobave, arka e KPM-së është pasuruar me 100 mijë euro. Sipas një matematike të thjeshtë, i bie sikur arkat e operatorëve të gjobitur janë shtjerrë pas këtyre gjobave. Mirëpo, a është vërtet kështu?

Nëse operatorët kabllorë të distribuimit të kanaleve televizive kanë paguar me para gjobat që i janë vënë, megjithëkëtë arkat e tyre nuk janë shtjerrë aspak. Përkundrazi, arkat e operatorëve të pandërgjegjshëm kabllorë janë pasuruar shumëfish më shumë, dhe atë me paratë e klientëve të tyre, të cilët kanë paguar edhe për programe televizive të Shqipërisë, edhe për ato sportive, siç u kanë premtuar se do t’i kenë në listën e programeve, por të cilat janë ndërprerë dhe ata nuk do të ketë mundësi t’i shikojnë më!

Tani shtrohet pyetja tjetër: kush humbi në këtë rast: operatorët kabllorë fituan, KPM-ja e fitoi, ndërsa klienti i pambrojtur me ligj, siç ndodhë vetëm në Kosovë, por askund tjetër në botë – humbi!

Se klientin e shkretë nuk e mbron asnjë ligj në Kosovë, këtë e dëshmon edhe vetë Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, në prononcimin e tij më mëtejmë për mediat publike: “KPM-ja ka për qëllim sanksionimin e operatorëve për shkeljen e Rregullores, e jo kompensimin e palëve ankuese”.

Drejtësia do të ishte drejtësi sikur KPM-ja do t’i kishte detyruar operatorët të cilët i ka gjobitur vetë, t’i kompensojnë klientët e tyre të dëmtuar me qëllim duke ua kthyer paratë, ose t’i kompensojë në muajt në vazhdim. Mirëpo, kështu nuk ndodhi. Operatorët kabllorë të distribuimit të kanaleve televizive, edhe më tej vazhdojnë t’u marrin para klientëve e tyre të për kanalet që janë ndërprerë. Ndërkaq, klienti i pambrojtur nuk guxon ta ndërpresë kontratën, të cilën ka qenë i detyruar ta nënshkruaj për një vit, e jo më pak. Në të kundërtën, nëse klienti do të bënte një veprim të njëanshëm, dhe to ta ndërpriste kontratën, atëherë i njëjti operator do ta dërgonte lëndën te përmbaruesi privat pas të cilës klienti do të pësonte edhe më keq, pasi do ta paguante edhe operatorin, edhe përmbaruesin privat.

Kështu ndodhë në një vend ku sundon anarkia dhe i forti, ndërsa shkelet i ligu, drejtësia dhe ligji. E, pra, kjo është Kosova jonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat