Në Kosovë nuk do të ketë luftë, por pritje për në OKB, do të ketë derisa Uashingtoni dhe Moska t’i normalizojnë raportet e tyre ndërshtetërore

Opinione

Në Kosovë nuk do të ketë luftë, por pritje për në OKB, do të ketë derisa Uashingtoni dhe Moska t’i normalizojnë raportet e tyre ndërshtetërore

Nga: Prof.Dr. Mehdi HYSENI Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 17:06
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Në Kosovë nuk do të ketë luftë, por pritje për në OKB, do të ketë derisa Uashingtoni dhe Moska t’i normalizojnë raportet e tyre ndërshtetërore

-Kështu e thotë real politika e fuqive të mëdha botërore, anëtare të Kombeve të Bashkuara (1945-2024), të cilat kanë “anashkaluar” konceptin pragmatik të ko ekzistencës aktive paqësore, pas mbylljes së kaptinës historiko-politike të Luftës së Ftohtë (1948-1990).

Ky konstatim hipotetik nuk më pëlqen aspak, por gjendja faktike në skenën politike të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk paralajmëron ndonjë opsion tjetër optimist dhe paqësor, që Kosova sa më parë të pranohet në OKB, duke qenë se ligjërisht i plotëson të gjitha kushtet sipas normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, që të njihet si anëtari i 194-të të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, padrejtësia e VETO-së së Rusisë dhe vota abstenuese e Kinës kanë “gozhduar” drejtësinë, që Kosova të fitojë subjektivitetin juridik ndërkombëtar si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndonëse, realizmi, e drejta ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara janë në anën e aderimit të Kosovës në OKB. Këtë e dëshmoi edhe vlerësimi juridik ndërkombëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010, se pavarësia e Kosovës është në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Mirëpo, këto i ka bllokuar VETO-ja e Rusisë në Këshilin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke u thirrur në Rezolutën 1244 të KS-së së OKB-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse Serbia kolonialiste e Aleksandër Vuçiqit.

Sa më sipër, sa do të jetë kohëzgjatja e pritjes së Kosovës, që të fitojë karrigen në OKB, këtë askush nuk e di, por në bazë të treguesve të tanishëm, që karakterizojnë zhbalancimin e sistemit të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, mund të nxirret konkluzioni se, tek pas normalizimit të marrëdhënieve mes Amerikës dhe Rusisë, Kosova me gjasë do të fitojë cilësinë de fakto dhe de jure të anëtarit me të drejta dhe detyrime të plota të OKB-së.

Deri atëherë, JO! Si rrjedhojë, mbetet q֝ë Kosova të “kënaqet” me ndonjë marrëveshje të përkohshme të kompromisit politik me Serbinë, të arritur në Dialogun e Brukselit (2011-2024) nën patronatin e Miroslav Lajçakut dhe të Josep Borelit ( ndërmjetësues specialë të BE-së), si rrjedhim i imponimit të rrethanave momentale të interesave hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë dhe të Rusisë.

Me një fjalë, anëtarësimi i Kosovës në OKB, do të jetë një “rrugëtim” dhe pritje e gjatë, që fare nuk është në interesin nacional e as shtetëror të Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Mirëpo, për një realpolitikë të tillë aspak nuk janë të vetëdijshëm dhe pragmatikë liderët politikë dhe “lexuesit” e tyre së bashku me opozitën, të cilët po ushqejnë iluzione se gjoja Kosova “shumë shpejt do bëhet anëtare e OKB-së” ! Ndoshta, por kjo varet nga intensiteti i përmbylljes së mosmarrëveshjeve të Rusisë dhe të Amerikës.

Ndryshe, Kosova deri në normalizimin de fakto dhe de jure të raporteve midis Moskës dhe Uashingtonit, do të jetë jashtë OKB-së. Ndaj, nuk ka opsion tjetër politik a diplomatik që do të mund të “shkrinte” VETO-n e Rusisë në Këshillin e Sigurimit lidhur me mbrojtjen e Rezolutës 1244, që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por të “drejtën” e Serbisë mbi Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat