Leximi i gazetës

Opinione

Leximi i gazetës

Nga: Agim Xh Deshnica Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 20:24
Agim Xh Deshnica

Nëse dikur merrje udhën për Berat, dhe pas Urës së Hasan Beut ktheje majtas, atëherë përgjatë rrugës me plepa mbërrije në qytetin e njohur për nxjerrjen e naftës qysh në lashtësi. Ky vendbanim pati qenë në krye të fshatrave, që shtriheshin deri në Sulovë. Thonë se ai ka ndërruar emrin disa herë, nga Seras u quajt Zjarrishtë, më vonë Kuçovë. Ky emervend sllav si shumë të tjerë, na mbeti edhe në kohën e miqësisë me Rusinë, e njohur për dimrin e gjatë. Nuk dihet koha, kur në qendër të Kuçovës u ngrit monumenti i një burri të ngrysur me mustaqe. Nën të qe gdhendur me daltë Josif V. Stalin. Pas përurimit, Kuçova mori emrin Qyteti Stalin, rusisht: Stalingrad, ndonëse ky qytet nuk njihej për beteja të përgjakshme si Stalingradi! Pra, kujt i shkoi ndër mend ky emër i ri, gjysëm shqip e gjysëm sllav, të cilin populli e quante thjesht Qytet? Në biseda miqsh thuhej: “Do të shkoj në Qytet” “Ika nga Qyteti”, ose “Më caktuan në Qytet”. Ishte me zarar ta quaje qytetin shkurt Stalin, sepse duhej të thoshje shprehi të tilla, si: “Vajta te Stalini.”, “Ika nga Stalini.”, “U mërzita te Stalini!”, “Më plasi shpirti te Stalini!”.

Megjithëse nafta pati shteruar dukshëm, skuadra e futbollit nga shefat e komitetit u quajt “Naftëtari“dhe jo “Stalin“, ndryshe, do t’i gjente belaja me tifozët kundërshtarë. Do të dëgjonin të thuhej: “U mund Stalini nga Peqini!”, apo “Traktori i Lushnjës e dërrmoi Stalinin!”

Ky emër vend sot, edhe pse kemi alamet Akademie Shkencash, u kthye prapë në Kuçovë. Historianët sërbë fërkojnë duart nga kënaqësia, kur hedhin sytë në harta e libra. Ta quajmë Seras a Zjarrishtë, përsëri nuk shkon, sepse do të ngjalleshin kujtime të tmerrshme me tifozët e “Naftëtarit”, kur në mbarimin e një ndeshjeje, u sulën me tërbim të digjnin për së gjalli gjyqtarin tok me fubollistët e “Dinamos”. Nëse ia heqim Kuçovës mbaresën sllave ov, na del Kuç. Nuk mund ta quajmë as kështu, se Kuçin e kemi në malet e Kurveleshit, tek burronja nën rrepe. Çudi! Sllavët, kudo ku shkelën, pasi u larguan, lanë pas një varg marramendës emërvendesh, nga Novoselë në Zagori, nga Konispol në Poliçan e plot të tjerë. Ja, ç’do të thotë të jesh mikpritës e bujar ndaj ardhacakëve që kërkonin bukë e punë, për të mbajtur frymën.

Si ta quajmë pra, këtë qytet historik? Meqenëse nxjerrja e naftës atje ka rënë shumë, mendoj ta quajmë Plepas.

Sport dhe hetuesi

Në Qytetin tonë të naftës, një ditë, ndërmjet dy djemve të rinj, plasi sherri për punë sporti, me fjalë pak si të ashpra. Njëri ishte ndihmësmjek nga Tirana i emëruar atje, tjetri vendas, teknik nafte. Pas fjalëve nisën të flisnin grushtet. Policët kureshtarë, mbështetur në mur, e shikonin ndeshjen si në sallën e boksit. Në atë dyluftim, tiranasi, me goditjen e pestë, e hodhi kundërshtarin poshtë. Më pas, me urdhrin e shefit, ata i lidhën e i mbyllën në qeli. Ndihmësmjeku ishte edhe portier i “Naftëtarit”, madje i shquar në një ndeshje historike në fushën sportive të Elbasanit, tek rrjeta e portës së tij ishte shqyer nga golat, edhe për shkak të një tufë vajzave të hijshme, të mbledhura prapa rrjetës. Ato, e qëllonin portierin, herë me guralecët e Shkumbinit, e herë i thërrisnin:

- O çuno! Ktheje kokën!

- O çun i Qytetit, hape portën!

- Gol! Gol! Gol!

Në zyrën e shefit

Të dy djemtë e ngujuar në qelitë e ndriçuara keq, pritën më kot të liroheshin po atë natë. Ai nga Tirana, për të shtyrë kohën, disa orë i kaloi duke hedhur e kapur një top ping - pongu në tavan e nëpër mure. Por, ja, erdhi çasti e u hap dera. Njëri prej policëve i thirri me zë të ashpër:

-Ec me ne! Të pret shefi në zyrë!

Kapiten Guri Donofrosa rrinte ulur pas tavolinës me kokën mbi bllokun e shënimeve dhe telefonin pranë. Nuk merrej vesh, flinte apo shkruante. Pas një heshtje të gjatë, ngriti ballin e gjerë.

- Hë, more portier, ulu e pëgjigju drejt pyetjeve të mia! Emrin?

- Kostandin.

- Mbiemrin?

- Vako.

- Kur dhe ku ke lindur?

- Më 1933, në Londër.

- Si the!? Po ç’deshe gjer në Amerikë ti!?

- Jo, jo, në Angli është Londra!

- E, mirë! Ç’bënte jot’ ëmë atje!? - uluriti kapiteni. - Fol!

- Ku ta di unë!

- Kuptova! Më thuaj tani, merr vesh, e këndon apo jo gazetën e Partisë “ Zëri i Popullit”?

- Sigurisht!

-Pse ka atë emër ajo, gazeta?

- Sepse, nëpërmjet saj, partia u thërret me zë lartë armiqve të brendshëm e të jashtëm.

- Po tjetër?

- Hëm …Po çfarë shikojmë mbi kokën e gazetës?

-Draprin e Çekanin. Drapri pret, çekani godet! Armiqtë e klasës, domosdo!

- Ashtu është! Më trego tani, nga cila faqe fillon ta këndosh gazetën ti?

- Nga faqja e parë, s’do mend! Shoh kryeartikullin dhe lajmet kryesore.

- Bukur! Pastaj?

- Kaloj te faqja e dytë, te “ Jeta e Partisë.”

- Vazhdo!

- E po, kështu me radhë! Në faqen e tretë gjej shkrime nga shendetësia, kultura , arti dhe…

- Kaq? Po qysh e merr vesh ajo koka jote se si është shtuar pambuku, misri, kupton, gruri ndër ara, kupton, dhe nafta tek ne në Qytet?!

- Ja, ashtu, duke lexuar!

- Pastaj?

- Hidhem në faqen e katërt, te lajmet e jashtme dhe sportive.

- Aty më ndalo! Te faqja e katërt meson gjëra ti, kupton, edhe për qytetin ku je lindur, kështu?

- Me raste.

- Si me raste!?

- Sepse kur ka raste, duhet të përfitojmë nga rastet, ka thënë Stalini.

- Si?

- Ja, për shëmbull, në Londër janë takuar Marksi dhe Engelsi.

- Ç’na përrallis, ore!? Ata qenë nga Rusia, ç’punë kishin me Londrën!?

- Jo, nga Gjermnia ishin!

- Pusho! - Për disa çaste pllakosi heshtja e plotë. Kapiteni, pasi u mendua, tha: - E di, e di. Vazhdo!

- Po, ja, në „Zërin e Popullit“ unë kam lexuar se në Londër ka dalë për herë të parë Manfesti i Partisë Komuniste.

- Manifesti? Ah po, nga Stalini ynë...

- Jo, jo, nga Marks dhe Engelsi.

- Pusho! Mos më jep mësime, po përgjigjju pyetjeve të mia, kupton? Shefi nuk desh ta ngiste më atë udhë të vështirë hetimi, ndaj, e ndryshoi kahun, u hodh te gjimnastika e mengjesit, te puna vullnetare për korrjet e vaditjen e ullishteve me fuçi e kova. Më në fund, u kthye te sporti.

- Më thuaj tani, përveç Naftëtarit, me cilën skuadër je?

- Me Partizanin.

- Pse nuk je me Dinamon?! Mos ke qenë gjë partizan?

- Jo, çfarë!?

- Ç’lidhje ke, pra, me atë skuadrën e Partizanit?

- Po, a nuk kam qenë pionier!? Kam mbajtur në qafë shallin e kuq!

Për zënkën shefi nuk i bëri asnjë pyetje!

Kohë lirie

Në vitet e lirisë, doktor Vako, mërgoi në Angli. Me pasaportë angleze punonte mjek në klubin sportiv londinez me emrin “Ëest Hamer.” Skudra e futbollit e atij klubi ndodhej në vendet e para të kategorisë së dytë të kampionatit anglez. Gjatë verës ajo zhvilloi dy ndeshje miqësore në Turqi me skuadrën e mirënjohur “Fenerbahçe” të Stambollit. Ndeshja e parë përfundoi 1-1 dhe e dyta 0-0. Skuadra angleze pushoi disa ditë në një nga plazhet e bukura të Izmirit. Atje lojtarët u njohën me dynmet apo si i thonë ndryshe me hanëmet e bukura, që shkuan nga Stambolli. Lozën tenis dhe vollejboll. Nuk thonë kot “Shih Stambollin pastaj vdis”! Biondët e Londrës mandej u larguan nëpër det, për në Greqi, me anijen turistike “Olimboz”. Në Selanik vizituan Lefkopyrgon. Natën u ndeshën me skuadrën vendase, “Aris”. Rezultati: 3-0.

Doktor Kosta, pas ndeshjes, në dalje të stadiumit pati një takim të këndshëm. Një djalë me pamje rreth të tridhjetave pranë autobusit të anglezëve po përshëndeste “okej, okej!”, me dorën e ngritur lart. Doktori iu afrua dhe e pyeti:

- Ëhere are you come from?…

Djaloshi e pa , u mendua dhe tha:

- Albania!

Doktorit i qeshi fytyra dhe vazhdoi shqip: - Shqiptar qenke!? ? Po nga cili qytet?

- Nga qyteti i Kuçovës.

- Nga Kuçova?! - thirri doktori me gëzim dhe i zgjati dorën.

- Edhe ju shqiptar jeni?

- Po, nga Tirana. Si të quajnë ty?

- Josif Donofrosa.

- Josif?… Ç’e ke kapiten Guri Donofrosën?

- Baba.

- Ou! Pse, i biri i shefit qenke ti!? Po si është me shëndet babai yt tani?

- Mirë, mirë, por ca i plakur.

- Kur ta takosh, i bëj shumë të fala nga Kostandin Vako i Naftëtarit të Qytetit! Dhe pyete, a e lexon më Zërin e Popullit dhe Manifestin e Partisë Komuniste!

Përfundim

Doktor Kosta, ndërsa pushonte në hotel, iu kujtua një ndodhi e largët me lexim gazete. Shkurt, 1975. Rrebeshi i shiut kishte vërshuar nëpër rrugët e Tiranës. Era përplaste shiun e rrëmbyer në trupat e kalimtarëve. Çadra nuk kishte më asnjë vlerë. Ftohtë. Doktori i lagur qull u gjend në rrugën e Durrësit. Në shtëpinë e Remziut pa dritë. Tha me vete: „Sa të ulet tërbimi i motit, po ngjitem pak lart!”

Në katin e tretë trokiti fort.

- Kush është?

- Hape! Jam unë!

- O, kush paska ardhur! Kosta! Nga bredh kështu nëpër këtë qahmet! Qenke bërë ujë! Hyr!

Miku, pa përshëndetur, la çadrën afër derës, u përkul dhe zbathi këpucët. Pardesynë dhe xhaketën qull i vari në korridor dhe zuri vend në kuzhinën e ngrohtë. I mbërdhirë, edhe pse pranë sobës valë, thoshte i hutuar:

- Oh, çfarë rrebeshi! Ujërat e turbullta të kanaleve kanë shpërthyer lart. Lana ka dalë nga shtrati. Tirana po mbytet!

I zoti i shtëpisë i hodhi në gotë çaj mali me pak sheqer.

Pije të ngrohesh! - i tha. - Dhe, për t’u qetësuar, merr e lexo gazetën Zërin e Popullit! Ka lajme të reja.

Kosta e pa në sy, pastaj nisi të shihte lajmet, radhë pas radhe. Në faqen e parë, në kryeartikullin me autor Brigata e Shtypit shkruhej: “Byroja dhe Sekretariati i KQ të PPSH, bëjnë thirrje për fitorje të reja.” Pastaj brodhi sytë poshtë e lart. Ktheu faqet në vijim e u befasua prej lajmeve për jetën e partisë në qendër e në rrethe, për arritjet nga puna në industri e bujqësi. Kudo rendimente të larta, thyerje normash e zotime! Më tej me një farë kënaqësie hapi faqen e katërt. „Lajme nga bota: nga Fronti i Fukienit. Krizë e rëndë financiare në Japoni.. Falimentim bankash amerikane. Kolaps ekonomik në Europë. Greva të fuqishme në Italinë e veriut. Bota kapitaliste në prag të katastrofës.“ E kapi pa pritur një si turbullirë.

- Të lutem, një got, por jo çaj! Ujë, ujë të ftohtë! - Piu me një frymë dhe iu kthye sërish gazetës. Për të larguar shqetësimin, hodhi sytë te rubrika sportive. Në lajmet për futbollin lexoi: „17 nëntori i Tiranës në prag të ndeshjeve për turin e parë për kupën e Europës, në këtë vapë të nxehtë korriku, po kalon pushimet në plazhin e bukur të Durrësit, në ajrin e pastër buzë detit, me stërvitje të shumta, vrapime, vollejboll dhe futboll me porta të vogla.“

Ç’dreqin bëhet kështu me këtë gazetë? - thirri. - E kthehu me vrull në faqen e parë. I çuditur pa: Zëri Popullit, organ politik i PPSH, n.350 ( 8888877…) 20 korrik, 1965!

\\\\

Pak histori

Nëse dikur merrje udhën për Berat, dhe pas Urës së Hasan Beut ktheje majtas, atëherë përgjatë rrugës me plepa mbërrije në qytetin e njohur për nxjerrjen e naftës qysh në lashtësi. Ky vendbanim pati qenë në krye të fshatrave, që shtriheshin deri në Sulovë. Thonë se ai ka ndërruar emrin disa herë, nga Seras u quajt Zjarrishtë, më vonë Kuçovë. Ky emervend sllav si shumë të tjerë, na mbeti edhe në kohën e miqësisë me Rusinë, e njohur për dimrin e gjatë. Nuk dihet koha, kur në qendër të Kuçovës u ngrit monumenti i një burri të ngrysur me mustaqe. Nën të qe gdhendur me daltë Josif V. Stalin. Pas përurimit, Kuçova mori emrin Qyteti Stalin, rusisht: Stalingrad, ndonëse ky qytet nuk njihej për beteja të përgjakshme si Stalingradi! Pra, kujt i shkoi ndër mend ky emër i ri, gjysëm shqip e gjysëm sllav, të cilin populli e quante thjesht Qytet? Në biseda miqsh thuhej: “Do të shkoj në Qytet” “Ika nga Qyteti”, ose “Më caktuan në Qytet”. Ishte me zarar ta quaje qytetin shkurt Stalin, sepse duhej të thoshje shprehi të tilla, si: “Vajta te Stalini.”, “Ika nga Stalini.”, “U mërzita te Stalini!”, “Më plasi shpirti te Stalini!”.

Megjithëse nafta pati shteruar dukshëm, skuadra e futbollit nga shefat e komitetit u quajt “Naftëtari“dhe jo “Stalin“, ndryshe, do t’i gjente belaja me tifozët kundërshtarë. Do të dëgjonin të thuhej: “U mund Stalini nga Peqini!”, apo “Traktori i Lushnjës e dërrmoi Stalinin!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat