Ja e hoqën Albin Kurtin! E Pastaj?! Serbia zhbëhet nga harta e Ballkanit!

Opinione

Ja e hoqën Albin Kurtin! E Pastaj?! Serbia zhbëhet nga harta e Ballkanit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 11 shkurt 2024 Në ora: 13:35
Albin Kurti

Ditën e djeshme u bë me dije se struktura të caktuara kriminale, me gjasë nga Serbia ose në lidhje të ngushta me Serbinë, kishin përgatitur një atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kurti ndodhej për vizitë në Shkup dhe plani për atentat në këtë qytet, njëherësh shqiptar dhe nga ana tjetër kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, dukej një përzgjedhje e kalkuluar mirë. Arsyeja kryesore pse u zgjodh Shkupi për këtë atentat në tentavivë ishte fakti se për këtë akt terrorist mund të krijohej alibia, sipas së cilës atë “e kanëë kryer shqiptarët që u zemruan nga ndërhyrja e Kurtit në politikën e këtij spektri politik në Maqedoninë e Veriut”!

Lajmi për këtë atentat të planifikuar dhe në tentativë për t’u realizuar gjatë kësaj vizite u përhap me shpejtësi. Për këtë foli dhe kryeministri vetë, i cili akuzoi në stilin e Ibrahim Rugovës strukturat serbe të Beogradit për këtë tentativë. Derisa shërbimet sekrete të vendeve mike të Kosovës njoftuan edhe shërbimin sekret të këtij vendi për përgatitjen e një atentati të tillë, kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë skenar tjetër të “viktimizimit” të zotit Kurti. Këtë skenar e përdor shpesh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim që ai të rritë aksionet e tij politike në opinionin serb. Por kryeministri Kurti nuk besoj se ndjen nevojën e manipulimeve të tilla. Aq më tepër kur ne e dimë se shërbimi sekret i Serbisë dhe i Rusisë është I angazhuar për eleminimin e çdo lideri politik shqiptar, që nuk vepron në pajtim me interesat serbe në Kosovë e në rajon.

Kundërshtarët e zotit Kurti dhe armiqtë e Kosovës do të donin që në Prishtinë të kishte një kryeministër tjetër, me të cilin mund të bëheshin kompromise deri në ndarjen e vendit midis Serbisë dhe Shqipërisë. Do të donin gjithashtu që kryetare e shtetit të mos ishte Vjosa Osmani, e njohur për vendosmërinë e saj në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Ndërkohë ata e dinë se koha e atentateve ka kaluar. Nëse Serbia u kthehet metodave terroriste të 28 qershorit 1914, kur organizoi vrasjen e princit austro-hungarez të kurorës, Franz Ferdinand, atëherë ajo kësaj radhe do të rrjeshtohej në koalicionin humbës rus të luftës kundër perendimit.

Për këtë arsye vlerësoj se një atentat, apo një puç për ta larguar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nga posti që mban, është i padobishëm edhe për ata që kanë një interes si ky, edhe për Serbinë e Aleksandër Vuçiq dhe atë të Aleksandër Vulin. Europa dhe bota nuk i ngjajnë më vitit 1914. Nuk ka gjasa që Serbia edhe ta nisë Luftën e Tretë Botërore, siç e nisi të Parën, edhe të rrjeshtohet me fituesit. Tashmë Gjermania vërtet është kundër Rusisë, si para 110 vitesh, por nuk është kundër Britanisë së Madhe, Francës dhe SHBA-ve si atëherë. Përkundrazi, ajo është aleate e ngushtë e këtyre vendeve, të cilat janë të lidhura në aleancën e shenjtë të NATO-s.

Një atentat ndaj zotit Kurti ose kujtdo tjetër në Ballkan do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme një luftë të re ballkanike. Ky akt do të homogjenizonte të gjitha shtetet jo serbe të rajonit kundër Serbisë. Për pasojë Beogradi do të ishte i izoluar dhe i rrethuar, madje i vënë në kurthin e darës që thyen një kokërr arrë. Sigurisht që lufta është e trishtë dhe le pasoja të rënda për jetën e shoqërisë njerëzore. Por në rastin e dhënë Serbia do të trajtohej si humbëse. Prandaj dhe shtetet që përfitojnë nga humbja e një lufte të radhës nga ana e Serbisë e nxisin atë më së shumti drejt konfliktit.

Ka menduar dikush pse Hungaria e mbështet Beogradin në politikat serbe anti-europiane dhe anti-perendimore?! Sepse dëshiron që Serbia të hyjë në luftën e radhës dhe vetëm pas saj, Hungaria do ta kishte mundësinë të rikthente së paku gjysmën e territorit të Vojvodinës nën sovranitetin e saj. Nëse Rusia e nxit Serbinë dhe Republikën Srpska në konflikt, atëherë ajo nuk llogarit pasojat që do të pësojë Serbia, por favoret që do të ketë për veten e saj. Kësaj skeme i shërbejnë edhe planet për atentate. Më i mundshmi dhe më i besueshmi do të ishte një atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Megjithatë asnjë atentat kundër zotit Kurti apo dikujt tjetër nuk sjell ndonjë dobi për Serbinë. Ja u eleminuar Albin Kurti! E pastaj?! Më pas do të kishim një homogjenizim total jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë shqiptarëvenë Ballkan për një luftë finale me Serbinë. Dhe në Serbi e dinë se shqiptarët në fatkeqësi janë të papërmbajtshëm dhe të pamposhtur. Ata i përçan lehtë në kushtet e lirisë dhe detantës paqësore, por jo në fatkeqësi e në luftën e shpallur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat