“Kanceri” Rama duhet “operuar” urgjent

Opinione

“Kanceri” Rama duhet “operuar” urgjent

Prof. Dr. Eshref Ymeri Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri Më 19 shkurt 2024 Në ora: 06:45
Edi Rama

Që kur diktatura neokoministe e Ramës izoloi në shtëpi Kryetarin e opozitës, Prof.dr. Sali Berisha, mbështetësit e tij, çdo pasdite, kanë organizuar tubime proteste pranë pallatit ku ai banon, për të ngritur zërin kundër pushtetit të Ramës, i cili, që prej shtatorit të vitit 2013 dhe deri tani, i ka bërë gjëmën popullit shqiptar me politikën e varfërimit të pandalshëm nëpërmjet rritjes së pandërprerë të taksave dhe të çmimeve, çka ka sjellë si pasojë shpopullimin katastrofik të vendit tonë.

U bënë disa ditë që organizatorët e atyre tubimeve, të gjithë anëtarëve dhe smpatizantëve të Partisë Demokratike, u janë drejtuar me thirrjen për të marrë pjesë në protestën madhështore të 20 shkurtit, ditës simbol të rrëzimit të diktaturës komuniste, kur shtatorja e kryekriminelit Enver Hoxha në Sheshin “Skënderbej” qe flakur në tokë 33 vjet më parë.

Duke pasur parasysh këtë ditë simbol, çdo qytetar opozitar me vetëdije të lartë kombëtare, ka krijuar bindjen se 20 shkurti do të jetë dita e fundit e sundimit të diktaturës neokomuniste të Ramës, çka, normalisht, do të pasohet me krijimin e një qeverie teknike dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme. Por kur qytetari opozitar me vetëdije të lartë kombëtare, njihet me deklaratën e fundit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ai ndien një zhgënjim të thellë tronditës në qenien e vet.

Në një njoftim, të botuar në një faqe interneti, thuhet:

“Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka mbledhur paraditen e kësaj të diele, strukturat e PD-së në Devoll. Bardhi foli për rezultatin e dobët në zgjedhjet vendore të opozitës, teksa u shpreh se nuk ishte ai që ne prisnim. Megjithatë, ai shprehu bindjen se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 PD do të dalë fituese” (Citohet sipas: “Bardhi: PD do të jetë fituese në zgjedhjet e 2025-ës”. Faqja e internetit “CAN”. 18 shkurt 2024).

Në qoftë se me këtë deklaratë Gazment Bardhi shfaqet në publik si përfaqësues i të gjithë Partisë Demokrtatike dhe i krejt simpatizantëve të saj, atëherë duhet ardhur në përfundimin se organizatorët e tubimeve pranë pallatit të Prof.dr. Sali Berishës po luakan një komedi të lezetshme para elektoratit të djathtë, të cilin po e mashtruakan në një mënyrë sa të pahijshme, aq edhe të pabesë. Atëherë rezultuaka se elektoratit të djathtë iu bëka thirrje për t’u mbledhur thjesht për një teferiç në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” , ku do t’u mbakan disa fjalime të ekzaltuara dhe mandej njerëzit do t’u shpërndakan secili në shtëpinë e vet. Nëse Gazmendt Bardhi dhe drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike menduakan për fitoren e zgjedhjeve në vitin 2025, atëherë përse u organizuakan ato tubime pranë pallatit të Prof.dr. Sali Berishës? Përse u dashka organizuar protesta e 20 shkurtit? A nuk do të ishte më mirë që drejtuesit e partisë dhe organizatorët e tubimeve t’i futeshin punës në të gjitha strukturat e partisë, që nga Tirana deri në zonat më të thella, duke trokitur në çdo derë, në qytet dhe në fshat, për t’i zgjuar njerëzit nga letargjia e skllavërisë, ku i ka zhytur gënjeshtari dhe mashtruesi i regjur Rama?

Përfundimisht, nëse protesta e 20 shkurtit nuk do të shënojë përmbysjen e neokomunistit Rama dhe të bandës së tij nga pushteti, nëse ajo protestë do të përfundojë ashtu si edhe protesta e 07 korrikut 2022, atëherë duhet thënë me bindje të plotë se për demokratët e vërtetë dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, ajo “Rruga e Shpresës” do të shndërrohet një herë e mirë në “Rrugën e Mashtrimit dhe të Zhgënjimit të Madh”. Dhe Partia Demokratike jo vetëm që nuk do t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2025, por do t’i duhet që të presë fitoren e neokomunistëve të Ramës edhe në vitin 2041, me rastin e festës së 100-vjetorit të themelimit të prostitutës komuniste të Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës.

Feniks, Arizona, 18 shkurt 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat