Përkujtimi i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës

Opinione

Përkujtimi i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës

Nga: Faik Miftari Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 20:44
Faik Miftari

Shënimi dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës  me 17 shkurt 2008 edhe në Prizren, kryeqytetin shpirtëror shqiptar, u shënua me një  manifestim dhe kremtim madhështor. Solemniteti zyrtar filloi në ora 10.oo në ndërtesën e Shtëpisë së Bardhë, ku u organizua një pritje dhe një koktej rasti nga ana e kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja për të gjithë këshilltarët(asamblistët) komunal dhe përfaqësuesit të subjekteve politike komunale si dhe përfaqësues të mediave elektronike dhe të shkruara. Me këtë rast kryetari i komunës për nderë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës preu edhe  tortën e pavarësisë, të cilin e kishte përgatitur enkas për kuvendin komunal ëmbëltorja Sheherzadja.

Para namazit të drekës nga Këshilli i xhamisë u ngrit flamuri kombëtar shqiptar në majën e minares së xhamisë së Bajraklisë, në të cilin në vitin 1878 u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, vend historik i pikënisjes së synimeve tona për krijimin e shtetit tonë shqiptar.

Në ora 13.oo u bë nisja nga Prizreni për në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, ku për shpirt të dëshmorëve të pavarësisë së Kosovës lexova një Elham(Fatiha) me dëshirë dhe lutje që Zoti i madhëruar t’i shpërblejë dhe të gradojë me shkallë më të lartë të xhenetit. Prej  këtij vendi  të rëndësishëm u shpalos edhe flamuri kuq e zi me një gjatësi prej 3005 metrave, i cili  u mbajt prej1878 të rinj e të reja nga varrezat e dëshmorëve në Landovicë e  gjer në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit në Prizren. Numri i të rinjve dhe të rejave  prej 1878 vetash paraqet simbolikën e vitit të mbajtjes së  Lidhjes së Prizrenit.

Pas kësaj u kthyem në Prizren, dhe në foajenë e Shtëpisë së Bardhë në Prizrenit përcollëm nëpërmes ekraneve televizive momentin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës  nga  Kuvendi i Kosovës. Fill pas kësaj eskortën nga ndërtesa e Shtëpisë së Bardhë e udhëhoqi kryetari i komunës drejt Lidhjes së Prizrenit, ku sapo kishte filluar gëzimi dhe hareja.  Në fytyrat e dhjetëra mijëra njerëzve shkëlqente ndjenja e paparë e gëzimit, të cilët patën rast që të jenë brezi i cili do të përjetojë këtë çast historik, pas shumë brezave të kaluara të cilët u munduan, u angazhuan, u sakrifikuan dhe u flijuan veten për këtë çast historik.

 Në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, u bë edhe dorëzimi i flamurit të gjatë 3005 m, nga organizata  e veteranëve të UÇK-ës, kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës. Pas kësaj u marshua drejt sheshit Shadërvan të Prizrenit, ku me një fjalim të shkurtër kryetari i Prizrenit iu prezantua dhjetëra mijëra qytetarëve të tubuar në Prizren duke ju uruar që të gëzojnë përherë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha minaret e xhamive të Prizrenit jehonin lutjet dhe këndimi i verseteve  në shenjë falënderimi për Zotin e madhëruar që  mundësoi të përjetojmë këto çaste të lumtura dhe historike për popullin tonë shqiptar.  Festimi i nisur vazhdoi gjer në orët e vona të natës me këngë e valle të programit enkas të përgatitur  nga komisioni kulturës pran Këshillit organizativ të Komunës së Prizrenit.

Me të vërtet ishte kënaqësi të jesh shqiptar me 17 shkurt të vitit 2008 kudo qoftë në botë, gëzimi dhe hareja ishte prezent kudo që jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, në diasporë e kudo në botë. Ky shpërthim i vullnetit të shqiptarëve kudo që ishin, ishte një akumulim njëshekullor i vuajtjeve dhe përpjekjeve të pareshtura për liri dhe pavarësi të Kosovës së okupuar që nga viti1912 e gjer më tani nga Serbia.

Kjo liri dhe pavarësi e Kosovës u mundësua pas përpjekjes dhe sakrificës së pareshtur të popullit tonë shqiptar, që nga krisma e pushkës së parë kundër okupatorit serb nga Ahmet Delia në vitin 1913 në Drenicë, e gjer në krismën e pushkës së Adem Jasharit në vitin 1998 në Prekaz të Drenicës, si nismëtar i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Populli shqiptar do jetë mirënjohës përherë për të gjithë miqtë ndërkombëtar,  në rrallë të parë SHBA-ve dhe NATO-së  që  me bombardimet e tyre të pareshtura plot 77 ditë në vitin 1999, detyruan ushtrinë dhe policinë serbe të tërhiqet nga Kosova dhe mundësuan kthimin e 1milionë shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

 Nga numri i  shumë dëshmorëve dhe patriotëve që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,  do të veçoja dy personalitete si më të merituar, të cilët për kuriozitet i mbajnë emrat dhe sinonim të njëjtë, bacë dhe Adem.

I pari  ishte Adem Jashari, personalitet i cili për herë do të mbetet i shënuar  në historinë më të re të  popullit shqiptar, i cili  flijoi dhe sakrifikoi veten dhe  tërë familjen e tij për lirinë e popullit shqiptar dhe pavarësinë e  Republikës së Kosovës.

 I dyti ishte Adem Demaqi sinonim i përpjekjes dhe rezistencës shqiptare në ish Jugosllavi,  nga  vitet  pesëdhjeta të shekullit të kaluar, i cili për përpjekjet e t’ia politike dhe kombëtare për kauzën shqiptare  kaloi në kazamatet e ish Jugosllavisë  plot 28 vite. Parashikimi dhe “profecia” e tij nga mbrojtja e tij e parë para gjykatës politike në vitin 1958, pas plot 50 vitesh  u realizua dhe u jetësua, ku përveç tjerash  mbrojtjen e tij e përfundoi me fjalë:”...Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare që të shpartallohet krejt Jugosllavia dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën”.

Në fund, do ta përmbyll këtë  përkujtim të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës me 17 shkurt 2008, me porosinë që ta gëzojmë dhe ta ruajmë  si sytë e ballit përherë lirinë dhe pavarësinë e Republikës sonë të dashur të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat