Gëzuar Pavarësinë Kosova Dardane!

Opinione

Gëzuar Pavarësinë Kosova Dardane!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 17 shkurt 2024 Në ora: 12:32
NEWBORN është një monument që simbolizon lindjen e një shteti të ri, tash e 16 vjet, Kosovën

Sot Kosova feston 16 vjetorin e pavarësisë. Po bëhen dy dekada dhe shteti më i ri në Europë po konfirmohet thuajse çdo ditë si një vend me institucione demokratike e funksionale, me liderë politikë të pakurruptueshëm, me një performancë të lavdëruedhme dhe mbi të gjitha më sovrane në territorin e saj sesa në çdo përvjetor të mëparshëm. Unë besoj se në 17 vjetorin e pavarësisë, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës do të jetë përfundimisht i konsoliduar dhe pozita ndërkombëtare e saj do të jetë edhe më e fuqishme. Uroj që treguesit ekonomikë e socialë si dhe mirëqenia banorëve të Kosovës të ngrihen edhe më lart.

E para së gjithash shpresoj se ushtria e Kosovës do të jetë mburoja më e fuqishme dhe garancia më e madhe e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe mbrojtjes nga çdo rrezik i jashtëm, sidomos i Serbisë dhe Rusisë. So Kosova feston 16 vjetorin e pavarësisë së saj me krenari të jashtëzakonshme. Ajo është krenare, sepse lindi njeriun më të madh të të gjitha kohërave pas Skënderbeut, Dr. Ibrahim Rugovën. Ibrahim Rugova e projektoi lirinë dhe pavarësinë e saj dhe e bindi botën demokratike që të angazhohet për mbrojtjen e ekzistencës së saj.

Ibrahim Rugova shkatërroi çdo përpjekje të Serbisë, të kishës e akademisë serbe, të propagandës së Beogradit dhe i vendosi shqiptarët në ndërgjegjen perendimore. Kosova është krenare, sepse u rezistoi për më shumë se një shekulli fushatave të shfarosjes etnike të Serbisë dhe të serbëve, veçmas gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913), gjatë fushatës së shpërnguljeve masive në vitet 1930 dhe 1950 dhe gjatë spastrimit etnik e asgjësimit fizik të shqiptarëve në luftën e fundit prej vitit 1981 e deri më 12 qershor 1999. Kosova është krenare, sepse në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u rendit fuqishëm përkrah NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Bashkimit Europian.

Diplomacia dhe politika e Ibrahim Rugovës përgatiti terrenin e një bështetjeje të fuqishme të UÇK-së nga ana e aleancës euro-atlantike. Kosova është krenare, sepse udhëhoqi me dinjitet, urtësi e vendosmëri dialogun për statusin e Kosovës, dialog që nisi me krijimin e Grupit Negociator nga ana e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova dhe u udhëhoq e u përmbyll me sukses të merituar nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu (2006-2010).

Rezultat i atyre bisedimeve ishte Pakoja e Marti Ahtisaari e depozituar në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit, mbi bazën e së cilës u shpall pavarësia dhe u arrit liria e Kosovës më 17 shkurt 2008. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte projekt dhe produkt i politikave të aleatëve tanë. Ishte George W. Bush, ai që më 10 qershor 2007 shpalli nga Tirana se “Kosova është e pavarur! Mjaft është mjaft”, tha ai. Ishte po presidenti amerikan Bush që gjatë asaj vizite në Tiranë shpalli vendimin e tij për ta bërë Shqipërinë anëtare të Aleancës Atlantike. Ishin vendet mike të Kosovës që e njohën shtetin e saj në garë me njëri-tjetrin se kush do ta shpallte më parë vendimin e tij. Brenda pak ditëve Kosovën e njohën rreth 50 shtete, shumica dërmuese e tyre anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Një meritë të jashtëzakonshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës ka presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili gati dy vite më parë realizoi pavarësinë e vendit të tij, duke shkërmoqur kështu atë që ishte quajtur Jugosllavia e Tretë. Sipas Rezolutës 1244 statusi i Kosovës do të diskutohej dhe vendosej në kuadër të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi bëri që Jugosllavia të mos ekzistonte më. Për pasojë Kosova mbrojti të drejtën e saj për pavarësi, sepse asnjë dokument ndërkombëtar nuk e detyronte atë të kishte status politik me autonomi nën sovranitetin e Serbisë. Serbia ishte e duhej të ishte jashtë territorit të Kosovës, sipas Marrëveshjes së nënshkruar në Ohër më 9 qershor 1999 nga NATO dhe qeveria e Milosheviçit, përkatësisht përfaqësuesit e ushtrisë serbe.

Në themelet e lirisë e të pavarësisë së Kosovës qëndron rezistenca dhe gjaku i heroit kombëtar, Adem Jashari dhe familjes së tij. Ademi dhe familja Jashari u bënë frymëzimi i shqiptarëve në luftën për liri kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë. Por në themel të shtetit të Kosovës qëndron gjithashtu sakrifica e Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij, si dhe gjaku i dëshmorëve dhe mijëra martirëve të masakruar brutalisht nga makineria ushtarake e policore e shtetit të Serbisë. Kur thuhet se pavarësia e Kosovës është një rast i vetëm dhe unik në llojin e vet, gjithnjë kemi parasysh këtë sakrificë dhe gjakun që derdhën shqiptarët gjatë kësaj periudhe të terrorit serb (1998-1999).

Sot është dita më e shënueme e kombit shqiptar! Më e madhe edhe se dita e 28 nëntorit 1912. Sepse shpallja e pavarësisë i dha fund persekutimeve, vrasjeve, dëbimeve dhe diskriminimit të shqiptarëve nga ana e qeverive serbe të çdo kohe. Para 16 vjetësh u vulos liria, e cila është ende e brishtë dhe mund të vihet në rrezik, sa herë që në Kosovë vijnë në pushtet politikanë të korruptuar e grabitqarë, që vjedhin e grabisin edhe në emër të luftës! Ta ruajmë Kosovën tonë Dardane të lirë, sovrane dhe ta bëjmë atë të fuqishme e të begatë! Lavdi dëshmorëve! Rroftë dhe mijëvjeçarë jetë për Kosovën e lirë e të pavarur anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat