Gëzuar, Kosovë, pavarësia e pakuptuar

Opinione

Gëzuar, Kosovë, pavarësia e pakuptuar

Nga: Isa Zymberi Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 12:22
Isa Zymberi

Populli shqiptar, në periudhat e kthesave të mëdha, kryesisht ka zgjedhur të qëndrojë spektator kundrejt zhvillimeve që do të përcaktonin fatin e tyre. Nisur nga kjo premisë përgjithësuese, duhet të ndjehemi me fat që sot kemi një Shqipëri të pavarur, një Kosovë të pavarur, një popullatë në Maqedoninë e Veriut me disa të drejta të realizuara, me shqiptarë në Mal të Zi po ashtu me ca të drejta, me shqiptarë në Serbi, pothuaj, pa të drejta. Kemi, në anën tjetër, pika skajmërisht tragjike të shumë territoreve të deshqiptarizuara përgjithmonë.

Shqipëria, deshëm s'deshëm, e ka fituar pavarësinë në sajë të pranisë fizike të popullit shqiptar në ato territore si dhe të angazhimit austro-hungarez për stopimin e daljes sllave në Adriatik, ani se për këtë ka ndihmuar edhe fakti se popujt fqinj nuk po mund të merreshin vesh si t'i ndanin territoret shqiptare midis tyre.

Rasti i pavarësimit të Kosovës karakterizohet, fillimisht, me një rezistencë paqësore në kohën kur ish-Jugosllavia po shpërbëhej dhunshëm. Shqiptarëve të Kosovës, megjithëse vazhdonin të ishin të shtypur e të persekutuar nga regjimi serb i radhës, sërish iu imponua qëndrimi si spektatorë përballë përplasjeve të tmerrshme midis sllavëve të jugut. Ndryshimin kësaj radhe e përbënte rezistenca paqësore dhe rreshtimi në anën e duhur me demokracitë e shteteve perëndimore.

Rezistenca paqësore, bashkë edhe me aktivitetin e jashtëzakonshëm të diasporës në vendet perëndimore ku punonin e jetonin, e shpëtuan popullin shqiptar të Kosovës nga vala e parë e luftave serbe kundër të tjerëve në ish-Jugosllavi, por edhe e përgatiti botën perëndimore për intervenimin shpëtimtar në kohën kur Serbia e kishte filluar betejën finale të shkeljes së Kosovës.

Në mungesë të rezultateve, lëvizjet paqësore dështojnë. Kjo ndodhi edhe në Kosovë dhe dalja e UÇK-së si dhe përgatitja e FARK-ut, iu kundërvunë në luftën finale Serbisë, tani kundër shqiptarëve të Kosovës. Pa e nënvlerësuar rolin e aktivistëve në Kosovë, aktiviteti i pandalshëm i diasporës, por edhe lobimi mjaft i suksesshëm i Qeverisë së Kosovës në ekzil, me një numër të kufizuar njerëzish, e sidomos vizitat e rregullta të Rugovës në shtetet demokratike të Perëndimit, veçanërisht në SHBA, kishin krijuar bazën e një përkrahjeje që më vonë do të dëshmohej vendimtare.

Sot kemi një Kosovë të pavarur, të cilën gradualisht na e sollën shtetet mbështetëse, që nuk pranuan të rrinin duarkryq kundruall një regjimi gjakatar që tashmë e kishte larë në gjak shumicën e asaj që ishte ish-Jugosllavi. Kështu ndodhi akti 'jolegal' por 'legjitim' i intervenimit të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, përkatësisht, kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Ky intervenim, tash për tash, mbetet më i pastërti dhe më i suksesshmi dhe ka mundësi të mbetet i tillë për një kohë të gjatë.

Intervenimi i NATO-a dhe pavarësia e Kosovës janë dy ngjarje që, po të mos i kishim përjetuar vetë, do ta kishim të vështirë t'i besonim. Në rrethanat e tanishme nuk do të mund të merreshin me mend as njëra as tjetra.

Liria që ta sjellin të tjerët, normalisht, nuk e ka shijen e lirisë që e fiton vetë. As pavarësia që ta skicojnë të tjerët nuk të përshtatet në të gjitha aspektet.

Ka një prirje që, vlerësimi i atyre që na e sollën lirinë, të shihet si minimizim i rolit të pjesëmarrësve në luftë kundër Serbisë. Ky është një absurditet sa i pavend aq dhe i dëmshëm.

Roli i UÇK-së nuk ka nevojë të hiperbolizohet as të mitizohet. Kushdo që e ka marrë armën në dorë, e ka nënshkruar gatishmërinë e flijimit.

Menaxhimi i lirisë, e sidomos i pavarësisë, lënë për të dëshiruar.

Teksti i pavarësisë, deri pesë minuta para leximit në Parlament, është dakordësuar me ambasadën e SHBA-së. Kosova duhet të ndjehet e bekuar që ka aleatë me te cilët mund të konsultohet në çdo kohë dhe për çdo gjë. Konsultimi është kushti kryesor për ruatjen dhe sendërtimin e pavarësisë dhe është i domosdoshëm madje edhe me ata aleatë që nuk janë plotësisht të sinqertë. Kërkesat e tyre duhet të merren shumë seriozisht. Edhe kur nuk janë lehtësisht të pranueshme, apo krejt të papranueshme, shpërfillja e tyre duhet të bëhet me shumë takt.

Përkrah Kosovës janë ata që e pavarësuan atë, përballë Serbisë janë ata që e bombarduan atë. Duhet ta kuptojmë se bombarduesit e Serbise janë seriozisht të interesuar ta kthejnë nga Perëndimi demokratik. Serbia po e refuzon këtë me kryeneqësinë e gomarit, por, në anën tjetër po e luan me shumë sukses lojën e dyfishtë.

Pavarësinë e kemi nisur me administra pa ndonjë përgatitje adekuate, por tani pas 16 vitesh ka qenë e rrugës të kemi njerëz që i kuptojnë finesat e diplomacisë, dhe sidomos, të kemi udhëheqje që kanë vizion.

Vlera e pavarësisë duhet të kuptohet drejt dhe të mos vihet në rrezik në asnjë moment.

Mbledhja e fundit e Këshillit të sigurimit ishte një debakël diplomatik për Kosovën. Duhet ta kuptojnë të gjithë, sidomos kryeministri i Kosovës se ende nuk është koha të shkruhet libri:

"Bini ecën vetë'

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat