Franca dhe kryqëzimi i historisë me ngjarjet e sotme!

Opinione

Franca dhe kryqëzimi i historisë me ngjarjet e sotme!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 5 shkurt 2024 Në ora: 21:58
Veriu i Kosoves

Më tre dhe katër shkurt të vitit 2000, d.m.th 24 vjet më parë, filloi masakra dhe dëbimi i shqiptarëve nga Mitrovica e Veriut. Kjo ndodhi pasi serbët u armatosën nën mbykëqyerjen e KFOR-t francez dhe vendosën kontrollin e tyre tek Ura e Ibrit.  Dje u përkujtuan 10 viktima shqiptarësh të atyre dy ditëve shkaktuar nga rojat e Urës së Ibrit. Asokohe këto banda të Serbisë vrisnin shqiptarë të pafajshëm, ndër ta edhe fëmijë, me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, ndërkohë që ato ishin nën mbrojtjen e KFOR-it francez. Franca vetëm formalisht ishte pjesë e koalicionit euro-atlantik dhe pjesmarrëse në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Dhe pas 24 vitesh, po dje, Franca i bëri zyrtarisht ultimatum Kosovës dhe qeverisë së saj, që kjo të heq dorë nga heqja e përdorimit të dinarit serb e të vazhdojë ta përdorë atë si monedhë këmbimi. Gjë që dëshmon se ky vend i rëndësishëm europian, edhe pse Ballkani kërcënohet seriozisht nga një konflikt dhe luftë europiane për shkak të ndërhyrjes e influencës ruse, vazhdon të mbështesë marionetën e Rusisë, Serbinë.

Në fakt vrasja e dhjetë shqiptarëve të pafajshëm nga bandat kriminale serbe në sy të ushtarëve dhe oficerëve francezë të KFOR-it është diçka që nuk krahasohet me kërkesën gati ultimative të Parisit për të lejuar monedhën serbe të dinarit në Kosovë. Por simbolika është vërtet shumë domethënëse. Ndërsa Parisi bën presion në dobi të prezencës serbe në Kosovë, Berlini shpalli në të njëjtën ditë një qëndrim krejt të kundërt. Po dje ministri për Europën i Gjermanisë, Michael Roth, tha se përdorimi i euros nga serbët në Kosovë është një veprim normal dhe kundërshtoi përdorimin e dinarit të Serbisë. Madje u shpreh se edhe Gjermania nuk përdor dollarë amerikanë, por euron. Dollari është valutë që këmbehet me euron.

Ndërkaq mbrëmjen e djeshme kryeministri Albin Kurti bëri një veprim simbolik, por të pazakontë. Darkoi me ambasadorin britanik në largim nga Kosova. Ishte kjo shprehje e afërsisë dhe mbështetjes së pakufishme të Londrës në politikat e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, gjë që e dëshmoi ministri i Jashtëm David Kameron në fillim të janarit, madje si askush tjetër në këto kohë të turbullta në Europë e në rajon. Interesant, Britania, megjithëse gjeografikisht përtej Francës, pra më larg Rusisë, është e shqetësuar shumë më tepër se ajo për ndikimin rus në Ballkan dhe rolin destabilizues të Serbisë. Franca jo! Edhe pse ajo rrezikohet para Londrës.

Gjithkush i kupton sentimentet franceze ndaj Moskës dhe Kremlinit, sepse është një histori shumë shekujsh bashkëpunimi e bashkëveprimi deri në ditët e sotme. Por që një vend si Franca, me një demokraci të zhvilluar dhe klasë politike të pjekur, të vendosë si prioritet marrëdhëniet e ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe aleatët e tij serbë, në vend se të punojë me Kosovën dhe aleatët e tjerë europianë për ta kundërshtuar linjën politike destabilizuese Beograd-Moskë, kjo vërtet që është një absurditet i pazakontë. Po lemë Kosovën dhe interesat e saj me një anë. Supozojmë se këto interesa nuk ekzistojnë. Po a ekziston një interes europian për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme?! Sigurisht që po. Atëherë pyetja tjeter shtrohet se kush e garanton këtë në Ballkan: - Kosova, shqiptarët, apo Serbia dhe serbët?! Kush janë aleatët e Europës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s në përballjen me rrezikun rus, shqiptarët, pra Kosova, apo Serbia e Aleksandër Vuçiq?!

Çdokush me pak mend dhe logjikë të zhvilluar e di se shqiptarët, veçmas Kosova, janë aleatë të natyrshëm të Perendimit. Ndërsa Serbia dhe serbët në Ballkan janë kalë Troje i Vladimir Putin në rajonin tonë. Atëherë pse Franca, e cila është pjesë e aleancës perendimore, kujdeset kaq shumë për interesat serbe në Kosovë dhe jo për ushtrimin e të drejtës kushtetuese të saj?! Dikush mund të thotë se Parisi “ka frikë nga ndonjë përshkallëzim i ri midis Kosovës dhe Serbisë”! Kështu thonë dhe filofrancezët e filoserbët në mediet shqiptare në Kosovë e në Shqipëri. Po Gjarmania nuk paska “frikë”?! Gjithashtu Britania e Madhe dhe vende të tjera të kontinentit europian, që përkrahin qëndrimet konstitucionale e ligjore të qeverisë së Kosovës nuk kanë “frikë” nga ky lloj përshkallëzimi?!

Është shumë e lehtë të sajosh alibinë e qëndrimeve pro-serbe, për të fshehur thelbin e atyre qëndrimeve. Por është vështirë të garantosh paqen dhe stabilitetin europian përmes politikave të Kollonës së Pestë në Europë. Po kujtoj lexuesin: - Nëse Sarkozi dhe politika franceze nuk do të shkonte në Kremlin të bekonte pushtimin e Krimesë nga Moska më 2014-ën, ndoshta 24 shkurti i vitit 2022 do të ishte evituar dhe Ukraina do të ishte në paqe. Franca e ndikoi edhe Angela Merkelin që të kundërshtonte pranimin e Ukrainës në NATO, gjë të cilën presidenti Bush ishte i gatshëm ta bënte. Dhe sot, kur Rusia dhe Serbia përmes konflikteve ballkanike kërcënojnë seriozisht paqen e stabilitetin në Europë, Franca akoma vijon të t’i mbështesë këto synime anti-europiane. Eshtë më mirë për Europën, nëse Parisi shpall një aleancë të radhës me Moskën kundër Bashkimit Europian dhe vetë kontinentit tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat